Artistët serbë e shqiptarë prezantojnë “Tregime nga fshesa elektrike”

Artistët serbë e shqiptarë prezantojnë “Tregime nga fshesa elektrike”

Kultura June 14, 2019 - 09:43
Lexo më shumë detaje
Image

Punimet artistike, të krijuara së bashku në një punëtori me artistë të rinj nga Serbia dhe nga Kosova, janë kurorëzuar me ekspozitën "Tregime nga fshesa elektrike", të prezantuar në qendrën kulturore “Parabrod” në Beograd dhe në Qendrën Kulturore në Novi Sad përgjatë muajit qershor.

Kjo ekspozitë për burim ka marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve, si dhe shikimin nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja. Kjo ekspozitë që për koordinator ka Luka Bozoviqin ishte ngjarja përfundimtare e projektit "Serbia dhe Kosova: Kultura pa kufij", e organizuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Beograd dhe Ambasadës Zvicerane në Gjermani.

Artistët: Arife Muji, Pajtim Pasha, Adea Pula, Arianit Beqiri, Blond Kavaja, Indrit Ferati, Jelisaveta Rapaiq, Nina Milivojeviq, Kristina Stankoviq, Sanja Angjelkoviq kanë punuar së bashku disa ditë për t’i nxjerrë në dritë veprat e tyre.

Arife Muji, artiste nga Kosova, për gazetën “Zëri” ka folur për idenë, për konceptin dhe për rezultatin e ekspozitës së përbashkët.

“Emri i ekspozitës është i frymëzuar nga fshesa elektrike ‘Sloboda 700K’, prodhim serb që ka qenë në përdorim te dy popujt përgjatë një kohe dhe pothuajse ka qenë pjesë e çdo shtëpie. Prodhimi i saj u ndërpre në vitin 1999, sepse në fabrikën ku u prodhua në Serbi kishte filluar prodhimi e armëve luftarake, prandaj NATO-ja e kishte vendosur atë në listën e objekteve që do të bombardoheshin. Në këtë mënyrë erdhi fundi i prodhimit të kësaj pajisjeje që pastroi aq shumë shtëpi për kaq shumë vite. Kush do të thoshte se ‘Sloboda 700k’ do të jetonte më gjatë se Jugosllavia? Vetëm një vepër arti mund të jetojë më shumë se një mbretëri”, flet Muji për idenë, e cila kishte autor artistin kosovar Pajtim Pashën.

Sipas Pashës, ideja ka qenë që përpos si mjet shtëpie kjo fshesë të mbetet një vepër arti e cila ekspozohet jo vetëm në Serbi, që është prodhues i kësaj fshese. Muji rrëfen edhe për instilacionin tjetër të Pashës, që ka qenë një xham i madh i cili ka ndarë ambientin e ekspozitës e si koncept ka pasur pasqyrimin e raporteve mes dy popujve.

“Një xham i thjeshtë që ka simbolizuar murin dhe ka qenë transparent është vendosur në mes të ambientit ku është mbajtur ekspozita dhe ideja ka qenë që ne e shohim njëri-tjetrin, por kemi një mur përmes të cilit pavarësisht se shohim nuk mundemi të depërtojmë brenda tij”, rrëfen Muji.

Image

Punimi i Arife Mujit “Utopia” ka tërhequr vëmendjen e audiencës. Muji thotë se ka manipuluar me tekste, ku ka prezantuar gjuhën e komunikimit me terma të përgjithshëm.

“Përmes alfabetit utopik të Thomas More kam dashur të tregojë se secili prej nesh të paraqesë pikëpamje individuale për relacionin Kosovë - Serbi momentalisht. E që momentalisht sipas studimit tim raportet tona janë utopike, tjetra është që as ne nuk e kuptojmë gjuhën e tyre e as ata tonën. Tjetra ka qenë që kam paraqitur edhe fatin tonë ku Bashkimi Evropian dirigjon me fatin tonë, na bën të dialogojmë mes vete dhe ne nuk jemi të gatshëm t’i zgjidhim problemet tona vetë, që gjithmonë na duhet një gjuhë e tretë, një person i tretë për të na zgjidhur problemet mes vete, të cilat i kemi ndër vitesh”, shprehet Muji për punën e saj.

Image

Adea Pula, një tjetër artiste nga Kosova, perspektiven e saj për raportet Kosovë - Serbi i ka paraqitur në projektin e saj të emëruar “Popcorn”.

“Të jesh i ndaluar t’i zhvillosh aktivitetet ditore për shkak të një konflikti dypalësh, që ndoshta as nuk je në dijeni se çfarë ka ndodhur në mes dy shteteve, një konflikt shumëvjeçar në mes të Serbisë dhe Kosovës, që ka prekur çdo sferë të të dyja palëve ka arritur të ndikojë edhe në vendet e Evropës. Një konflikt shumëvjeçar, i cili ka zgjeruar rrjetin e veprimit edhe më gjerë. Të varesh në duart e një çështje politike që për shumë vjet nuk ka sjellë asnjë rezultat dhe nga mosrezultati i dy vendeve, nga koha e tepruar e stërdiskutimeve, opsioni i vetëm për të treguar zhvillim është shpalosja e problemeve duke zgjeruar rrjetin edhe më gjerë”, u shpreh Pula duke thënë se në aspektin e përgjithshëm janë menduar edhe këto pika nga ana e zhvillimit të ekspozitës.

E në anën tjetër vepra e artistes serbe Jelisaveta Rapaiq konflikti shqiptaro-serb është çështje e përfunduar, që nuk zë vend tjetër përveç në dollap. Ajo ka marrë dy uniformat e ushtrisë së Kosovës dhe të asaj të Serbisë, i ka hekurosur dhe i ka futur në një dollap të mbyllur për të treguar përmes videos se kjo histori nuk do të përsëritet.

Sipas Arife Mujit, ideja e gjithë ekspozitës ka qenë që artistët nga Serbia dhe nga Kosova të punojnë në një projekt të përbashkët për të parë se çka mund të qesin në pah së bashku.

“Nga propagandat që janë bërë ne kemi qenë me fat që nuk kemi hasur në asnjë problem të asnjë natyre. Ne e dimë se nuk kemi përfaqësuar gjithë rininë kosovare ose anasjelltas artistët serbë gjithë rininë serbe, por lirisht mund të nxjerr përfundim se të paktën 30 për qind prej nesh janë të njëjtë për nga aspekti i bashkëpunimit”, përfundoi ajo.

Image