Mulliqi përjetëson në bronz sekretaren Albrigt
foto: Laura Hasani

Mulliqi përjetëson në bronz sekretaren Albrigt

Kultura June 13, 2019 - 10:01
Lexo më shumë detaje
Image

Busti i Madeleine Albrightit, një prej personaliteteve që pati rol të rëndësishëm në historinë më të re të Kosovës, është shkrirë në bronz dhe është vendosur në qendër të Prishtinës. Ky bust i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Albright, është vendosur në rrugën “Luan Haradinaj”, te monumenti “New Born”, në sheshin që tashmë mban emrin e saj.

Busti në fjalë është vepër e skulptorit Luan Mulliqi. Për gazetën “Zëri” skulptori Mulliqi ka thënë se të punosh një bust të një personaliteti si Albright ka qenë kënaqësi e veçantë. Sipas tij, edhe më i veçantë është fakti që flitet për një person me një energji shumë të madhe.

“Të ju them të drejtën ka qenë një kënaqësi e veçantë të punosh një personalitet që njihet në tërë botën për kontributin që ka dhënë për arritjen e paqes në disa regjione, në disa hapësira të rruzullit tokësor, duke filluar prej Ruandës, ku ka qenë shumë e angazhuar si ambasadore, pastaj edhe me ndaljen e luftërave siç ka qenë ajo e Bosnjës dhe ajo e Kosovës”, vlerëson autori i bustit të Albrightit.

Skulptori Mulliqi thekson se ka pasur një frymëzim të veçantë për të punuar një vepër arti si kjo. “Ka qenë kënaqësi e madhe. Frymëzim i veçantë, meqenëse kemi të bëjmë me një personalitet e cila me të vërtetë ka një energji shumë të madhe për t’i shtyrë disa procese paqësore, procese që sjellin paqen”, tha ai.

I pyetur se sa i ka marrë kohë nxjerrja në dritë e këtij busti dhe si e vlerëson këtë punë në karrierën e tij, Mulliqi thekson se busti që ka punuar është portreti më i mirë i artit publik që ka realizuar deri sot skulptori.

“Busti më ka marrë kohë një muaj e diçka, mirëpo të ju them të drejtën e kam punuar me një lehtësi të madhe dhe më vjen mirë që ka dalë një prej punimeve më të mira, portreti më i mirë i artit publik që unë deri sot e kam punuar”, tha ai për gazetën “Zëri”.

Për ndërtimin e këtij busti janë shpenzuar 20 mijë euro dhe shpenzimet i ka mbuluar Zyra e Presidentit të Kosovës.

Zyra e Prokurimit në Presidencë kishte shpallur fituese kompaninë “Artiko” nga Matiqani, e cila për 19.788 euro ka bërë ndërtimin e bustit.

Përurimi i bustit të femrës së parë në postin e sekretarit së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Albright, është bërë në kuadër të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Duke u shprehur se ndihet shumë e lumtur për ardhjen e saj në Kosovë, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, tha se është shumë e nderuar që ka një bust në Prishtinë.

“Jam shumë e nderuar që do ta kem një bust në Prishtinë. Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua. Faleminderit që më keni bërë kaq të gjatë”, tha ajo para masës, që ishin mbledhur në përurimin e bustit të saj.

Rikujtojmë se busti i punuar nga skulptori Luan Mulliqi u përurua ditën e mërkurë, më 12 qershor dhe sheshi ku është vendosur busti do ta mbajë emrin “Madeleine Albright”.