Kthehen heronjtë e qytetit pa lumë

Kthehen heronjtë e qytetit pa lumë

Kultura June 13, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje
Image

Grupi i hiteve si “Në tren për Perzeren”, “Era”, “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty” e “Një grup qershi” i janë kthyer skenës kosovare pas rreth tri dekadash. Është dashur një përvjetor i veçantë, si ky i 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, që rok-grupi legjendar “Gjurmët” të prezantohet para publikut prishtinas. Salla “1 tetori” u mbush plot me adhurues të gjeneratave të ndryshme mbrëmjen e së mërkurës për këtë koncert. Gjeneratat më të vjetra plot nostalgji ndoqën koncertin e “Gjurmëve”, krahas të rinjve që shijonin hitet të cilat u kanë mbizotëruar dekadave. Publiku prishtinas, por edhe ai i ardhur nga shumë qytete shqipfolëse mirëpriti grupin që la gjurmë në skenën tonë muzikore.

Bashkë me “Gjurmët” në skenë u ngjitën këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria, si: Boiken Lako, Elina Duni, Genc Salihu, Violeta Zefi, Dren Abazi e “ZigZag Orkestra”, Alban Nimani, Shpat Deda, Dukagjin Lipa, Xuxi, Tomor Kuçi, Marsela Cibukaj, Edona Vatoci, Nezafete Shala, Ardian Behrami Cipa dhe Grupi Polifonik për ketë mbrëmje, që u mbajt me moton: “Kur kanga dhe dashnia u kthyen në qytet!”.

Gjatë ditës së mërkurë anëtarët e grupit “Gjurmët” pranuan edhe “Çelësin e qytetit” nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Në një konferencë për medie kryetari Ahmeti prezantoi edhe “Çelësin e Prishtinës” për “Gjurmët”, duke theksuar se nëse ka një bend të qytetit që përfaqëson Prishtinën në Kosovë dhe mbarë kombin shqiptar, pa dyshim që është bendi “Gjurmët”. “Prandaj gëzohem se kjo po ndodh në kohën kur unë jam kryetar, edhe që po e prezantoj ‘Çelësin e Prishtinës’, që po organizohet koncerti i rikthimit të ‘Gjurmëve’ në skenën e Prishtinës”, tha Ahmeti. Duke dorëzuar çelësin e qytetit për “Gjurmët” Ahmeti ka theksuar se ndihet i nderuar që arrin që çelësin e qytetit t’ia dorëzojë, siç ka thënë ai, bendit të qyteti pa lumë, një bend i njohur për kultivimin e muzikës së tij qoftë edhe këtyre viteve. “Nëse ka ndonjë bend që ka bërë më shumë për Prishtinën ose edhe më gjerë, ky është bendi ‘Gjurmët’. Ky çelës u jepet vetëm atyre njerëzve, simbol të qytetit, që e kanë vendosur Prishtinën jo vetëm në hartën kombëtare. Ky grup e ka përcjellë më së miri tregimin e Prishtinës”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër Migjen Kelmendi, solist i grupit “Gjurmët”, ka pohuar se nuk është menduar kthimi i “Gjurmëve” në skenë pa një koncert në Prishtinë. “Vërtet shkuam në Tiranë sepse ishin do rrethana të tilla dhe menduam se shumë shpejt do të vijmë në Prishtinë, kjo po bëhet në një datë të madhe. Sot do të keni një rok-koncert që përfaqëson frymën që ne e kemi kultivuar në vitet e ’80-ta, me këngë që ne i kemi kënduar”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se koncertit nuk do t’i mungojnë edhe surprizat.

Në këtë paraqitje publike nuk u la pa u përmendur as fakti se Prishtinës vazhdon t’i mungojë një sallë koncertale. Të dy, edhe Ahmeti dhe Kelmendi, potencuan faktin se Prishtina nuk ka një sallë të madhe, adekuate, për koncerte të tilla dhe u shprehën se shpresojnë që ky problem do të zgjidhet së shpejti.

Në anën tjetër, të gjitha të hollat e mbledhura nga shitja e biletave të koncertit i dedikohen shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.

Rikujtojmë se historia e grupit në përbërje të Migjen Kelmendit, Tomorr Kurshumliut, Bekim Dylës, Armando Gjinit dhe Petrit Rizës është e dokumentuar edhe në librin “GjurmëtLP”, të botuar menjëherë pas luftës në Kosovë, që u ribotua edhe në vitin 2017. Brenda librit lexuesi mund të njoftohet më shumë me mënyrën se si u dashurua atë kohë publiku me stilin e veshjes, me koncertet e grupit ‘Gjurmët’ dhe ndikimin e tyre në kulturën e nënkulturat e asaj kohe. Lumi i Prishtinës ku mbeti? Ku janë serbët dhe shqiptarët që kanë jetuar bashkë? Josip Broz Titoja, si u pa shembja e Jugosllavisë së krijuar nga ai në skenën e rock’n’rollit? Pyetje si këto dhe të tjera janë brenda shkrimeve në këtë libër.