Kume: Çmimi me emrin e Kadaresë më bën nder

Kume: Çmimi me emrin e Kadaresë më bën nder

Kultura qershor 12, 2019 - 09:54
Lexo më shumë detaje
Image

Aplikimi këmbëngulës për herë të dytë i shkrimtarit Loer Kume ia solli suksesin duke u shpallur fitues të çmimit “Kadare” për vitin 2019 në jubileun e pestë të këtij organizimi. Në një intervistë për gazetën “Zëri”, shkrimtari durrsak Loer Kume, që njëherësh ushtron edhe profesionin si mjek stomatolog, thotë se çmimi letrar “Kadare” për të është një kalë i bardhë beteje. Sipas tij, kjo përzgjedhje ishte e frymës liberale duke u thyer tabutë që çmimet të jepen në bazë të njohjeve, interesave. Për gazetën “Zëri” Kume shprehet se revolta e tij është t’i mbetet besnik vetes, mënyrës së tij të shkrimit dhe të mos u nënshtrohet në asnjë mënyrë kërkesave të kohës, të modës, të influencave dhe të letërsisë “fast fond”, siç e quan ai.

Pse gjithë kjo habi për fitimin e çmimit të parë? Nuk u besoni jurive?

Ka një përshtypje, jo vetëm e imja, por e lexuar dhe në publik që çmimet jepen në bazë të njohjeve, të interesave, qoftë dhe me mekanizmin e thjeshtë të të qenit afër dhe i pranishëm me personat nëpër juri. Duke u nisur nga kjo e nga emrat që kanë fituar zakonisht çmime, është krijuar përshtypja e qarqeve të mbyllura ku njëra dorë lan tjetrën dhe ku në shumicën e rasteve autorët janë të paracaktuar nga rrethanat me shumë se nga vepra. Madje shpeshherë veprat konkurruese nuk lexohen fare. Anashkalohen. Ndaj për mua personalisht përzgjedhja në finale ishte si të thyhej kjo tabu e të hidhej vëmendja ndaj autorëve jashtë skemave e njohjeve. Meritë e jurisë së çmimit “Kadare 2019” kjo dhe e frymës së saj liberale, të cilën e falënderoj.

Ç'thotë ky çmim dhe emri i Kadaresë për ju dhe për veprën tuaj?

Kadare theu tabutë e kohës, çoi letërsinë shqipe përpara në formë, stil, fjalor e narracion dhe sot është ai emër i madh e i nderuar botërisht për të cilin nuk ka nevojë për komente të tepërta. Ndaj të vlerësohem me çmimin që mban emrin e tij është nder për veprën time, duke e quajtur atë novatore dhe aventurore drejt formave e temave të reja. Është dhe përgjegjësi e madhe, sepse ndiej peshën e tërë autorëve të fortë që ishin në garë me mua. Shto dhe faktin që ky është nga të rrallët çmime letrare që jepen në sferën shqipe për prozën e pabotuar ende. Është nder.

Jeni shprehur se këmbëngulja juaj për herë të dytë solli rezultat fillestar te çmimi. A ia vlen për një autor që gjithmonë të presë derisa t'i vlerësohen veprat ose vlerësimi më i madh për ju është vetë lexuesi?

Një autor e bën lexuesi i tij. Janë ata që bëjnë vlerësimin, e ngrenë kështjellën e një korpusi letrar. Qëllimi i çdo vepre është lexuesi dhe vetëm ai. Por midis një shkrimtari dhe lexuesit të tij ka mure që duhen shembur. E një çmim si çmimi “Kadare” hedh dritë e sjell vëmendjen e më shumë lexuesve. Jetojmë në kohë ekstremisht të ngarkuara ndaj duhet një lloj përzgjedhjeje e materialeve që shkojnë drejt lexuesve. Çmimi letrar “Kadare” për mua është një kalë i bardhë beteje.

Cila është revolta juaj në një kohë kur edhe letërsia është kthyer në konsum, në komercializëm?

Revolta ime është shumë elementare. Ti mbetem besnik vetes, mënyrës sime të shkrimit dhe të mos u nënshtrohem në asnjë mënyrë kërkesave të kohës, të modës, të influencave dhe të letërsisë “fast fond”. Puna për të mbajtur gjallë këtë revoltë pastaj është shumë e vështirë, sepse duhet mbajtur në sy gjithmonë dhe vetëm e vërteta. Vetëm me të marrin kuptim rreshtat dhe vepra.

Në një intervistë keni thënë se shkrimtarët shqiptarë shkruajnë si skllevër në gjendje lirie. Mendoni se është pak e ashpër kjo që keni thënë apo ky është realiteti në të cilin ndodhet letërsia shqipe e sotme?

Marquez thotë në një interviste të tijen, që edhe pse është bukur që shkrimtari të endet nga një gjendje në tjetrën, të jetojë në gjendje pasigurie, të punojë në punë të ndryshme, të njohë realitete të ndryshme, vjen një moment që gjendja e tejzgjatur e pasigurisë dëmton krijimin. Ndaj shkrimtari duhet ta njohë jetën në tërë dimensionet, por jo të vuajë për kushtet elementare të jetesës. Te ne, në gjendjen e lirisë totale për të bërë ç’të duash shkrimtari është njeri pasionues e artist, i jepet artit me mish e me shpirt, por vjen ai momenti kur ai kërkon siguri për jetën, që të shkruajë i qetë e në ditët e sotme pakkush mund ta arrijë vetë këtë siguri. Si pasojë, detyrohet të denatyrohet në gjërat që shkruan, prej vramendjeve, prej dëshirës për t’ia dalë, humbet gjurmën e së vërtetës brenda, e kthehet në rrogëtar dëshirash. Ky është momenti kur një shkrimtar kthehet në skllav. Nuk jam unë i ashpër. Është jeta. Duhet kapur për brirësh.

"LUX", “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale - A Dangerous Method”, "Histori e shkurtër e rrëmujës" janë disa nga veprat tuaja. E konsideroni veten si guximtar, pasi temat që keni prekur janë të guximshme kur flitet për lexuesin shqiptar si referencë ndaj okultizmit, kultit të Luciferit, pornografisë, nekrofilisë, aparatit shtypës të shtetit?

Këto janë vetëm disa nga temat që mund të gjejë lexuesi brenda përmbledhjes me tregime “LUX” të 2011-s. Letërsia ime u zgjerua edhe më me “Histori e shkurtër e Rrëmujës”, 2017, dhe besoj edhe me “Amygdala Mandala”, fituese e çmimit “Kadare”.

Unë nuk e quaj veten guximtar, sepse unë bëj atë që dua më shumë, shkruaj letërsi e kjo është kënaqësi. Temat nuk i zgjedh unë me logjike e llogari, por më vijnë si impulse të pastra krijuese. Unë nuk besoj te arti i bërë qëllimisht si provokim, së paku në letërsi, fushë e cila nuk luan thjesht me imazhin, por shkon thellë shtresë pas shtrese. Provokimi në letërsi duket të ndodhë natyrshëm, përndryshe është sforcim trudjegës. Dhe lexuesit kurrë nuk mund t’ia hedhësh. Lexuesi është organizmi i mençurisë kolektive.