“FemArt” nis edicionin e 7-të

“FemArt” nis edicionin e 7-të

Kultura qershor 11, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje

Festivali “FemArt” ka nisur rrugëtimin e tij shtatëditor për herën e shtatë. Festivali, i cili nisi mbrëmjen e së hënës në Prishtinë e organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – “Artpolis”, sivjet shënon edicionin e shtatë.

“FemArt” – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste sivjet në Prishtinë mbahet gjatë datave 10-16 qershor 2019. Motoja e festivalit këtë vit është “Me liri kundër marres”, duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendimmarrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

Hoteli “Grand” ishte vendtakimi i parë i festivalit “FemArt” sivjet ku u bë pritja e mysafirëve për të vazhduar në po të njëjtën lokacion me ekspozitën “Bëhu fytyra ime”, nga artistja Eliza Hoxha, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018 dhe më pastaj me performancën “Pas asaj...” me artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci. Pas performancës në teatrin “Oda” u mbajt një koncert të mrekullueshëm me artisten Lucibela nga Afrika, që solli një performancë të jashtëzakonshme “Në nder të Cesaria Evora”-s.