Libri i javës - '451 Farenhajt' nga Ray Brandbury

Libri i javës - '451 Farenhajt' nga Ray Brandbury

Kultura qershor 10, 2019 - 13:44

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “451 Farenhajt” nga Ray Brandbury.

Librin e botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” e ka përkthyer Piro Misha. Libri “451 Farenhajt” nga Ray Brandbury vjen për herë të parë në gjuhën shqipe si botim i plotë. “451 Farenhajt” është tashmë një klasik i letërsisë botërore, në të cilin ngjarja zhvillohet në një të ardhme distopike. Sot mesazhi që përçon kjo vepër ka fituar rëndësi më shumë se kurrë më parë. Ky roman u botua së pari herë në vitin 1953 dhe konsiderohet si njëra nga veprat më të mira të autorit.

Libri flet për personazhin Gaj Montag, që është zjarrvënës. Puna e tij është të shkatërrojë mallin më të jashtëligjshëm dhe librat e shtypur, bashkë me shtëpitë në të cilat fshihen. Montagu kurrë nuk vë në pikëpyetje dëmin që veprimet e tij krijojnë, duke jetuar çdo ditë qetas me gruan e tij Mildredin, e cila kalon gjithë ditën në “televizionin” e familjes. Por kur takon një fqinje të re dhe të çuditshme, Klarisën, e cila i tregon për të kaluarën, kur njerëzit nuk kanë jetuar me frikë dhe për të tashmen, kur njeri mund ta shohë botën përmes ideve të dhëna në libra në vend të broçkullave televizive, Montagu fillon të vërë gjithçka në pikëpyetje. Titullin kjo vepër e ka marrë nga temperatura 451 farenhajt, në të cilën letra merr flakë dhe digjet.

Vetë autori, duke folur për këtë libër, në intervista të ndryshme ka thënë se ka dashur të reflektojë mbi faktin se djegia e librave në periudha të ndryshme të historisë njerëzore ka qenë shtypje e ideve për ndryshim. Rreth mënyrës se si i trajton librat në veprën e tij, Brandbury ka thënë se e ka bërë edhe për të treguar se si mediet ndikojnë në interesimin e njerëzve për të lexuar letërsi.

Kritika e ka cilësuar librin “451 Farenhajt” nga Ray Brandbury si të jashtëzakonshëm, mbresëlënës e të mbrehtë. Libri është quajtur edhe si alarmues dhe libër që ndryshon jetën. Librin “451 Farenhajt” mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” dhe kushton 7 euro. Zëri