Hapet konkursi fotografik “Colours of Albania”

Hapet konkursi fotografik “Colours of Albania”

Kultura May 27, 2019 - 10:48
Lexo më shumë detaje

 

Nën kujdesin e veçantë të ministrit në detyrë Gent Cakajt, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti për çeljen e edicionit të pestë të konkursit fotografik “Colours of Albania”.

Kjo nismë synon të përfshijë vendas e të huaj në një fushatë promovimi të bukurive dhe ngjyrave të Shqipërisë në rrjetet sociale, duke i bërë jehonë larmishmërisë së jetës urbane, stilit të jetës dhe trashëgimisë kulturore në vend. Me anë të fotografive që përdoruesit e rrjeteve sociale vendosin të postojnë duke përdorur hashtag-un #coloursofalbania2019, sigurojnë menjëherë përfshirjen në këtë konkurs duke u kthyer në “diplomatë digjitalë” për përcjelljen e ngjyrave të Shqipërisë në botë.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, vuri në pah trashëgiminë pesëvjeçare të kësaj nisme, me një ndërveprim të shumëfishuar në rrjete dhe një ndikim të jashtëzakonshëm sidomos te të rinjtë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në fjalën e saj, u ndal në rëndësinë e nismës, në funksion të promovimit të vlerave dhe bukurive të vendit, si dhe të mundësive që ofron teknologjia në rritjen e kapaciteteve për të komunikuar dhe për të ndarë me të tjerët.

Në këtë aktivitet morën pjesë trupi diplomatik në Tiranë, të rinj e të reja të pasionuar pas fotografisë, institucione të ndryshme, si dhe operatorë turistikë. Konkursi “Colours of Albania” do të mbetet i hapur deri në fund të shtatorit, ku më pas juria do të bëjë përzgjedhjen e 50 fotove më të mira dhe të 5 fotove fituese, të cilat do të ekspozohen në disa kryeqytete të botës.