“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron vëllavrasjet e pasluftës

“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron vëllavrasjet e pasluftës

Kultura May 25, 2019 - 08:28
Lexo tjera detaje
Image

Këtë të hënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës jepet premiera e shfaqjes “Sfinga e gjallë”. Shfaqje kjo e bazuar në tekstin e Rexhep Qosjës me të njëjtin titull, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Rrustemi-Neziraj. E shkruar në vitet e ’70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike “misterioze” të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë, shrkuan Gazeta "Zëri".

Në një intervistë për gazetën “Zëri” regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj shpalos detaje nga ky projekt. Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqiten Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati dhe Dukagjin Podrimaj. Ekipi realizues shfaqjen ua dedikon atyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma edhe sot vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Zëri: Së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar vjen shfaqja “Sfinga e gjallë”, regjinë e së cilës e keni bërë ju. Çka e karakterizon këtë shfaqje?

Të hënën, më 27 maj, me fillim nga ora 21:00, planifikojmë të jemi gati për premierën e shfaqjes “Sfinga e gjallë” nga Rexhep Qosja, e cila është fuzionuar me shkrime e citate të vetë autorit, si dhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. Publikut do t’i shërbehet një dramë e fuqishme, ashtu siç edhe erdhi pranë tyre në vitet e ’70- ta, por kësaj radhe ata do të mundë të përballen me rikujtimin e vrasjeve politike të disa intelektualëve menjëherë pas luftës, vrasje të cilat nuk u zbardhën kurrë. Pra, thënë më mirë, kjo shfaqje u dedikohet të vrarëve, familjarëve të tyre, si dhe njerëzve të cilët nuk pushuan kurrë me zërin e tyre në zbardhjen e vrasjeve.

Zëri: Pse është zgjedhur pikërisht teksti “Sfinga e gjallë”?

Teksti është përzgjedhur nga vetë Teatri, më është propozuar si pjesë e repertorit të planifikuar për vitin 2019 dhe pas shumë diskutimesh kemi arritur që të dakordohemi për ta riaktualizuar dramën për publikun e tanishëm të teatrit. Drama e Qosjes “Sfinga e gjallë” është jashtëzakonisht e fuqishme dhe goditëse me fjalët që autori ua ka mveshur personazheve, që gjithnjë janë në shërbim të idesë. Ka qenë mjaft sfiduese për mua dhe ekipin adaptimi i këtij teksti, meqë me shumë xhelozi na është dashur të heqim dorë nga shumë pjesë të kësaj drame.

Zëri: Teksti flet për vëllavrasjet dhe vrasjet politike në Kosovën e pasluftës. Edhe këtë shfaqje ua dedikoni këtyre viktimave. Çka ju ka shtyrë të trajtoni përmesartit teatral këtë temë në këtë kohë?

Kjo është shfaqja ime e parë që u dedikohet vrasjeve politike të pasluftës. Siç edhe e thashë më herët, kjo dramë më është ofruar dhe duke e marrë parasysh fuqinë e saj si tekst, nuk kam hezituar që ta inskenoj në këtë mënyrë. Thirrje për drejtësi kam pasur dhe do të kem në çdo shfaqje teatrale që inskenoj, meqë konsideroj që të bësh teatër politik në një vend ku nuk ka stabilitet politik mund të ndihmosh në krijimin e një tereni të ri për debat mbi çështje të cilat janë të tabuizuara. Gjithnjë duke pasur parasysh idenë që të mos heshtim para padrejtësive dhe t’u japim zë atyre që janë në nevojë.

Zëri: Sa është e vështirë ta vësh në skenë një tekst të Rexhep Qosjës?

Çdo tekst që e vëmë në skenë ka nevojë për trajtimin e duhur dhe mundësisht bartjen në aktualitet, me qëllim që të komunikojë me publikun. Tekstet e Qosjës janë mjaft të fuqishme dhe goditëse, prandaj duhet që në mënyrë shumë të kujdesshme të lexohen për skenë dhe ju mund të pyesni, ndoshta, se a e kam arritur ketë gjë… shpresoj që po.

Zëri: Në kastën e kësaj shfaqjeje shohim emra me përvojë në skenë. Sa ka qenë e vështirë t’i përzgjidhni këta aktorë?

Aktorët janë të jashtëzakonshëm, pa përjashtime. Ata me imagjinatën dhe me punën e tyre më ndihmuan në bartjen e këtij materiali në skenë. Me pjesën dërrmuese të tyre kemi bashkëpunuar edhe më herët, ndërsa me pjesën tjetër të ekipit njiheshim profesionalisht. Vështirësia e vetme kësaj radhe ishte të gjenim kohën adekuate që të punonim së bashku, për shkak të impenjimeve të shumta që disa prej tyre i kanë jashtë punës në teatër.

Image