Heshtet kërkesa për financimin e “Dodonës”

Heshtet kërkesa për financimin e “Dodonës”

Kultura May 24, 2019 - 09:52
Lexo më shumë detaje
Image

Marsin e vitit të kaluar kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti i pati bërë kërkesë Ministrisë së Financave që të lejojë financimin e trupës rezidente të teatrit të qytetit “Dodona”. Sipas kërkesës së dërguar më 13 mars 2018 në adresë të ministrit Bedri Hamza, kërkohet që të mundësohet pagesa për 20 aktorë për teatrin “Dodona”. Ai pati thënë se kryeqyteti duhet ta ketë teatrin funksional. “Teatri i Qytetit duhet ta ketë trupën rezidente në përputhje me ligjin. Më 13 mars kemi dërguar kërkesën në Ministrinë e Financave që të na lejohet financimi i trupës rezidente sipas kërkesës së aktorëve të Prishtinës. Kryeqyteti duhet ta ketë teatrin funksional”, ka thënë Ahmeti, teksa ka bashkëngjitur edhe letrën që ia ka dërguar ministrit Hamza, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ka kaluar më tepër se një vit e kësaj kërkese dhe duket se i është heshtur zëri nga institucionet përkatëse. Të paktën kështu thotë edhe drejtori i teatrit në fjalë.

I kontaktuar për të parë se çfarë ka ndodhur me këtë kërkesë dhe a ka pasur mundësi Ministria e Financave ta përkrahë këtë iniciativë, Visar Krusha, i pari i “Dodonës”, thotë se nuk ka informata për përgjigjet ndaj kësaj kërkese, pasi e ka marrë detyrën si drejtor diku në tetor të vitit 2018. “Sidoqoftë, tash së voni Komuna e Prishtinës, ashtu si edhe komunat tjera që kanë teatro të qyteteve kanë bërë kërkesë në lidhje me këtë çështje në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Komisioni për Grante Komunale në Ministrinë e Financave”, tha Krusha për gazetën “Zëri”.

Krusha thotë se kërkesa ka të bëjë me krijimin e nënkodit buxhetor për teatrot e qyteteve, si dhe mbi përcaktimin e buxhetit për prodhimin e shfaqjeve teatrore dhe për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve tjera të Teatrit, një iniciativë kjo e ndërmarrë nga Asociacioni i Teatrove të Qyteteve, ku anëtare është edhe “Dodona”. Kjo ka ardhur pas miratimit të koncept-dokumentit për funksionalizimin e teatrove nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Se sa është e rëndësishme që të miratohet kjo kërkesë dhe cilat janë problemet financiare me të cilat ndeshet ky Teatër, Krusha thotë se miratimi i një kërkese si kjo i mundëson “Dodonës” një strukturë të qëndrueshme. “Koncept-dokumenti ka për qëllim rregullimin e statusit juridiko-financiar të teatrove të qyteteve dhe ndarjen e përgjegjësive e të obligimeve ndaj tyre. Është fjala për një buxhet që do të financohet nga komunat me rreth 230,000 euro për teatër, duke përfshirë buxhetin për së paku 22 punonjës, prodhimin e shfaqjeve dhe shërbime tjera. Pritet që ky vendim i Ministrisë së Financave të zbatohet në buxhetin e vitit 2020, gjë që do ta krijojë një strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e teatrove dhe për neve si Dodonë do ta mundësojë edhe rritjen e numrit të aktorëve rezidentë nga 4 sa janë aktualisht në më së paku 10 dhe do ta bëjë të mundur edhe angazhimin e aktorëve si bashkëpunëtorë”, vlerëson drejtori i teatrit të qytetit.

Duke pasur njohuri se “Dodona” është një teatër aktiv në qytetin e Prishtinës, Krusha ka njoftuar se ku qëndrojnë edhe nga ana e aspektit të stafit profesional. Ai ka njoftuar se TQP “Dodona” është institucion kulturor vartës i Komunës së Prishtinës dhe Komuna i financon pagat e 17 punonjësve, mirëmbajtjen e objektit, duke i përfshirë këtu edhe renovimet dhe shërbime tjera për mbarëvajtjen e aktiviteteve, ndërsa sa u përket shfaqjeve Komuna i mbështet ato përmes thirrjes për subvencione për projekte kulturore të Komunës së Prishtinës, që do të thotë se “Dodona” nuk ka buxhet të caktuar vjetor për prodhimin e shfaqjeve. Krusha thotë se krijimi i nënkodit dhe përcaktimi i buxhetit për teatrot do ta bëjë të mundur planifikimin vjetor të prodhimit të shfaqjeve. “‘Dodona ka repertor të rregullt në skenën ‘Teatri për Fëmijë’ dhe gjatë vitit jepen rreth 100 shfaqje-repriza me kukulla për fëmijë. Në ‘Skenën e Mbrëmjes’, gjatë vitit të kaluar janë dhënë rreth 24 shfaqje-repriza e pritet që këtë vit ky numër të rritet e po ashtu edhe numri i premierave edhe në skenën ‘Teatri për Fëmijë dhe në ‘Skenën e Mbrëmjes’”, thekson ai. 

Edhe aktorja Xhejlane Tërbunja, që për shumë vite është ngjitur në skenën e teatrit “Dodona” me shfaqje të ndryshme, thotë për gazetën “Zëri” se realizimi i premtimit për kompletimin e një trupe rezidente për këtë teatër po bëhet shumë ngadalë. “Premtimi është bërë. Kemi pasur edhe disa bisedime e vazhdon të flitet dhe të bisedohet, mirëpo për realizimin e këtij premtimi po ecin shumë ngadalë. Momentalisht ka vetëm premtime edhe asnjë zhvillim”, thotë Tërbunja.

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Financave për kërkesën që kryetari i Prishtinës i ka nisur kësaj Ministrie, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur gjatë ditës se enjte. Zëri