Fundi i përkryer i serisë më të mirë televizive

Fundi i përkryer i serisë më të mirë televizive

Kultura May 22, 2019 - 10:08
Lexo më shumë detaje

 

Luan Morina

(Recension për episodin e fundit të serisë ‘Game Of Thrones’)

Mos i lëshoni sytë kah fundi, sepse fundi i gjithçkaje është vdekja! Përqendrohuni në rrugëtimin deri te fundi dhe shijoni momentet që na ofrohen. Kur jemi te fundi, si i rreshtuar pas Daenerysit, sigurisht që nuk më pëlqeu. Së paku prita një moment të fundit ku do t’i hapte sytë diku larg në shkretëtirë. Por ishte vetëm një mekanizëm për mospranimin e fundit të këtij rrugëtimi. Episodi final, si krejt sezoni i fundit, dukej dhe ishte i përshpejtuar. Skenaristët kanë provuar të japin disa skena më kryesore, të përziera, por vetë skenat të mos jenë shumë të shkurtra. Në fjalën e popullit ‘Pak e të mira’! Edhe në këto skena provuan të japin edhe skena komike, skena me tension dhe epilogun. Epilogu i serisë qe fenomenal. E mira është që secili mund të nxjerrë kuptime të ndryshme nga seria dhe të shumta. Secili karakter e ngjarje ka në vete diçka qoftë edhe minimale që lidhet me zhvillimin e tërë jetës në Westeros dhe më gjerë. Për të analizuar këtë duhet më shumë libra se seria e ASOIAF!

Të gjithë e patën një mision për të kryer, një rol për të luajtur, për të mirën e përgjithshme. Dhe asnjëri nuk mundi t’i ikte fatit, përcaktimit që e kishin në tregim. Danny u çmend në sytë e tjerëve, Jon bëri gjithçka në ndërrimin e rendit dhe u kthye aty ku ishte caktuar në fillim. Arya mbeti ajo e pafytyra në mbajtjen e rendit të hirtë. Tyrioni, më i dobëti i një familjeje mbretërore, mbeti i vetmi dhe më i larti. Greyworm u kthye tek ëndrra e mbetur përgjysmë. Sansa pas gjithë torturave të mbretërve u bë mbretëreshë. Bronni e mori kështjellën e më shumë. Të tjerët ranë rrugës, disa në mënyrat më të tmerrshme. Krejt tregimi, shumica e karaktereve (nëse i lidhim karakteret me mësuesit/mentorët e tyre, atëherë të gjitha) u kthyen në pikën zero nëpër krejt këtë rrugëtim. Nëpër këto sezone luftuan, mashtruan, dhunuan, hakmorën, u bashkuan, u ndanë, tradhtuan dhe në fund u kthyen aty ku ishin, shumica në dhe. Sikur ajo thënia kineze nëse s’gaboj: “Në fund të lojës së shahut edhe mbreti, edhe pioni shkojnë në të njëjtën kuti”. Veçse më nuk ka fron të shpatave. Fron të cilin e shkriu një dragua. Një dragua doli më i arsyeshëm se të gjithë njerëzit. Një ujk u bashkua me të zotin. Dy momentet më të mira të këtij episodi ndoshta. Mund të kërkojmë kuptime e t’i komentojmë si na pëlqejnë neve. Dikujt edhe nuk i pëlqen. Paçin fat!

Ky episod ofroi edhe atë fotografinë që na ka lënë pa frymë gjatë krejt këtyre sezoneve. Regji fantastike, skenar i mrekullueshëm, aktrim fenomenal. “Game Of Thrones” është ndër seritë më të kompletuara që shkëlqen në çdo dimension të një produkti vizual. Është seria që ndryshoi televizionin. Që nga 19 prilli 2011 deri në episodin e fundit 20 maj 2019 ka qenë një epokë e konsiderueshme e jetëve tona. Nëse jetojmë tetëdhjetë vjet, këto tetë vjet do ta kujtojmë si atë 10% e jetës kushtuar “Game Of Thrones”. Tetë vjet që i kaluam duke shikuar, duke i komentuar, duke i pritur episodet e sezonet dhe duke shkruar.