Masakra e Dubravës në penën e Enver Dugollit

Masakra e Dubravës në penën e Enver Dugollit

Kultura May 21, 2019 - 10:10
Lexo më shumë detaje
Image

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ditën e hënë ka hapur dyert për ta përuruar librin “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, i autorit Enver Dugolli.

Gërshetimet e kujtimeve, dëshmitë autentike të një ish të burgosuri dhe të mbijetuari të ngjarjes që konsiderohet si më makabre që njeh historia e re e Kosovës, si dhe masakrën në Burgun e Dubravës gjatë kohës së intervenimit të NATO-s në Kosovë i përmbledh libri i Dugollit.

Në mesin e të pranishmëve për t’i evokuar kujtimet dhe për të vlerësuar librin ka folur edhe ish i burgosuri politik Hydajet Hyseni. Ai ka vlerësuar si monument dhe sipas tij ky libër dëshmon kohën e vuajtjeve e të humbjeve të jetës në luftën e fundit të Kosovës. “Enveri solli librin e pranverës së përgjakur të vitit 1999 në Dubravë, ngase Enveri ishte dëshmitar i gjallë dhe tipik. Libri sjell kujtime që tregojnë pranverën e përgjakur të viteve ’99-a. atëherë kur një popull hidhej jashtë kufijsh e disa po vriteshin brenda. Enveri ishte dëshmitar i ri i brezit. Enveri është dëshmitar i gjallë dhe tipik i masakrës. Nuk dihet momentalisht nëse do të ndërtohet monument për të vrarët në Dubravë”, ka pohuar Hyseni, i cili tutje tha se është monument kushtuar mijëra të vrarëve, është edhe aktakuzë dhe zë proteste ndaj cinizmit e politikave vendore dhe ndërkombëtare që vazhdojnë të heshtin kundrejt krimeve edhe sot.

Siç u vlerësua, libri ka kthyer kujtesën në vitet e rënda që përcollën këta të burgosur jo vetëm në Burgun e Dubravës, por edhe në burgje të tjera serbe. E në kohë e ka kthyer edhe Adem Gashin, shkrimtarin dhe ish të burgosurin politik i cili theksoi se libri “Qarku i (pa)mbyllur burgjesh” ia kujton vitin 1981 kur ishte i burgosur politik në Burgun e Dubravës. Ai tha se libri është dëshmi e tragjedive tepër të rralla. “Dugolli është autori, dëshmitari, vuajtësi i tragjedive tepër të rralla. Nuk më ka rënë të lexoj diçka më të saktë”, tha ai.

Mësohet se libri përshkruan në detaje vrasjet dhe torturat më çnjerëzore që janë bërë gjatë fundshekullit XX e që mbajnë emrin dhe vulën e krimeve serbe.

Redaktori i librit, Elvis Hoxha, po ashtu ka mbështetur përpjekjen e autori për ta thënë dëshminë, që sipas tij ka munguar deri më tash. Ai thekson se fjala dëshmi është shumë e fortë dhe shumë e ftohtë. Por vlerëson se ky është libër i parë dëshmi duke iu referuar vazhdimisht si tragjedi i asaj se çfarë ndodhi në Burgun e Dubravës. “Rasti i librit të Enver Dugollit është dhuratë. E lexova librin dhe e shoh një përpjekje të Enver Dugollit që ta thotë dëshminë. Ne kemi pasur kaq shumë vuajtje sa s’kemi mundur as të dëshmojmë. Ne duhet të fillojmë të ndajmë dëshmorin nga dëshmitari. Ne nuk kemi profesorë, ne nuk kemi institucione, nuk kemi doktorë shkence, s’kemi akademi shkencore, këtë kur ta mësojmë bëhemi heronj. Prandaj unë këtë libër e quaj libri i parë dëshmi”, tha Hoxha.

Image

Autori i librit, Enver Dugolli u shpreh se duhet të ketë shumë libra të tjerë që tregojnë krimet, të cilat i ka bërë Serbia ndaj shtetit të Kosovës. Ai thekson se krimet që kanë ndodhur kanë vetëm një emër dhe vulën e Serbisë. “Shpreh falënderim për të gjithë pjesëmarrësit, për të gjitha nënat që kanë bërë për ne. Ishte kohë pa kohë, ishte kohë kur baballarët, vëllezërit, dajallarët s’kishin mundësi të vinin, sepse ishin të përndjekur. Ishin nënat ato që merrnin atë rrugë të gjatë. Janë me mijëra libra që do të duhej të ishin, sepse të gjithë kanë nga një tregim. Krimi që ka ndodhur ka emër, ka mbiemër, ka vulën e Serbisë fashiste, kjo duhet të potencohet gjithkund dhe gjithandej”, tha Dugolli.

Ai ka theksuar se libri vjen në kohën e njëzetvjetorit të kësaj masakre.

Rikujtojmë se Enver Dugolli ka qenë mbi 10 vjet i burgosur politik, shtatë vjet pjesë e TMK-së, 10 vjet në FSK si kolonel, prej këtyre të fundit gati katër vjet si atashe ushtarak në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Image