Të drejtat për përdorimin e gjuhëve, në librin e Poshkës

Të drejtat për përdorimin e gjuhëve, në librin e Poshkës

Kultura May 17, 2019 - 11:25
Lexo më shumë detaje

 

Në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup është përuruar libri “Issues” i autorit Agim Poshka. Siç u vlerësua, autori në libër ka ngritur disa çështje të cilat janë edhe aktuale në vendin tonë, më konkretisht të drejtat për përdorimin e gjuhëve, të cilat i ka shtjelluar nëpërmjet studimeve të kryera në rajon për çështjen e njëjtë. Gjatë përurimit Poshka tha se në vend mungojnë debatet akademike. “Një kapitull nga libri është një studim i përbashkët që e kemi bërë me profesoreshën Emilija Komfronti, një arbëreshe që jeton në Itali, në zonën e Kozencës dhe zhvillimet janë evidente atje në lidhje me të drejtat gjuhësore të pakicave, janë shumë më të avancuara në krahasim nga ajo që ne po kërkojmë sot. Që në vitin 2004-2005, kur kam qenë unë herën e parë atje, pa asnjë shqetësim të gjitha rrugët ishin italisht dhe shqip”, u shpreh autori Agim Poshka. “Në libër ka një komparacion të disa aspekteve të edukimit gjuhësor, konkretisht pjesëtarëve të gjuhëve të tjera, të cilat nuk janë shumicë në një shtet të caktuar. Është kryer krahasimi i praktikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Rezultatet e këtyre dy krahasimeve janë të rëndësishme dhe instruktive, sepse piketojnë problemet parciale brenda Maqedonisë”, tha Ferid Muhiç, recensent.