Kosova hap pavijonin e saj në Venecia

Kosova hap pavijonin e saj në Venecia

Kultura maj 12, 2019 - 10:34
Lexo më shumë detaje

 

Republika e Kosovës po merr pjesë për herë të katërt në ekspozitën e 58-të ndërkombëtare të artit – “La Biennale di Venezia”, ku përfaqësohet nga artisti Alban Muja.

Alban Muja ka treguar se projekti që ai prezanton është multimedial. Ai ka marrë 3 imazhe gazetareske të bëra para 20 vjetëve të fëmijëve që janë fotografuar nga mediet e njohura në atë kohë si refugjatë (ose nëpër kampe, ose në ikje prej luftës) dhe ka bërë tri video me ata fëmijë 20 vjet pas. “Ideja ka qenë të sjellim një projekt human përmes këtyre imazheve që përkujtojnë jo vetëm çka ka ndodhur në Kosovë, kur më shumë se 1 milion njerëz u shndërruan në refugjatë më 1999-n, por edhe të përkujtojmë sfidën me të cilën ballafaqohen refugjatët e sotëm. Këta personazhe janë fëmijë që në atë kohë kanë qenë 6 muajsh deri në 5-vjeçar”, ka treguar Muja.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kanë marrë pjesë në inaugurimin solemn të pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e 58-të të Venedikut, të përfaqësuar nga artisti Alban Muja.

Me nga një fjalë rasti ministri Gashi dhe kryetari Veseli shprehën përkrahjen e tyre të vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e artit dhe të kulturës kosovare, respektivisht në fuqizimin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut.

Mes shumë emrave eminentë pavijoni i Republikës së Kosovës u nderua me prezencën e presidentit të Bienales së Venedikut, z. Paolo Baratta, në inaugurim.

Me këtë rast z. Baratta e vlerësoi shumë pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut, ku ndër të tjera tha: “Jam shumë i lumtur që shteti më i ri i Evropës është pjesë e Bienales së Venedikut për vite me radhë”.

Para të pranishmëve ministri Gashi u shpreh se ndihet i nderuar që Kosova për herën e 7-të prezantohet para publikut botëror në Bienalen e Venedikut, që njëherësh njihet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në botë. Me bindje të thellë ministri Gashi potencoi faktin se artistët kosovarë janë ndër ambasadorët më të dinjitetshëm të Kosovës nëpër botë, duke shkëlqyer në të gjitha fushat e artit.

Gjithashtu ministri Gashi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në inaugurim, si dhe artistin Alban Muja, komisionaren Arta Agani dhe kuratorin Vincent Honore për punën e tyre të palodhshme në realizimin e suksesshëm të pavijonit.

Gashi tha se artistët do të kenë mbështetje të vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e artit dhe të kulturës kosovare.

Bienalja e Venecias u hap më 11 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. Vitin e kaluar mbi 275 mijë veta e kanë vizituar Bienalen, që nënkupton se po kaq njerëz edhe këtë vit do të kenë mundësinë të eksplorojnë historinë e Kosovës dhe të refugjatëve të saj, të kaluarën e Kosovës duke shikuar edhe nga e tashmja.