Riza Bytyqi i këndon pranverës

Riza Bytyqi i këndon pranverës

Kultura April 26, 2019 - 11:56
Image

Sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës të mërkurën mbrëma e kishin mbushur dashamirët e këngës të Riza Bytyqit. Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota” ka shfaqur koncertin tradicional “T’i këndojmë pranverës”, i cili këtë viti i dedikohej solistit të këtij ansambli Riza Bytyçit, me rastin e pensionimit të solistit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pranverës në TKK i këndoi Bytyqi, duke hapur mbrëmjen me njërën nga këngët më të preferuara të tij, “Topolakës”. Koncertin me këngë e vazhdoi edhe Albulena Misini, e cila së bashku me Bytyqin këndoi këngën “Kur perëndon dielli”. Bashkëpunëtorët e miqtë e solistit Bytyqi nuk munguan as mbrëmë. Violetë Kukaj këndoi këngën “Kur ke qenë njëherë e re”. Ishte paraparë me program që të këndonte dhe Ismet Bogujevci, njëri ndër kolegët më të mirë të Bytyqit, duke kënduar për një kohë të gjatë së bashku, por ai nuk ishte prezent për arsye shëndetësore.

Ardiana Bytyqi, vajza e Rizaut, ka vazhduar rrugët e babait në këndim dhe me zërin e saj ka mahnitur publikun duke kënduar “O këngët e vendit tim”.

Siç u tha, dasma nuk bëhet pa miq, edhe koncerti nuk u bë pa miqtë si Besarta Murtezani, Jetmir Rexhepi, tenori Liridon Sadriu e Granit Musliu. Këngëtarë këta që kënduan në koncert këngët si: “Për mu paska qenë kismet”, “Kumuri e Elbasanit”, “Më shikon buzë në gaz”, “O ka një mot” etj.

Shefqet Gjocaj, drejtor i ansamblit kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, i ftuar që të thotë më tepër se një fjalë për Riza Bytyqin, tha se në një mbrëmje artistike fjalët janë të tepërta. “Unë dua që para jush të shpreh gjithë atë falënderimin tonë që ka pasur ansambli ‘Shota’ ndaj Riza Bytyqit e ne jemi munduar ta shprehim nëpërmes këtij organizimi. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikë përgjithësisht dhe në ansamblin tonë. Zotëri Bytyqi do të jetë prapë me ne edhe pse ka dalë në pension”, tha Gjocaj, i cili në emër të Ansamblit ia dhuroi një mirënjohje për kontributin e dhënë në këtë shoqëri.

Para publikut për të shprehur falënderimin e tij doli edhe Riza Bytyqi, i cili për shumë dekada ka dominuar në tregun muzikor shqiptar me muzikën që ka bërë dhe akoma garniturë e argëtimit konsiderohen të jenë këngët e tija. “Ju falënderoj juve mysafirë që keni ardhur për të na nderuar dhe të na bëni këtë mbrëmje madhështore. Falënderoj stafin e ansamblit ‘Shota’, drejtorin e këtij ansambli, udhëheqësin artistik, po ashtu pjesëmarrësit në program, instrumentistë e solistë, që kanë ardhur nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Tetova dhe gjithandej. Falënderoj anëtarët e ish-shoqërisë kulturore-artistike ‘Ramiz Sadiku’. E në veçanti falënderoj Fahri Beqirin, që kam respekt të posaçëm dhe i dëshiroj shëndet dhe jetë të gjatë”, tha ai para të pranishmëve, duke ftuar profesorin në moshë të shtyrë Beqirin për t’u ngjitur në skenë. “Nuk kam prirje për të folur, por sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm falë gjithë këtyre mbrapa që patëm, pra ansamblin, falë juve publik i mirë dhe falë zërit të Bytyqit. Një koncert shpirti, një koncert me interpretim të lirë, të lumtë edhe ty Rizë, kurrë nuk ke qenë më i mirë. Po më vjen pak inat qysh në atë kohë, para çerek shekulli nuk ke qenë si sonte. Edhe juve të Ansamblit që po takohemi pas një çerek shekulli, ju lumtë për punët që keni bërë me mua e me Rizën”, u shpreh Fahri Beqiri.

Ylber Asllanaj, udhëheqës artistik i “Shotës”, e ka vlerësuar mbrëmjen si fantastike e sipas tij Riza Bytyqi mbrëmë shkëlqeu si çdoherë. “Ka qenë mbrëmje fantastike në sallën e TKK-së ku u mbajt koncerti pranveror i ansamblit ‘Shota’ kushtuar kontributit shumëvjeçar të këngëtarit ikonë të muzikës popullore shqipe Riza Bytyqi. Edhe një herë si gjithmonë publiku i shumtë i dha duartrokitjet e merituara gjithë trupës artistike të ansamblit (orkestrës, korit dhe solistëve), e cila zgjoi emocione të jashtëzakonshme me interpretimin e shkëlqyeshëm e në veçanti Riza Bytyçit, i cili mbrëmë shkëlqeu”, ka vlerësuar Asllanaj.

Ai po ashtu ka thënë se duhet falënderuar edhe të gjithë anëtarët e orkestrës së SHKAA-së “Ramiz Sadiku” të UP-së, solistët e këngëtarët, të cilët u bashkëngjiten që, sipas tij, “Rizës t’i japim ‘duartrokitjen’ e merituar për karrierën e tij të gjatë, të cilën uroj ta vazhdojë edhe shumë vite”.

Edhe “Katriotët” nga Ferizaj, pjesë e të cilëve Bytyqi ka qenë për shumë vite, e kanë nderuar me pjesëmarrje sikurse edhe anëtarët e shoqërisë “Ramiz Sadiku”, të cilët kishin performuar së bashku me Rizën para më shumë se 30 vjetëve, që u ngjitën në skenë për të kënduar si kohë më parë me Bytyqin. Nën dirigjimin e profesorit Fahri Beqiri, interpretimin e ansambleve dhe Riza Bytyqit u interpretua pika e fundit e programit artistik me këngën “Prej Podrimës po vjen haberi”. Rikujtojmë se në nëntorin e vitit të kaluar Ministria e Kulturës Riza Bytyqit ia ka ndarë “Çmimin për Kultivimin dhe Prezantimin e Këngës Shqipe”. Zëri