“Cineplexx”-i, me 5 salla dhe 800 ulëse në Prizren

“Cineplexx”-i, me 5 salla dhe 800 ulëse në Prizren

Kultura April 25, 2019 - 10:06
Lexo më shumë detaje
Image

Kinemaja austriake “Cineplexx” po zgjeron rrjetin e saj në Kosovë. Së shpejti kjo kinema do të hapë një degë edhe në qytetin e Prizrenit. Një “Cineplexx” me 5 salla edhe me 800 ulëse do t’i shtohet qytetit historik. Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie, të mbajtur të mërkurën në ambientet e qendrës tregtare “Galeria”, në Prizren.

Konferenca u hap nga drejtori i kësaj qendre tregtare Gojart Shaqiri, i cili ka prezantuar projektin. Ai po ashtu ka njoftuar se si ide ky projekt ka filluar në mesin e vitit 2017 dhe është konkretizuar si projekt në fund të po këtij viti. Sipas Shaqirit, punimet kanë filluar në vitin 2018 dhe gjatë këtij viti është arritur të finalizohet një punë jashtëzakonisht e madhe në qytetin e Prizrenit. “Kemi konkretizuar marrëveshjen në muajin tetor me ‘Cineplexx’-in dhe janë bashkangjitur edhe shumë brende tjera. Ne jemi shumë krenarë sot që gjendemi këtu për të bërë dorëzimin e hapësirës për ‘Cineplexx’-in në të cilën gjithë qyteti i Prizrenit po ashtu edhe qytetet, të cilat e rrethojnë, do të kenë mundësi të bëhen pjesë e qendrës ‘Galeria’, por edhe pjesë e kinemasë ‘Cineplexx’, kinemasë më profesionale në Evropë, mund ta quaj me një ekip të jashtëzakonshme”, tha Shaqiri, i cili tutje falënderoi të gjithë punëkryerësit që kanë bërë të mundur të arrijnë në këtë ditë. “Dëshiroj të falënderoj gjithë ekipin, i cili vazhdon të jetë pjesë e procesit deri në përfundim. Pritet një shikueshmëri e madhe në ‘Cineplexx’, po ashtu edhe në qendrën ‘Galeria’”, tha para të pranishmëve Shaqiri.

Në anën tjetër Milazim Salihu, drejtor i kinemasë “Cineplexx”, ka thënë se kjo kinema në Prizren do të numërojë rreth 5 salla dhe do t’i ketë 800 ulëse. Kjo sipas tij është paraparë në bazë të numrit të banorëve të regjionit. Ai ka njoftuar se kjo kinema në bazë të standardeve botërore do ta ketë teknologjinë më të re, projektorët laserikë, si dhe të gjitha sallat do të jenë 3D, me zërimin më të ri. “Prizreni do t’i ketë premierat botërore me teknologjinë e re, me projektorët e rinj, me zërimin më të ri. Kjo kinema do t’i konkurrojë të gjitha kinematë në rajon, duke shpresuar edhe me publikun. Prishtina e ka konfirmuar se jemi më të mirët në rajon me shikueshmëri, unë besoj se edhe Prizreni do të na bashkëngjitet. Me një fjalë do të jemi këmba e dytë dhe në Kosovë do të jemi me dy këmbë, me dy qendra me kinema”, tha Salihu.

Ai tutje theksoi se sipas planit të paraparë pritet që këto salla t’i vizitojnë rreth 250 mijë vizitorë dhe sipas tij mendohet se deri në vitin 2020 t’i ketë rreth 500 mijë shikues. “Kjo do të jetë një shifër fitimprurëse edhe për investitorët. Rezultatet me Prishtinën i kanë bindur investitorët për të vazhduar me pikën e dytë, por është paraparë edhe një plan tjetër për pika të tjera. Kosova do të jetë një prej vendeve më të leverdishme për vizitorë. Për hir të qytetarëve kemi vendosur që ‘Cineplexx’-in ta bëjmë edhe në Prizren për faktin se është qytet historik. Dihet se Prizreni është qytet i kinemasë”, vlerësoi Salihu.

Rikujtojmë së në Prishtinë kjo kinema u hap në vitin 2017 dhe ka gjashtë salla.