Zotimi për rregullimin e financimit u jep shpresë teatrove

Zotimi për rregullimin e financimit u jep shpresë teatrove

Kultura April 25, 2019 - 10:04
Lexo më shumë detaje
Image

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Komisioni i Granteve i Republikës së Kosovës në Ministrinë e Financave në mbledhjen e fundit ka miratuar kërkesën për rregullimin e financimit të teatrove publike të qyteteve të Kosovës për vitin 2020. Po ashtu i është miratuar kërkesa për shtimin e numrit të punëtorëve të teatrove nëpër komunat përkatëse, për krijimin e kodeve buxhetore dhe për rregullimin ose pjesën e financimit të projekteve ose të produksioneve të tyre.

Asociacioni i Teatrove përmes një deklarate është shprehur shumë i kënaqur, duke e cilësuar këtë ditë si historike pas vendimit që është marrë në profit të aktorëve. “Ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe ditë historike për teatrot e qyteteve dhe për komunitetin artistik të tyre, të cilët që nga paslufta nuk kanë arritur të stabilizohen deri më tash. Një falënderim i madh për të gjithë ata që na ndihmuan në vazhdimësi në rregullimin e kësaj çështjeje vendimtare e shumë domethënëse për ne”, shkruhet në njoftim.

Po ashtu falënderimin e kanë ndarë edhe për kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, për Ministrinë e Kulturës, për Ministrinë e Financave dhe për Salvador Elmazin. “Dhe, krejt në fund, faleminderit z. Naser Zymberit, njeriut me kontributin më të madh në këtë drejtim, i cili nuk u dorëzua për asnjë moment dhe me plot vetëbesim arriti të krijojë një kauzë, që mori vëmendjen e të gjithë aktorëve të nevojshëm”, shkruhet në njoftim.

Si lajm pozitiv këtë miratim e konsideron edhe Fatmir Hyseni, drejtor i teatrit profesional të qytetit të Ferizajt “Adriana”. Hyseni tha për “Zërin” se sigurimi i buxhetit e mundëson zbatimin e Ligjit për Teatro, i cili pitet të miratohet së shpejti. “Dje Komisioni i Granteve i ka kaluar kërkesat e teatrove të qyteteve për financim nga viti 2020. Është e ditur se Ligji i Teatrove është në proces dhe në korrik pritet të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo çështja e financimit ishte problem pasi planifikimet buxhetore afatmesme nuk ishin bërë edhe për teatrot dhe edhe nëse miratohej ligji përsëri do të ishte problem financimi i teatrove. Kjo na shtyri që ne, teatrot e qyteteve, të bëjmë kërkesë në Komisionin e Granteve dhe ta sigurojmë buxhetin që kur të miratohet ligji të kemi mundësi të zbatimit. Besoj se është një hap i rëndësishëm në funksionalizimin e teatrove dhe teatrot njëherë e përgjithmonë të bëjnë punën ashtu siç kërkohet”.

Edhe Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, thotë për “Zërin” se ky lajm jep shpresë për stabilizimin e teatrove në Kosovë, të cilin nuk e kanë arritur që nga paslufta. “Miratimi i Komisionit të Granteve të Ministrisë së Financave për rregullimin e financimit te teatrove është një prej lajmeve më të mira për teatrot e qyteteve, të cilat që nga paslufta nuk arritën të stabilizohen. Mendoj se kjo do të krijojë një stabilitet financiar dhe përfundimisht teatrot do të ndalojnë me improvizimet e tyre artistike, të cilat kanë qenë pasqyrë e gjendjes financiare të tyre dhe do të arrijnë të krijojnë një standard të vlerave artistike duke vepruar paralelisht me njëra-tjetrën”, ka thënë Zymberi.

Sipas tij, stabilizimi i teatrove do t’u japë mundësi këtyre institucioneve të bashkëpunojnë mes vete e të finalizojnë projekte të suksesshme. “Mendoj se ne si Asociacion i Teatrove Publike të Kosovës tashmë do të kemi hapësirë dhe mundësi të krijojmë mekanizma të përbashkët të funksionimit duke shkëmbyer shfaqjet, duke krijuar festival serioz të teatrove të qyteteve ose duke krijuar çmimet vjetore për shfaqjen më të mirë të teatrove të qyteteve, për aktorin ose për aktoren më të mirë etj. Pra nga janari i vitit 2020, me konsolidimin e trupave dhe të ansambleve ne mund të flasim për krijim të mirëfilltë të artit dhe për zhvillim të politikave kulturore nëpër teatro përkatëse. Ditë të mira po vijnë dhe më fund po e shohim dritën në tunel”, përfundon kështu i pari i Teatrit të Gjilanit.

Muajt e fundit gazeta “Zëri” ka raportuar për gjendjen e rëndë në teatrot e qyteteve në Kosovë. Në Gjilan, në Prizren, në Gjakovë e në qendra të tjera aktorët e punëtorët e teatrove janë përballur vazhdimisht me vonesa pagash. Veprimtarët e kësaj fushe janë optimistë se sigurimi i buxhetit, por edhe miratimi i Ligjit për Teatro mund t’i japë fund mosstabilitetit të tyre.