Paralajmërohet edicioni i 38-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Paralajmërohet edicioni i 38-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Kultura April 24, 2019 - 12:38

Këshilli Drejtues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka bërë të ditur se që nga 18 gushti i këtij viti e deri më 30 gusht do të mbahet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës ka organizuar tash e sa vite këtë seminar, kurse këtë vit do të jetë nën udhëheqjen e drejtorit prof. asoc. dr. Shkumbin Munishi, derisa bashkëdrejtore do të jetë prof. dr. Dhurata Shehri, sekretar prof. dr. Osman Gashi, bashkësekretare prof. asoc. dr. Viola Isufaj, sekretare profesionale: ma. Herolinda Bylykbashi dhe ma. Arta Hallaçi. “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjeteshtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, shkruhet në njoftim. Seminari XXXVIII do t’i  zhvillojë  punimet në Prishtinë nga 19 – 30 gusht 2019.

Arritja e seminaristëve në Kosovë do të bëhet më 18 gusht 2019 (e diel), kurse hapja solemne e Seminarit XXXVIII do të bëhet më 19 gusht 2019, në orën 11:00. Këshilli Drejtues ka bërë të ditur edhe programin bazë të Seminarit XXXVIII.

Sesionet shkencore janë paraparë që të mbahen më 29 dhe 30 gusht të vitit 2019, temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore janë: “Struktura e shqipes aktuale”, “Gjendja dhe përshkrimi i sistemit fonologjik dhe fonetik të shqipes aktuale”, “Gjendja dhe përshkrimi i sistemit morfo-sintaksor të shqipes”, “Gjendja dhe përshkrimi i sistemit leksiko-semantik dhe stilistikor të shqipes”, “Gjendja dhe përshkrimi i varieteteve aktuale të shqipes”. Pastaj për të vazhduar me temat “Si ëndërrohet në letërsinë shqipe?”, “Ëndrra romantike: individi dhe shoqëria në letërsinë shqipe”, “Alegoritë moderne të ëndrrës”, “Imagjinari modern në letërsinë shqipe mes ëndrrës dhe rêverie”, “Ligjërimi onirik si paradigmë stilistike”, “Ëndrra dhe letërsia fantastike”, “Ëndrra si ‘realitet tjetër”’, “Rrjetet sociale, politika dhe etika”, “Llojet e rrjeteve sociale”, “Kultura në rrjetet sociale”, “Mediet në rrjetet sociale”, “Politika në rrjetet sociale”, “Etika në rrjetet sociale” dhe “Drejtimet e zhvillimit të rrjeteve sociale”. Zëri