Dita e Librit i gjen libërdashësit me sfidat e njëjta
foto: Laura Hasani

Dita e Librit i gjen libërdashësit me sfidat e njëjta

Kultura April 24, 2019 - 09:57
Image

Me takime, diskutime me shkrimtarë, lexime letrare e aktivitete të ndryshme në Prishtinë të martën u shënua 23 Prilli, Dita Botërore e Librit. Përveç si festë, ata që merren me librin thonë se kjo ditë duhet të shërbejë edhe për reflektim për gjendjen e librit, duke u nisur nga botimi, shpërndarja e interesimi për lexim në vendin tonë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, gjeneratat e reja në Kosovë janë shpresëdhënëse për rritjen e interesimit për libër, pa marrë parasysh disa statistika të fundit. “Parimisht ne duhet të flasim të vërtetën dhe e vërteta flet përmes numrave, përtej bindjeve. Statistikat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës na japin një trend jashtëzakonisht negativ të lexuesve në bibliotekat publike: 120.000 lexues më pak krye një viti. Por megjithatë numrat pa shpjegimin ngelen të thatë. Këtu jepet në fakt situata ose gjendja e institucionit karshi shoqërisë. Të mandatuar për të dhënë kontributin për rritjen e cilësisë në kulturë, institucionet gjegjëse kanë dështuar. Por lexuesi jo. Ai ka ikur nga bibliotekat, por s’ka ikur nga libri, nga leximi. Shifrat nga libraritë dhe botuesit na tregojnë rritje të interesimit dhe të shitjes. Njëjtë panairet. Gjeneratat e reja (moshat 7-27) janë më shpresëdhënëset. Ndoshta ngaqë janë të formuar në kushtet e një globalizimi jo thjesht politik, por të mendjes, të hapjes, të botës pa kufi”, thotë Zeneli.

Sundimi i ligjit dhe tregu i vogël sipas Zenelit janë disa nga sfidat kryesore të botuesve kosovarë ditët e sotme. “Sipas mendimit tim, fundamentalisht këta dy komponentë e formësojnë atë që quajmë ‘sfidë e botuesve në Kosovë’. Ligji në letër mund të jetë i përsosur, por kur nuk sundon është i pakuptimtë. Të gjithë botuesit pa përjashtim vuajnë nga pirateria. Mjafton t’i vizitosh të famshmet fotokopje për të parë masakrën që i bëhet autorit, botuesit, industrisë së librit përgjithësisht”, thotë ai. Sipas Zenelit, problem i botuesve është edhe operimi në treg të vogël. “Dhe e dyta, operojmë në një treg të vogël. Tirazhet sillen nga 500-1000 kopje dhe kjo bën që një punë kolosale, një përkthim një e dyvjeçar, një punë autoriale disavjeçare, të mos arsyetojë vetveten në aspektin financiar. Dhe një biznes, para së gjithash, s’mund të funksionojë mirëfilli pa mjetet me të cilat do t’i paguajë të drejtat autoriale, shtypin, marketimin, punët teknike etj”, thotë ai.

I pari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës shprehet i pakënaqur me përkrahjen që shteti i jep zhvillimit të librit. “Organet janë në gjendje letargjie. Ato pak mjete që ndan Ministria e Kulturës shkojnë sipas interesave të anëtarëve të Këshillit të Librit. Disa komuna përpiqen të ndajnë nga pak mjete, por prapë pothuaj në shuma që duken si lëmoshë e që të marra së bashku, të gjitha, janë thjesht ca metra asfalt si shumë. Një situatë hipotetike ku lexuesi, i riu, e reja kosovare do të kishte libra nga çdo fushë nëpër biblioteka, sidomos ato të shkathtësive të buta, inxhinierisë, kompjuteristikës, mjekësisë, profesioneve deficitare nëpër botë, që epoka e internetit mundëson të kryhen nga Kosova, pastaj letërsisë së mirëfilltë, psikologjisë, filozofisë, sociologjisë etj., ne do të rrisnim gjenerata që në shtrirje të gjerë do të bënin që mirëqenia të rritej gjithandej Kosovës. Por, siç thashë, jemi në gjendje letargjie. Udhëhiqemi, për fat të keq, ende nga mendësi të vjetra. Megjithatë besoj që për jo shumë gjatë”, përfundon kështu ai.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 Prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995-s, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 Prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K. Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Kjo është arsyeja për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor. Zëri