“Brass Festival”, sjell artistë nga e gjithë bota në Shqipëri

“Brass Festival”, sjell artistë nga e gjithë bota në Shqipëri

Kultura April 23, 2019 - 15:48
Lexo më shumë detaje

 

Të hënë ka nisur edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Tunxheve i Shqipërisë. Aktivitet ky që organizohet nga Shoqata “Artistët Interpretë” dhe drejtohet nga instrumentisti, kornisti Ilir Kodhima.

Ky festival i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Arteve dhe disa institucioneve të tjera ndërkombëtare do të zgjasë pesë netë nga data 23 deri më datë 27 prill.

Siç parashihet ky vit ka paraparë një program ambicioz kurse objektivat e edicionit janë, koncertet dhe bashkëpunimi mes artistëve vendas dhe të huaj duke interpretuar bashkë dhe duke ndarë skenën mes tyre, ku synohet të krijohen ura bashkëpunimi. Pastaj, promovimi i veprave premierë, të kompozuara nga kompozitorë shqiptarë, Dorian Cene, Enis Mullaj, Ergis Spahiu. Kjo ide e përurimit të veprave shqiptare ka ardhur si rezultat i një marëdhënie korrekte midis Hamerings Records- Australi dhe International Albanian Brass Festival.

Zhanret muzikore që do të ndjekin të 5 ditët e festivalit janë të shumëllojshme duke filluar nga Jazz, Funky, klasike, moderne, kontemporane dhe elektronike.

Gergely Sugar, kornisti i parë i orkestrës simfonike të Vjenës, Ivan Bosnjak, Yulia Malikova, Hrvoje Pintaric, Gregory Jones, këta muzikantë, pedagogë, do të interpretojnë para publikut të Tiranës.

Artistë ndërkombëtarë nga USA, Rusia, Austria, Italia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Spanja, Kosova, Serbia dhe Shqipëria do të ndezin sallën e Universitetit të Arteve, teatrin “Petro Marko”, Vlorë pa harruar ambjentin e përhershëm në natën përmbyllëse të festivalit, Amfiteatrin e Liqenit Artificial Tiranë.