“Dy gisht mjaltë” thyen çdo rekord, 30.000 bileta për 20 ditë

“Dy gisht mjaltë” thyen çdo rekord, 30.000 bileta për 20 ditë

Kultura April 23, 2019 - 10:03
Lexo më shumë detaje

 

Filmi shqiptar “Dy gisht mjaltë”, me regji të Emir Khalilzadehut e që sjell në ekran disa fytyra publike shumë të kërkuara, ka thyer çdo rekord për shitje biletash në rrjetin e kinemasë austriake në Prishtinë “Cineplexx”

Siç ka njoftuar për gazetën “Zëri” menaxheri i marketingut në këtë kinema, për komedinë “Dy gisht mjaltë” janë shitur 30.000 bileta për vetëm 20 ditë. Interesim për këtë film pati qysh para se të publikohej data e premierës. Në “Cineplexx”-in e Prishtinës sfida më e madhe këto javë ishte sigurimi i një bilete për filmin “Dy gisht mjaltë” ani pse në programin e kësaj kinemaje vazhdon të ketë filma shumë të famshëm botëror. Siç bëhet e ditur, vetëm në javën e parë të shfaqjes në “Cineplexx” u shiten rreth 12.000 bileta. E interesim të madh “Dy gisht mjaltë” ngjalli edhe në Shqipëri e në Maqedoni, ku aktualisht është duke u shfaqur.

Kinemaja e Prishtinës i ka dhënë hapësirë këtij filmi duke e shfaqur në 8, 10 e 14 terminë, varësisht sipas rritjes së interesimit. Çmimet e biletave për këtë film dallojnë nga dita në ditë, por duke u bazuar në çmimoren e kësaj kinemaje bileta më e lirë për filmin “Dy gisht mjaltë” mund të blihet ditën e martë, që ndryshe njihet edhe si Dita e Kinemasë dhe kushton 2.80 euro.

Filmi më i fundit ka si protagonistë dy emra të njohur, aktorin e humorit Ermal Mamaqi dhe këngëtaren e njohur Elvana Gjata. Filmi i zhanrit komedi flet për një çift me të ardhura mesatare, të cilët bëjnë një dasmë dhe një muaj mjalti që nuk iu shkon aspak mirë. Ata mundohen të realizojnë muajin e mjaltit në Karaibe, por një gabim në blerjen e biletave i bën që të enden rrugëve të jugut të Shqipërisë duke përjetuar peripeci nga më të ndryshmet. Filmi “Dy gisht mjaltë” bashkon artistë, politikanë dhe njerëz të njohur. Në kastin e këtij produksioni qe zgjat 101 minuta ka emra të njohur si Koço Devole, Marjana Kondi, Natasha Sela, Bujar Asqeriu, Ervin Bejleri, Rezart Veleshnja e të tjerë.

Në këtë film shikojmë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, teksa kurorëzon një martesë. Komedia po shfaqet në të gjitha kinematë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo komedi është një film që përcjell një realitet shumë të njohur për shumicën e shqiptarëve. Prindër që ndikojnë në jetën e dy të rinjve, duke u shkaktuar jo pak probleme. “Dy gisht mjaltë” i referohet martesës në fillimet e saj, por më pas jo gjithçka shkon ashtu siç mendohet.

Me këtë rekord filmi “Dy gisht mjaltë” ka lënë pas vetes komedinë kosovare “Diamanti” të regjisorit Genc Berisha me 9.200 bileta të shitura gjatë dy muajve sa ishte pjesë e programit të “Cineplexx”-it.