Krasniqi i kthehet Teatrit

Krasniqi i kthehet Teatrit

Kultura April 23, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje
Image

Dramaturgu Milazim Krasniqi pas njëmbëdhjetë vjetëve i kthehet Teatrit Kombëtar të Kosovës për ta vënë në skenë dramën e tij “Bryma e vdekjes”, ku përmes artit jetëson përjetimin e popullit tonë. Vënia në skenë e shfaqjes “Bryma e vdekjes”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë Krasniqi, ka finalizuar projektin që sipas autorit të shfaqjes publiku e ka pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. E meritat ai i ndan për punën energjike të regjisores Burbuqe Berisha ansamblit të shkëlqyeshëm, që është angazhuar dhe përkrahjes që ka dhënë Bordi dhe menaxhmenti i TKK-së. “Meqë janë ndërlidhur dhe kanë funksionuar të gjitha nivelet e punës e të organizimit shfaqja ka dalë shumë mirë. Deri tash publiku e ka pritur në mënyrë të jashtëzakonshme, gjë që është edhe përtej pritshmërisë sime, ndonëse e kam ditur se kjo dramë do të arrijë shkallë të lartë të komunikimit me publikun”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ndonëse ka shumë vjet që Krasniqi i ka munguar teatrit si dramaturg, ai është rikthyer në teatër për t’u dhënë shpirt ngjarjeve reale dhe skenës teatrore. Se si ndihet për rikthimin në teatër dhe a do të kemi mundësinë të shohim më tutje tekstet e tija në skenë, Krasniqi deklaron se ai ka qenë i ekskomunikuar gjatë këtyre viteve dhe se teatrot e qyteteve janë nën “hyqmin e pushteteve komunale”, siç thotë ai dhe aty nuk lënë të futen tekste të autorëve ne këtë rast edhe punën e tij. “Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u ktheva pas njëmbëdhjetë vjetëve. Thjesht kam qenë i ekskomunikuar gjatë gjithë këtyre viteve, edhe pse jam njëri nga dramaturgët më produktivë në mbarë letërsinë shqiptare dhe me disa spektakle nga ato tekste të miat që janë vënë në skena. Në fillimin e viteve 2000 kam pasur dy projekte të mëdha në Teatrin e Gjakovës, ‘Monedha e Gentit’ dhe ‘Një Antigonë e re’, po pastaj ma mbyllën derën edhe atje dhe ashtu ia mbyllën derën edhe vetë atij teatri të shkëlqyeshëm. Për teatrot e tjera të qyteteve dihet se janë nën hyqmin e pushteteve komunale dhe aty nuk lënë të futen tekste të autorëve si puna ime”, rrëfen Krasniqi.

Kthimin në Teatrin e Prishtinës Milazim Krasniqi e vlerëson si një ndjenjë të mirë, por pikë në zemër i ka mbetur dëshpërimi pse kaq shumë vite e kanë injoruar për arsye të inateve primitive ideologjike a politike. “Ka pasur rast në këtë teatër, në vitin 2007, që janë ndaluar provat, pasi pati filluar një shfaqje me tekstin tim. (Më vonë qe rikthyer ai tekst). Ndërsa në Teatrin e Gjakovës po ashtu me urdhër politik ma patën hequr nga repertori i miratuar tekstin e dramës ‘Rulet rus për Ali pashën’. Nuk e kam ndonjë merak për vete, sepse vlerat e teksteve të mia janë aty, u vunë në skenë o nuk u vunë, por publiku është privuar nga mundësia që të shijojë këto tekste dhe të edukohet estetitikisht me vlera të dramës mirëfilli kombëtare”, tregon Krasniqi.

“Bryma e vdekjes” trajton një temë të ndjeshme, siç është eksodi i shqiptarëve në Bllacë dhe erdhi në skenë pikërisht në 20-vjetorin e kësaj ngjarjeje. I pyetur se pse është dashur të kalojë kaq kohë që një ngjarje nga historia jonë e re të vihet në skenën e teatrit, Krasniqi tregon se ia pati ofruar teatrit këtë tekst në vitin 2000, por ai thotë se as që kanë dashur të dëgjojnë për të. “Mendoj se është dashur të vihej në skenë që atëherë, kur plagët ishin më të freskëta, ashtu që ndikimi i saj do të ishte edhe më efektiv. Ndër vite u bën shumë eksperimente në teatër, me tekste të huaja, të dobëta. Më duket se dy vitet e fundit diçka ka filluar të ndryshojë për mirë në përzgjedhjen e repertorit dhe në realizimin e projekteve nga drama kombëtare”, konsideron Krasniqi.

Tashmë kur janë dhënë disa repriza të shfaqjes “Bryma e vdekjes”, kur e pyesim se a mendon se e ka arritur qëllimin te publiku kjo shfaqje dhe sa po i bën njerëzit që të reflektojnë, Krasniqi thotë se përveç premierës e ka shikuar edhe një reprizë dhe se publiku ka qenë shumë i emocionuar. “Publiku ka qenë vërtet i emocionuar dhe shumë i kënaqur. Kam marrë shumë mesazhe falënderimi nga shumë njerëz, shumë nga ta nuk i njoh fare. Kjo më ka bërë të ndihem edhe më mirë. Shpresoj se kjo dramë do të mbetet gjatë në repertor”, tha ai për “Zërin”.

Kur flet për dramat që ende nuk janë vënë në skenë, Krasniqi thotë se i dhemb shumë që nuk e kanë lënë të vihet në skenë drama “Rulet rus për Ali Pashën”. “Kjo dramë bashkë me dramat ‘Monedha e Gentit’ dhe ‘Liria po vjen’ përbën një lloj trilogjie për abuzimin e pushtetit dhe tragjedinë që prodhon politika e keqe ndër ne ilirët/shqiptarë me shekuj. Kjo dramë do t’u fliste me zë shumë qortues edhe elitave të sotme kleptomane, miope dhe abuzuese. Por edhe qytetarëve do t’ua jepte mesazhin se nuk duhet të vazhdojnë të mbeten të manipuluar nga pushtetet abuzive dhe liderët abuzues. Të presim e të shohim. Shpresoj se për nja dhjetë vjet vjen në rend edhe ai tekst”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka të pasuruar bibliotekën e shkrimeve me botime të shumta, romane, vëllime publicistike, studime dhe dhjetëra drama si: “Zbulimi”, “Mos më merrni në qafë”, “Punë Sizifi”, “Kur lindi partia”, “Kush i bie fyellit”, “Bryma e vdekjes”, “Kosovë në ndërgjegje”, “Monedha e Gentit”, “Rulet rus për Ali Pashën”, “Një Antigonë e re”, “Kësulëkuqja e shekujve”, “Sekreti që nuk e mori me vete Ibrahim Rugova” etj.