Libri i javës - “Ishulli” nga Aldous Huxley

Libri i javës - “Ishulli” nga Aldous Huxley

Kultura prill 22, 2019 - 12:14
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim romanin “Ishulli” nga Aldous Huxley. Ky romani i botuar nga shtëpia botuese “Pema” është përkthyer në shqip nga Rudi Erebara. Librin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku”, në Prishtinë për 9 euro.

Pas leximit të romanit rreth 400 faqesh do të kuptoni se ndonëse është botuar së pari në vitin 1962, romani “Ishulli” është pa dyshim një nga ata libra që i mbijetojnë kohës. Kjo për arsye se temat e adresuara te romani “Ishulli” janë ende aktuale dhe kjo na tregon se sa pak realisht kanë ndryshuar gjërat në dekadat e fundit. Tek “Ishulli” autori Huxley pikturon imazhin e një shoqërie më të mirë dhe mund të merret pak a shumë edhe si udhëzues për një vend më ideal. Thënë ndryshe, ajo që Aldous Huxley na prezanton është një parajsë ishullore e qeverisur nga arsyeja e nga dashuria.

Autori Aldous Huxley përmes romanit të tij më të rëndësishëm na dërgon në ishullin e largët të Paqësorit, Pala, ku një shoqëri ideale ka lulëzuar për 120 vjet. Pashmangshmërisht, ky ishull i lumturisë ndjell zilinë dhe armiqësinë e botës që e rrethon. Një komplot po merr jetë për të futur nën sundim Palan dhe ngjarjet zënë fill kur një agjent i komplotistëve, një gazetari të quajtur Farnabi, i mbytet anija aty. Atë që Farnabi nuk e pret është se si koha që do të kalojë me njerëzit e Palas, do të revolucionarizojë të gjitha vlerat e tij dhe për habinë e tij të madhe do t’i japë shpresë.

Vlen të theksohet se budizmi është feja që praktikohet nga banorët e ishullit Pala e tani kur kanë kaluar gati 60 vjet prej botimit të “Ishullit”, budizmi është përhapur dhe në vendet perëndimore e gati në të gjithë botën.

Libri pra është një shfaqje e mrekullueshme e inteligjencës së Huxleyt dhe njohurive të autorit, si dhe interesit të tij për budizmin, konfucianizmin e substancat që ndryshojnë mendje të cilat pastaj kombinohet me një ndërgjegjësim mbi mbipopullimin, ndryshimet klimatike dhe luftën. Temat e vazhdueshme të utopisë dhe të dystopisë janë të ndërthurura mirë dhe ndihmojnë të krijohet në mendje një shoqëri e lirë dhe të këndshme siç është ajo në Pala. Me filozofinë dhe vetëreflektimin si shtyllë të tregimit, “Ishulli” është pa dyshim një roman për ata që janë të interesuar të ushtrojnë trurin e tyre ose ata thjesht duan të lexojnë anën e kundërt të librit “Brave New World” të të njëjtit autor. Në këtë roman personazhi kryesor Farnaby na ndihmon si lexues të eksplorojmë jo vetëm një mënyrë imagjinare të jetës, por edhe mënyrat në të cilat realizojmë jetën tonë të përditshme. Natyrisht me një roman kaq thellësisht të rrënjosur në filozofi, narrativa është herë pas here shumë e ngadaltë dhe ngjarja gjithashtu kërkon kohë për t'u zhvilluar.

Aldous Leonard Huxley (26 korrik 1894 - 22 nëntor 1963) ishte shkrimtar dhe filozof anglez. Ai krijoi rreth pesëdhjetë libra, duke përfshirë romane tregime e poezi. Huxley ishte një humanist dhe pacifist. Ai u interesua për misticizëm filozofik dhe universalizmin, duke iu drejtuar këtyre temave edhe në veprat e veta. Në romanin e tij më të famshëm “Brave New World” (1932) dhe romanin e tij të fundit “Ishulli”(1962), ai paraqiti vizionin e tij të dystopisë dhe të utopisë, respektivisht.