Shtetet që kanë përjetuar luftë duhet të krijojnë ura komunikimi

Shtetet që kanë përjetuar luftë duhet të krijojnë ura komunikimi

Kultura April 22, 2019 - 12:01
Lexo më shumë detaje
Image

Vladimir Arsenijeviq është një novelist, kolumnist, përkthyes, redaktor, muzikant dhe botues. Për gazetën “Zëri”, ndër të tjera, ai ka folur për organizimet që i bën qendra kulturore “Krokodil”, aktivitet që mbledhin shqiptarë e serbë bashkë për të promovuar kulturën e tyre

Të largohemi nga lëkura paragjykuese e nacionalizmit

Në kryeqendrën e Serbisë, në Beograd, funksionon shoqata “Krokodil”, e cila është e dedikuar për prodhimin e programeve dhe projekteve letrare, kulturore dhe socio-politike, me qëllim të zhvillimit të audiencave letrare dhe atyre që janë të interesuara për kulturën. I pari i kësaj shoqate, Vladimir Arsenijeviq, është një novelist, kolumnist, përkthyes, redaktor, muzikant dhe botues. Për gazetën “Zëri” ai ka folur për organizimet që i bën në qendrën kulturore “Krokodil”, aktivtete të cilat mbledhin edhe shqiptarë e serbë bashkë për të promovuar kulturën e tyre. Së fundi “Krokodil” ka organizuar një projekt, që sipas Arsenijeviq është më shumë se një mbrëmje me poetë. Projekti është quajtur “N’kojshi” dhe ka nënkuptuar takimin me dhjetë të rinj nga Kosova dhe po ashtu me të rinj nga Serbia që janë poetë, dramaturgë, gazetarë, kolumnistë por dhe të tjerë të fushave kulturore.

Arsenijeviq thotë se fjala është për njerëzit të cilët janë aktivë në skenën letrare e të cilët në mungesë të komunikimit, që është shumë problematik, kurrë nuk kanë pasur mundësi të takohen. Në këtë kuptim në qendrën “Krokodil” është organizuar një seri leximi e debati. “Kemi organizuar këtë mbrëmje me qëllimin që njerëzit të njihen dhe të krijojnë besim te njëri-tjetri, që të krijojnë kontakte dhe të munden të vazhdojnë të punojnë dhe të shoqërohen së bashku. Qëllimi kryesor ka qenë të kalohet mirë. Ne mendojmë që të rinjtë nga Serbia dhe Kosova të kalojnë kufijtë dhe të shohin se ka njerëz me të cilët ata do të munden të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Dhe të mos jemi në lëkurën paragjykuese të nacionalizmit”, tha Arsenijeviq.

Ai ka thënë për “Zërin” se është për të të ardhur mirë që mediet e kanë mbështetur këtë aktivitet, duke mos pasur një gjuhë të vrazhdët, siç dinë ta bëjnë. Sipas tij, mediet nuk e kanë përdorur gjuhën helmuese, e cila përdoret sidomos kur është në pyetje Kosova dhe skenat shoqërore e politike të saj.

Arsenijeviq: Të rinjtë nuk janë të lidhur me ngjarjet lokale

Duke pasur parasysh faktin se Arsenijeviq është shkrimtar, me të kemi folur edhe për zhvillimin e letërsisë në dy vendet tona. I pyetur se ku jemi të njëjtë dhe ku dallojmë, ai thotë se ajo që vërehet menjëherë është se poezia zë një vend të veçantë në Kosovë, kurse në Serbi zë vend më shumë proza, romani. “Në Serbi romani është forma e vetme letrare, e cila ka një shans në treg, kështu që botuesit i bëjnë presion shumë romanit dhe romanshkruesit. Ajo që unë po vërej është se tek autorët e rinj është krijuar një ndjeshmëri që për mua është shumë e pëlqyeshme, sepse të rinjtë nuk janë të lidhur me ngjarjet lokale, janë vetëm të rinj që jetojnë në këtë planet si të rinjtë e tjerë dhe të gjithë janë të kyçur në ngjarjet e botës dhe e kuptojnë se si sillet bota”, ka vlerësuar ai. Arsenijeviq përcjell vazhdimisht letërsinë në Kosovë. Ai veçon edhe disa emra të krijuesve nga Kosova që i lexon. “Mua më pëlqen poezia e Shpëtim Selmanit, ai është një personalitet i shkëlqyeshëm, aktor i shkëlqyeshëm. Poezia e tij e ka një narracion, i cili mua më duket shumë interesant dhe lë përshtypje të mira. Jeton Neziraj është po ashtu një personalitet tjetër fantastik. Dramaturg, i cili së fundi është prezantuar me një shfaqje të jashtëzakonshme si ‘50 Shades of Gay’, drafti të cilin e ka sjellë arrin në kulmin e kulturës”, thotë Arsenijeviq, ai më tutje thotë se ekziston një problem objektiv siç është problemi në komunikim kur flasim për gjuhën në mes dy vendeve. “Ne nuk kuptohemi lehtë dhe gjithmonë na duhet të kemi përkthyes. Kjo është diçka që e vështirëson komunikimin. Por megjithatë është gjuha neutrale angleze e cila bashkon me njëfarë forme komunikim tonë. Gjuhë që s’i përket askujt, e të gjithëve”, vlerëson ai.

Arsenijeviq: Të njoftohemi dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin

Kur e ngrehim dilemën se sa arti në përgjithësi ose letërsia në veçanti mund t’i përafrojë vendet tona, Arsenijeviq thotë se është shumë e rëndësishme të lexohen të përkthehen, sidomos librat e fqinjëve. Sipas tij, pa marrë parasysh situatën politike në të cilën gjendemi vetë fakti që jetojmë bashkë tregon se e kemi obligim të komunikojmë. “Të njoftohemi dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin. Nuk është normale që ne të kemi njohuri për kulturën spanjolle, franceze e të mos dimë për kulturat në Ballkan e sidomos kulturat e shteteve fqinje. Kjo është fatkeqësi. Duhet ta njohim botën në të cilën jetojmë”, thotë ai për “Zërin”.

Arsenijeviq ka vlerësuar se ne jemi shumë specifikë e sidomos kur kujtojmë luftërat e fundit. Ai thotë se këtë më mirë se ne e kanë vërejtur të huajt. Sipas tij, ata kanë vërejtur se si këto trazira kanë ndikuar në kulturat tona, në ushqim, muzikë, humor dhe të tjera. “Asnjë politikë nuk do të mundë të ndryshojë këtë funksionim, unë për shumë arsye nuk mundem të kuptoj nacionalistët se sa i çuditshëm është fakti se bëjnë gjëra brutale, por nuk kuptojnë se çfarëdo që të bësh ti nuk do të mundesh t’i shlyesh shqiptarët, as serbët, se njerëzit mbesin aty ku janë dhe tek e fundit prapë duhet të mbesim fqinj”, konsideron Arsenijeviq. Më e mençura gjë që mund të bëjmë sipas Arsenijeviqit është të vendoset një lloj normal komunikimi.

 

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”

 

Image