Kritikë ka, por nuk ka kritikë teatrale

Kritikë ka, por nuk ka kritikë teatrale

Kultura April 22, 2019 - 11:53
Lexo më shumë detaje
Image

Regjisori, gazetari e publicisti Zlatko Pakoviq konsideron se kritika teatrale po i mungon Serbisë, Kosovës, por edhe rajonit. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Pakoviq ka thënë se kjo sferë nuk qëndron si është më së miri. Kur e pyesim se çfarë rëndësie ka sipas tij roli i kritikës teatrale në zhvillimin e kësaj fushe dhe a kemi ne në Ballkan kritikë të mirëfilltë të teatrit, regjisori thotë se gjendja nuk është e njëjtë gjithkah në regjion. “Nëse flasim për Maqedoninë, pothuajse nuk ka kritikë teatrale, që domethënë kritikë ka, por nuk ka kritikë teatrale. Gjatë periudhës që ka udhëhequr Grujevski janë shkatërruar në mënyrë sistematike mendimet kritike. Në gazeta është e ndaluar, më saktë nuk është e përfshirë kritika teatrale. Pra ju mund të bëni çfarëdo në teatër, por nuk ka kush t’ju kritikojë dhe nuk ka dikush që mund të shkruajë për të dhe të lërë gjurmë kritike. Në Kroaci situata është më e mirë, është shumë mirë e zhvilluar kritika teatrale, të gjithë ose pjesa më e madhe i japin vend serioz kritikës teatrale. Në Serbi situata qëndron në mes të vendeve të lartpërmendura, në Bosnjë është edhe më e keqe situata. Kurse në Kosovë, aq sa e di, situata po ashtu është dëshpëruese. Kritika teatrale në Kosovë qëndron edhe më dobët se në Serbi”, konsideron Zlatko Pakoviqi.

Sipas tij, një shfaqje e bën të suksesshme estetika dhe efekti i saj në shoqëri. “Pra shfaqja teatrale është një ngjarje publike, siç është shembull protesta, në atë kuptim edhe teatri zgjon kureshtjen te njerëzit, i zgjon për një arsye ose një tjetër, i bën që ata të kujtojnë se edhe ata janë qytetarë me të drejtat e veta, janë po ashtu bartës të qeverisjes, edhe ata munden të delegojnë përfaqësuesit, të ushtrojnë qeverisje. Ata janë të lirë, të bindur dhe kjo është çështje e rëndësishme”, shprehet për “Zërin” Pakoviq, që theksin kryesor të funksionit të teatrit e vë në atë se qëllimi i tij është jo vetëm që të argëtojë, por edhe t’i bëjë zhurmë veshit, virtytit të çdo qytetari.

Pos artit, Pakoviq është i dëshmuar edhe si gazetar e publicist. Ai vlerëson se çka e bën teatrin të veçantë nga këto mediume të tjera është se në teatër ju keni përballë një njeri që sikur në realitet jeton, por në një ambient teatral, në një rol të caktuar dhe këtu qëndron nocioni i rëndësishëm i lojës. Ai thotë se pa aktrim, pa imagjinatë nuk ka teatër. Sipas tij, kjo imagjinatë mundëson që gjërat t’i shohim jo vetëm si janë, por si munden të jenë.

Pakoviq: Ngjarjet kulturore janë si pasqyrë e qeverisë

Sa i përket temës së pajtimit mes të dyja vendeve, por edhe bashkëpunimit kulturor, Pakoviq thotë se më e rëndësishmja është se njerëzit po komunikojnë mes vete për gjërat që janë të nevojshme për ta. Sipas tij, në aspektin e përafrimit institucionet bëjnë shumë pak, edhe atëherë kur punojnë në këtë drejtim punojnë gabim. “Në këtë kuptim edhe shfaqjet teatrale ose ngjarjet kulturore janë si një pasqyrë e qeverisë e jo e realitetit të vështirë njerëzor, të cilët dëshirojnë të paraqiten logjikisht në një ambient ku jetojnë, njerëz të nacionaliteteve dhe të përkatësive të ndryshme. Para së gjithash janë të lumtur dhe me shumë gjasa që si fqinj që janë i ndihmojnë njëri-tjetrit në suaza të jetesës normale”, tha ai.

E sipas tij, gjithë problemi qëndron te klasat “elitë”, që kanë përfitim si nga njëra, edhe nga tjetra shoqëri. Siç tha ai, nga një shoqëri individualiste në të cilën 90% e njerëzve jetojnë në kushte të vështira.

Pakoviq rikujton se ka punuar një shfaqje me Qendrën Kulturore për Dekontaminim në Beograd në bashkëpunim me qendrën “Multimedia” në Kosovë, të cilën e udhëheq Jeton Neziraj. Shfaqja titullohet “Enciklopedia e të gjallëve” dhe ka të bëjë me intervenimet artistike në realitetin serbo-kosovar. Sipas Pakoviq, ekipi që ka punuar ka qenë i përbërë nga artistë kosovarë dhe serbë dhe kjo shfaqje flet për të gjitha perspektivat, mirëkuptimin e problemeve 100-vjeçare të serbëve dhe të shqiptarëve, por edhe për mirëkuptimin e situatës së sotme dhe për mirëkuptimin e një perspektive plotësisht ndryshe në një bashkëpunim po ashtu ndryshe.

 

Ky tekst është publikuar në kuadër të projektit “Serbia dhe Kosova: Thyerja e akullit ndërkulturor”