Diskutim publik për librin në Bujanoc

Diskutim publik për librin në Bujanoc

Kultura prill 20, 2019 - 11:23
Lexoni detajet e fundit

Shoqata kulturore “Dituria”, Dega në Bujanoc, ka organizuar diskutim publik rreth librit, aktivitet ky që do të organizohet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe Autorit.

Blerim Iseni, koordinator në shoqatën kulturore “Dituria” dhe organizator i diskutimit, për gazetën “Zëri” ka njoftuar se aktiviteti do të zhvillohet me të ftuar të cilët janë të njohur me librin.

Qytetarë, profesorë, nxënës, studentë dhe të gjithë ata që kanë sy e mendje për librin kanë kërkuar që të jenë pjesë e diskutimit. Iseni njofton se deri tani ka pasur interesim për të qenë pjesë e diskutimit.

Blerim Iseni e ka vlerësuar si ditë të veçantë 23 prillin, ai ka thënë se gjithmonë ka vend për aktivitete të tilla në Bujanoc e sidomos kur organizohen debate rreth librave.

Iseni njofton se të ftuar në panel kanë zgjedhur të jenë: Ragmi Mustafa - kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Bejzad Adullahu - profesor i letërsisë shqipe dhe Nexhmedin Ademi - sociolog.

Diskutimi publik do të zhvillohet me anëtarët e panelit, që do të bëjnë prezantime mbi librat, arsyetimin për librin dhe përzgjedhjet e tyre, të cilët do të ndihmojnë në diversifikimin e mendimit kritik dhe zhvillimin e hapësirave të komunikimit me të rinjtë.

Diskutimi do të mbahet ditën e martë të 23 prillit, në orën 11:00, në lokalin e shoqatës kulturore “Dituria” në Bujanoc.

Pjesëmarrja për këtë aktivitet do të jetë e hapur për të gjithë të pasionuarit e librit pavarësisht nga mosha ose profesioni i tyre.