“Testamenti i mitomanit”, libri i ri i Leka Bungos

“Testamenti i mitomanit”, libri i ri i Leka Bungos

Kultura prill 20, 2019 - 08:02
Lexoni detajet e fundit

Në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës është promovuar libri me titull “Testamenti i mitomanit” me autor Leka Bungo. Ky është libri i parë që regjisori dhe skenaristi i njohur shqiptar ka shkruar.

Libri i tij karakterizohet nga satira për artistin i cili ka jetuar në dy kohë, komunizmin dhe tranzicionin e gjatë që ende vazhdon. Me personazh kryesor një shkrimtar, “Testamenti i motomantit” është një libër që krahas gjuhës satirike ka mjaft të vërteta, që tregojnë realitetin e trishtë të të qenët artist në kohën e komunizmit, shkruan Gazeta Zeri/

Siç vlerësohet, Leka Bungo shpërfaq me këtë vepër karakterin e tij poliedrik më së miri. Aktori i njohur i skenës shqiptare, Rikard Larja, në parathënien e këtij libri e ka vlerësuar guximin e Bungos për këtë krijim. “Po gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve Leka ka shkruar dhjetëra drama, radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio… Tradicionale. Po këtë radhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që kishte brenda vetes, po e kishte harruar rrugës. Libri që unë lexova në përshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur që shkon deri në absurd”, vlerëson Larja.

Ndërkohë që shton se është gjuha e mprehtë satirike që përbën edhe esencën e këtij libri dhe e dallon atë nga të tjerët: “Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu e deri në fund. Është një libër i veçantë nga ana stilistike, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë”.

Ndërkohë që për librin është shprehur edhe artisti Bujar Kapexhiu, i cili ka thënë se është i sigurt që libri do të jetë i suksesshëm. “E kam lexuar në dorëshkrim dhe më është dukur tepër interesant.

Për nga forma, ndoshta është një formë që ne nuk e kemi parë në autorë të tjerë dhe për përmbajtjen që ka. Fillon me diktaturën, por brenda diktaturës shohim ditët e sotme, politikanët që janë sot, njerëzit që merren me politikë, njerëzit që e pësojnë nga politika, njerëzit që e duan poetikën… Është një gërshetim jashtëzakonisht i bukur, por gjithmonë me shumë humor dhe me një satirë shumë me vlerë”, tha Kapexhiu.

Mirela Oktrova ka vlerësuar librin e Bungos, duke theksuar se atmosfera në të cilën tenton të na fusë autori është një përputhje me formimin e Lekës, skena e madhe e një teatri absurd. Ajo thotë se ky libër është një përzierje jo vetëm e “absurdit”, por edhe një vepër plot me të vërteta. “Ka shumë edhe nga jeta jonë e përditshme.

Nga kjo jetë që ecën në një mënyrë që do ta quaja pa busull, nuk e dimë që ecën para ose pas, por për një gjë jemi të sigurt, që vazhdon ecën anash. Janë brenda shumë histori të treguara netëve ose drekave me një gotë verë, ka shumë shaka, ka shumë anekdota, ka shumë përjetime, ka trillim, përjetim dhe natyrisht ka një fuqi gati-gati të papërballueshme për të bërë shaka dhe për të luajtur me gjithçka, duke përfshirë edhe veten.

Për këtë arsye libri përveçse të jep kënaqësi kur e lexon, të vë në mendime. Për rrugën që kemi kaluar deri më sot, por edhe jetën që jetojmë sot e aq më shumë për të ardhmen”, vlerëson Oktrova./Gazeta Zeri/