“I ligu për mend”, shfaqja me rreth 40 repriza

“I ligu për mend”, shfaqja me rreth 40 repriza

Kultura April 20, 2019 - 08:00
Lexoni detajet e fundit
Image

Shfaqja “I ligu për mend” u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në shkurt të vitit 2017 e që nga atëherë e deri sot vazhdon të jetë e mirëpritur. Siç njofton menaxhmenti i Teatrit Kombëtar për “Zërin”, kjo shfaqje numëron rreth 40 repriza dhe 7159 bileta të shitura.

Teatrit Kombëtar të Kosovës regjisori tiranas Altin Basha ia ka rikthyer shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, autorin e “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta, dhe ia ka dhuruar këtë shfaqje, që vlerësohet sikur nga profesionistët e artit e po ashtu nga publiku.

“I ligu për mend” u reprizua 37 herë, pa përfshirë dy reprizat që jepen në fund të këtij muaji. Aktorët profesionistë si Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku janë ata që me rolet e tyre i dhanë shpirt skenës teatrale.

Armend Baloku, i përzgjedhuri i Bashës për të interpretuar rolin e Ernestit tek “I ligu për mend” dhe njëri nga më të pëlqyerit e publikut, është pyetur se cila ka qenë sfida gjatë përkthimit të tekstit në shfaqje teatrale. Baloku thekson se teksti ka qenë i botuar shumë kohë më parë në dialektin gegë, kurse sfida ka qenë që të njëjtin ta prezantojnë para publikut e kohës së sotme. “Ka qenë pa dyshim e vështirë të zbërthehen fjalitë e shumta, pasi që shumë prej shprehjeve që përdoren në këtë tekst janë shprehje të cilat rrallë e hiç përdoren fatkeqësisht. Rrallë të dëgjuara prej nesh, por me vullnet jemi marrë dhe kemi zbërthyer në përgjithësi”, ka thënë aktori për gazetën “Zëri”.

Duke parë që kjo shfaqje është prezantuar mbi 30 herë, sa ka qenë presionuese kjo për aktorët, Baloku vlerëson se prej momentit që dalin në premierë puna kryesore për ta mbaron, por mbi të gjitha ai thotë se kur shfaqja është e mirë gjithçka tjetër shkon lehtë dhe luhet me kënaqësi. “Nga momenti që ne dalim në premierë për neve puna kryesore mbaron dhe më tutje ajo që jemi marrë vesh për të prezantuar është detyrë dhe obligim yni profesional që me fanatizëm ta shfaqim. Pasi shfaqja është e përgatitur neve zakonisht na mbetet që para çdo shfaqjeje të përgatitemi për të dhe të kënaqemi duke e luajtur pjesën. Përndryshe kur shfaqja është e mirë ajo shkon lehtë dhe luhet me kënaqësi. Andaj çdo takim i ekipit për të interpretuar në këtë shfaqje është vetëm kënaqësi”, tha ai, duke shtuar më tutje se duke pasur për bazë të gjitha këto fakte vlerëson se nuk janë përballur me ndonjë presion eventual.

I pyetur se cila ka qenë karakteristika që e ka dalluar këtë shfaqje nga tjerat dhe që ka ndikuar që të vlerësohet më shumë se shfaqjet tjera, Armend Baloku konsideron se të gjitha elementet që e përbëjnë shfaqjen kanë qenë të organizuara në nivel profesional dhe ajo që ka ndikuar ka qenë që secili bën detyrën e vet në mënyrë profesionale. “E para është teksti i shkruar nga Gjergj Fishta që e bën ngjarje kulturore automatikisht shfaqjen, pastaj regjisori Altin Basha, i cili është nga regjisorët më të mirë të teatrit shqiptar, po ashtu aktorët secili më i përgatitur se tjetri, kostumet dhe skenografia nga Ilirijana Loxha, pastaj lojërat dhe koreografia nga Gjergj Prevazi etj., e bëjnë pa dyshim të pëlqyeshme për publikun e gjerë”, thekson ai.

Baloku, që është njëri nga aktorët kryesorë të shfaqjes dhe njëri nga më të pëlqyerit e publikut, ka thënë se ajo që më së shumti i ka pëlqyer te personazhi që ka aktruar ka qenë “Vullneti për t’u larguar nga mentaliteti provincial dhe interesimi këmbëngulës për zhvillim dhe shkencë”.

Edhe Shengyl Ismaili, aktorja që ka rrëmbyer zemrat tek “I ligu për mend”, e ka cilësuar sfiduese gjuhën e shfaqjes. “Ka qenë goxha sfidë, sepse ne nuk ishim mësuar me atë lloj gjuhe, ka kaluar një kohë e gjatë gjatë provave të leximit derisa ne vetë aktorët e kemi zbërthyer tekstin dhe e kemi kuptuar se çka po flasim, por ka qenë një kënaqësi e veçantë”, tha Ismaili për “Zërin”.

Ismaili thotë se ndihet e privilegjuar që kjo shfaqje po reprizohet më shumë se 30 herë, e vlerësimi më i mirë sipas saj bëhet kur ke sallën të mbushur plot. “Është e vërtetë që ‘I ligu për mend’ është njëra ndër shfaqjet më të mirëpritura në teatër, me më shumë se 30 repriza dhe akoma interesimi është jashtëzakonisht i madh. Kjo është arsyeja që është vazhduar kontrata edhe për vitin e tretë, unë si aktore natyrisht që ndihem e privilegjuar të jem pjesë e asaj shfaqjeje. Ne mundemi gjithmonë të japim maksimumin tonë, ne punojmë për publik dhe më e mira është kur vlerësohemi me sallë të mbushur plot”, tha Ismaili.

Arsyeja pse është mirëpritur kjo shfaqje më shumë se tjerat Ismaili vlerëson se ka ndikuar edhe zhanri komedi. Komedi e mirëfilltë e punuar në detaje, si në regji, aktrim, skenografi e kostume. E sipas Ismailit, kur të gjitha këto bashkëdyzohen rezultati flet sikurse tani. “E veçoj personazhin tim sepse e luaj rolin e një vajze e cila transformohet në mashkull, arsyeja sepse dëshiron ta bëjë një komplot të vockël për të mirën e të dashurit të saj. Dhe gjithmonë është kënaqësi për mua të punoj role që nuk kanë të bëjnë me Shengylin”, përfundon Ismaili.

“I ligu për mend” ka fituar çmimin “Shfaqja më e Mirë” në edicionin e sivjetmë të festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e flakës”, i mbajtur javë më parë në Gjilan, në kuadër të “Flakës së Janarit 2019”.

E shkruar nga njëri prej krijuesve dhe satiristëve më të njohur të letrave shqipe, Gjergj Fishta, shfaqja “I ligu për mend” thumbon veset dhe “intelektualizmin” e shoqërisë së kohës së autorit, e cila edhe pas gati një shekulli mbetet pothuajse e njëjtë./Gazeta Zeri/