Lauka promovon librin për situatën aktuale në Kosovë

Lauka promovon librin për situatën aktuale në Kosovë

Kultura April 19, 2019 - 16:27
Lexo më shumë detaje

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të premten më 19 prill u përurua libri “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”, i autorit Islam Lauka.

Diplomati, studiuesi Lauka e sjell librin për Kosovën, ku edhe flet për problematikën aktuale politike dhe gjeostrategjike të Kosovës. Në kuadër të librit, shtron dhe analizon me argumente, fakte bindëse se pse duhet ruajtur tërësia e Kosovës.

Lauka, u shpreh falënderues para pjesëmarrësve, kurse botimin e librit e ka ndjerë si detyrë qytetare.

“Unë nuk kam shkruar kurrë për probleme historike, nuk kam pasur kohë dhe jo që nuk më pëlqen. Është zanat shumë i mirë i historianit, por unë këtë ja kam lënë Jusuf Bajraktarit. Unë kam shkruar vazhdimisht për probleme aktuale. Megjithatë këtë e kam quajtur detyrë timen qytetare karshi Kosovës dhe Shqipërisë. Unë këtu kam shumë rezerva, në qëllimin qytetarë të shqiptarëve”, tha për të pranishmit autori.

Nazmi Rrahmani, shkrimtari dhe botuesi i librit e ka vlerësuar veprën e Laukës, duke konsideruar që libri që po promovohet ka një titull simbolik dhe sipas tij Lauka duke u marrë me problematikën aktuale politike dhe gjeostrategjike të Kosovës në kuadër të librit, shtron dhe analizon me argumente, e fakte bindëse se pse duhet ruajtur tërësia e Kosovës.

“Sipas metodologjisë shqiptare çdo shtëpi e ka edhe gjarprin e vet që i bie se e ka roje të shtëpisë, ndonëse kujdeset për ta dhe e ruan nga të këqijat që mund t’i vijnë gjithandej. Ai nuk e dëmton asnjëherë shtëpinë e vet dhe njerëzit e vet. Autori me të drejtë konstaton se marrëveshja me Serbinë në këto kushte nuk është jetike për Kosovën.Domethënia e titullit të librit në këtë rast është se ai po e kërcënon atë që besohet se duhet të ruaj. Libri tregon se nga i vjen kërcënimi Kosovës, nga bisedimet me Serbinë në çfarëdo mënyre për ndërrim të kufijve. Marrëveshja me Serbinë s’është jetike për Kosovën”, vlerëson Rrahmani.

Historiani Frashër Demaj, thotë se Lauka në këtë botim nxjerr disa hipoteza, kur flitet për korrigjimin e kufijve.

“Hipoteza kryesore që trajton në këtë studim është tashmë, fjalia e famshme “korrigjimi i lehtë i kufirit”, që shpeshherë u quajt me terma ndryshe, por që në fund nënkuptonte shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Profesor Lauka e trajton shumë anshëm këtë temë, shtron edhe teza të tjera të cilat i trajton dhe në fund përveç konstatimeve që bën për çështjet e ndjeshme në këtë kohë nëpër të cilën po kalon Kosova, Lauka, jep dhe ide për zgjidhje të problemeve”, tha Demaj.    D.E