Shënohet Dita Botërore e Monumenteve dhe e Vendbanimeve Historike

Shënohet Dita Botërore e Monumenteve dhe e Vendbanimeve Historike

Kultura April 19, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje

 

Me rastin e 18 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe të Lokaliteteve, Muzeu Kombëtar i Kosovës ka organizuar aktivitete të ndryshme me fëmijë të moshës 7-13 vjeç, i cili ndihmon ngritjen e vetëdijes te fëmijët për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë. Ky aktivitet është zhvilluar përmes metodës “Designathon”, ku fëmijët mund të zhvillojnë imagjinatën e tyre duke krijuar prototipa për qasje të lehtë për persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar në lokalitetet arkeologjike dhe ne monumentet e trashëgimisë kulturore. Aktiviteti ka nisur me një lojë ku fëmijët tregojnë se sa kanë njohuri për lokalitetet dhe monumentet në Kosovë e vazhdon me krijimin e prototipave. Prototipat përcillen nga “Hyjnesha në Fron” si një ndër artefaktet më me rëndësi të koleksionit arkeologjik të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e cila me rastin e shënimit të kësaj dite do të vizitojë monumente dhe lokalitete të ndryshme në Kosovë.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë - OSBE i ka dorëzuar Muzeut Kombëtar të Kosovës maketa, puzzle dhe ngjyrosje të monumenteve të trashëgimisë kulturore, aktivitete edukative nëpërmjet të cilave fëmijët do të mësojnë më shumë për llojllojshmërinë e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së tyre.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe e Vendbanimeve Historike shënohet që nga viti 1982 kur Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe i Vendbanimeve Historike (International Council On Monuments And Sites - ICOMOS) pati vendosur që këtë ditë ta shënojë si të tillë.