Platforma që ia kthen shpresën teatrit

Platforma që ia kthen shpresën teatrit

Kultura April 19, 2019 - 09:52
Lexo më shumë detaje
Image

Përderisa teatrot e qyteteve të Kosovës po luftojnë për mbijetesë dhe po kërkojnë një zgjidhje për të dalë nga kriza, duke qenë se janë në borxhe të mëdha e me muaj të tërë artistët dhe punëtorët e tyre nuk po marrin paga, qendra “Multimedia” duket se ka hapur një dritare shprese. Kjo qendër ka nisur “Platformën Kulturore të Kosovës 2019+”. Komponentët kryesorë të kësaj platforme janë prodhimi i shfaqjeve të reja dhe turneu i tyre nëpër Kosovë, nëpër rajon dhe në sferën ndërkombëtare përmes “Kosovo Theatre Showcase 2019”, për mbështetjen e festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, si dhe për mbështetjen artistike e infrastrukturore për industrinë e teatrit në Kosovë. Njëherësh kjo platformë përfshin mbështetjen e teatrove lokale, me fokus në teatrot e Gjilanit dhe të Ferizajt. Siç tregon për “Zërin” Lendita Idrizi, nga qendra “Multimedia”, ato do të mbështeten përmes përmirësimit të aftësive teknike dhe kreative të stafit teatror, si dhe të promovimit të shfaqjeve të prodhuara. “Komponentët kryesorë të kësaj platforme janë: Turneu i 5-të i shfaqjeve (një shfaqje e re dhe katër shfaqje ekzistuese), të prodhuara nga qendra ‘Multimedia’. Këto janë: ‘Global deal’ që flet për të drejtat e punëtorëve në kontekstin e vendit në zhvillim, ‘Hipokritët apo pacienti anglez’, një shfaqje që përballet me korrupsionin në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, ‘55 Shades Of Gay’, një shfaqje që flet për të drejtat e komunitetit LGBTI, ‘Peer Gynti nga Kosova’, një shfaqje që flet për emigracionin dhe radikalizimin e religjionit, ‘Një shfaqje me 4 aktorë..’, një shfaqje që flet për integrimin në EU në zhvillimet aktuale shoqërore dhe e fundit ‘Shembja e kullës së Ajfellit’, një shfaqje që flet për identitetin religjioz nga perspektiva të shumta. Shumica e këtyre shfaqjeve kanë marrë kritika lokale dhe ndërkombëtare në të kaluarën me kërkesë të konsiderueshme për rishfaqje”, ka theksuar ajo.

Përmes partnerëve ndërkombëtarë programi do të ftojë ekspertë të ndryshëm për të trajnuar dhe për të avancuar stafin kreativo-teknik në këto teatro lokale, duke përmirësuar kështu aftësitë e përgjithshme teknike të ekipeve prodhuese dhe në këtë mënyrë edhe cilësinë e përgjithshme të shfaqjeve. “Partnerët kryesorë të ‘Platformës Kulturore të Kosovës 2019+’ janë Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri i qytetit të Ferizajt “Adriana”, Shtëpia e Kulturës në Kaçanik dhe Shtëpia e Kulturës në Shtërpcë”, bën të ditur Idrizi.

Sipas saj, “Platforma Kulturore e Kosovës 2019+” do t’i ndihmojë këto teatro të vazhdojnë rrugën para. “Në dy vjetët e fundit zhvillimi i teatrit lokal po zë rrënjë në disa nga qytetet e Kosovës. Në këtë drejtim, në qytetet si Gjilani, Ferizaj dhe Prishtina po zhvillohet një komunitet shumë i vogël, por i gjallë i teatrit, së bashku me një audiencë të dedikuar. Zhvillimet janë bërë pavarësisht dhe jo në sajë të mbështetjes financiare komunale e kombëtare nga institucionet e Kosovës, por kryesisht nga disa artistë të rinj entuziastë që kjo situatë të ndryshojë. Megjithatë, këto zhvillime janë të pakta e të brishta dhe mund të kapen për të ekzistuar, pasi ato drejtohen në buxhete shumë të ulëta e nivele të ulëta aftësie midis grupeve teatrore”, thotë Idrizi, duke theksuar se ndihma në këtë drejtim është e nevojshme më shumë se kurrë nga donatorët dhe nga mbështetësit e tjerë. “Pikërisht në këtë rast ‘Platforma Kulturore e Kosovës 2019+’ ka ardhur në një moment shumë të mirë sa i përket teatrit. Ky projekt do t’u ndihmojë shumë në aspektin teknik të këtyre teatrove, duke ofruar trajnime në dizajnim të skenës, të dritave dhe të kostumeve, të cilat do të ofrohen përmes ekspertëve të cilët do t’i sjellë qendra “Multimedia” në Kosovë gjatë vitit 2019 - 2020”, thekson ajo.

Sipas Idrizit, teatrot lokale në Ferizaj, Gjilan, Shtërpcë dhe Kaçanik do të mbështeten përmes mënyrave të ndryshme. “Së pari nëpërmjet marketingut të drejtpërdrejtë (reklamë e paguar në ‘Facebook’, promovimi përmes internetit etj), qendra ‘Multimeda’ do t'i mbështesë ato për të rritur cilësitë e tyre artistike, por përkrahja do të jetë gjithashtu duke u dhënë atyre ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë (drejtorë teatralë, disenjatorë të skenave, gjithashtu trajnim të drejtpërdrejtë në festivale dhe në rrjetet ndërkombëtare... Një pjesë e këtij procesi do të jetë mbështetja e ndërtimit të uebfaqeve për këto teatro lokale nën një ombrellë, me informacion mbi programet, historinë e këtyre teatrove dhe aktivitete të tjera. Qendra ‘Multimedia’ do të organizojë ‘Kosovo Theater Showcase 2019’, ku do të shfaqen shfaqjet e qendrës së ‘Multimedia’, të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, të Ferizajt dhe teatrot e tjera komunale para për rreth 30 kritikëve ndërkombëtarë, gazetarë dhe programues të festivalit. Në këtë mënyrë teatri i Kosovës do të ketë shikueshmëri të madhe ndërkombëtare, shkëmbime të mundshme me partnerët ndërkombëtarë dhe kjo me shpresë se do të sjellë gjithashtu të ardhura nëpërmjet shitjes së këtyre prodhimeve në nivel ndërkombëtar (siç po bën qendra ‘Multimedia’)”, shpjegon Idrizi.

E pyetur për interesimin që ka ngjallur publikimi i idesë së këtij projekti, Lendita thotë se fatmirësisht ka të rinj entuziastë dhe pjesëtarë të stafit teknik të teatrove në Kosovë që janë shumë të interesuar për të qenë pjesë e këtyre trajnimeve. “Ky projekt ka filluar këtë vit me shpresë se do të vazhdojë edhe në vitet tjera, varësisht nga nevojat dhe nga rrjeti teatror i përfshirë ne këtë platformë”, thekson ajo.

Kur e pyesim nëse kanë kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore për këtë projekt, duke marrë parasysh gjendjen e teatroreve në vend, përfaqësuesja e “Multimedia”-s thotë se nuk kanë kërkuar përkrahje specifikisht për këtë projekt dhe nëse do ta bënin nuk beson se do ta kishin marrë.