Mbi 6 milionë euro për shpëtimin e kullave të Jasharëve
foto: Laura Hasani

Mbi 6 milionë euro për shpëtimin e kullave të Jasharëve

Kultura April 18, 2019 - 09:31

 

Image

Gjendja e kullave të familjes Jashari vazhdon të jetë e rëndë. Simbolet e rezistencës së luftës për liri po rrezikojnë të shemben, gjersa janë në pritje të konservimit final për ruajtjen e tyre. Këtë punë e ka marrë përsipër një komitet ndërministror, derisa Ministria e Financave ka paraparë ndarjen e mbi 6 milionë eurove për tre vjetët e ardhshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

3 milionë euro ndahen sivjet, 2 milionë euro vitin e ardhshëm dhe 1 milion euro më 2021-n

Së fundmi Qeveria e Kosovës ka formuar Komitetin Ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari”, të cilin e udhëheq zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, por pjesë e këtij Komiteti është edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari. Komiteti po ashtu përbëhet prej disa ministrive e institucioneve që gjithsej janë pesëmbëdhjetë.

Nga Ministria e Financave thonë se përkrahja financiare për Kompleksin e Jasharëve në Prekaz nuk ka munguar asnjëherë. Nga zyra për komunikim me medie bëjnë të ditur se vetëm për vitin 2019 për këtë kompleks janë ndarë 3,000,000 euro. “Ministria e Financave gjithmonë u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të organizatave buxhetore, të cilat menaxhojnë me mirëmbajtjen e komplekseve memoriale e në këtë rast edhe me Kompleksin Memorial të familjes Adem Jashari. Në frymën e kësaj gatishmërie me Ligjin e Buxhetit për vitin 2019 është buxhetuar shuma prej 3,000,000 eurosh për vitin 2019 vetëm për projektin: ‘Kompleksi memorial ‘Adem Jashari’’, Prekaz, Skenderaj. Po ashtu edhe për vitin 2020 janë 2,000,000 euro dhe për vitin 2021 janë të vlerësuara 1,115,000 euro. Në rast se paraqitet nevoja për mjete shtesë Ministria e Financave do të shpërndajë sipas kërkesës aq sa kërkohen mjete shtesë jo vetëm më 2019-n, por edhe në vitet vijuese”, ka thënë për gazetën “Zëri” Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave.

Shahini ka thënë se menaxhimi i mjeteve është nën përgjegjësinë e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, e cila është kompetente për veprimet e mëtutjeshme. “Edhe një herë, sa i përket mjeteve janë të ndara, por nëse ka nevojë për më shumë mjete Ministria e Financave do të aprovojë kërkesën për mjetet shtesë aq sa kërkohen”, përfundoi Shahini.

Nevoja për intervenim është e menjëhershme

Përderisa emergjenca për të bërë diçka për ruajtjen e këtyre kullave, që janë simbol i rezistencës së familjes Jashari është e dukshme, Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe pasardhës i kësaj familjeje, për gazetën “Zëri” shprehet se vetëm “Zoti dhe natyra po i ruan këto kulla nga shembja”. Sipas tij, nga paslufta në Kompleksin e Jasharëve është investuar, por për të qenë i sinqertë thotë se është investuar mbrapsht. “E para, është dashur të investohej në konservimin e kullave që të mos lihen të rrënohen më shumë e që rreziku është i madh nga dita në ditë, por kanë filluar nga rregullimi i varrezave”, thotë Jashari duke rikujtuar se para se të jenë nën kujdesin e Agjencisë për Memoriale ky kompleks ka qenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor. Megjithatë Jashari është optimist se rregullimi do të bëhet me standarde, me projekte, të cilat i fitojnë njerëzit të cilët janë profesionalisht të përgatitur në drejtimin e konservimit, të ruajtjes dhe të ndërhyrjeve tjera.

Para disa muajve është kumtuar lajmi se ciceroni, i cili ka shpjeguar për shumë vjet në Kompleksin e Jasharëve, ka ndërruar jetë. Bekim Jashari njofton se tani ka dy ciceronë të tjerë dhe një punëtor që rri në ambientet ku janë të ekspozuara sendet e familjes. I pari i Skenderajt vlerëson se punësimi i stafit aty duhet të bëhet me standarde, si p.sh punësimi i ciceronëve të kualifikuar që flasin gjuhë të huaj dhe e njohin punën të cilën e bëjnë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë. “Si kryetar Komune dhe si anëtar i Komitetit Ndërministror për Kompleksin e Jasharëve mund të them se përfundimisht janë në rrugë të mirë një herë, porse çka bëhet më vonë nuk e di dhe vullneti nuk mungon e fjalët janë të paktën që të veprohet”, përfundon kështu Jashari.

Në anën tjetër Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, ka njoftuar se si pjesë e Komitetit Ndërministror kanë mbajtur tri takime, në të cilat është diskutuar se si do të veprohet rreth organizimit, kërkesave për projektin për konservim dhe për restaurim të shtëpive të rezistencës. Ai thotë se ky projekt ka marrë kohë, por në takimin e fundit është vendosur që të konsultohen me kompanitë kompetente ose me organizatat të cilat lidhen me këtë veprimtari dhe njëri nga anëtarët që është me profesion arkitekt të kontaktojë në kompanitë që posedojnë ekspertë të këtij lëmi. “Besoj se shumë shpejt brenda javës tjetër do të kemi një raport, një kompani për këshillime, shumë shpejt do të veprojmë për hartimin e projektit të gjithmbarshëm ‘Adem Jashari’”, deklaroi ai.

Sipas Zogajt, nuk mund të themi se nuk është investuar ose shteti nuk ka bërë asgjë për këtë kompleks. Ai vlerëson se shteti gjithmonë ka pasur parasysh dhe ka investuar, por prioritet nuk kanë qenë në nivel. “Sipas meje, investimi i parë është dashur të bëhet në konservimin e shtëpive dhe jo në objekte përcjellëse. Por megjithatë kullat përderisa kanë qëndruar deri më tash, nuk do të na gjykojë koha deri në projektin që do ta bëjmë, sepse ky projekt do të bëjë shumë më shumë sesa projektet tjera për këtë çështje. Mendoj se do të jetë një projekt më i mirë, më i qëndrueshëm, që do t’i qëndrojë kohës, por edhe do t’i plotësojë kriteret e kërkesat e kohës”, konstaton Zogaj.

I pyetur se a do t’i rezistojnë kohës kullat e Jasharëve sikurse i kanë rezistuar luftës, Zogaj vlerëson se edhe pse nuk është investuar mjaftueshëm dhe janë në gjendje jo të mirë, do të arrijmë që ta ruajmë këtë memorial e do të ketë një projekt të dinjitetshëm, i cili do t’i prezantojë vlerat, sakrificën e popullit shqiptar. “Shteti ka investuar, por nuk ka caktuar prioritete. Sivjet do të fillojmë restaurimin për shpëtimin e kullave, kurse projekti do ta arsyetojë vonesën në kohë. Komiteti Ndërministror është themeluar kah muaji shkurt, ky komision është paraparë me ligjin, i cili është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ligji është aprovuar në dhjetor dhe ka hyrë në fuqi kah janari. Ligji i Veçantë për Kompleksin ‘Adem Jashari’, në kuadër të këtij ligji është paraparë të themelohet edhe Komiteti Ndërministror, do t’i zhvillojë procedurat për hartimin e projektit të përgjithshëm dhe jo vetëm për konservimin”, ka njoftuar Bislim Zogaj për “Zërin”, duke shtuar se shpreson të fillojë restaurimi, por nuk zotohet se përfundon këtë vit ngase procedurat në restaurim janë të ngadalshme dhe marrin kohë.

Qasja serioze ndaj monumenteve po mungon

Sali Shoshi, drejtor i zyrës “Cultural Heritage Without Borders” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) në Kosovë, ka vlerësuar se nga ajo çfarë ka parë në terren gjendja është shumë e keqe dhe është e pafalshme ajo që ka ndodhur për një kompleks, i cili ka aq vlera dhe aq simbolikë. “Nuk është se kjo është diçka që është e patrajtueshme. Ka ekspertizë të institucioneve ndërkombëtare që të konservohet një kompleks çfarë është ai i Jasharëve, por shihet se nuk ka pasur një qasje serioze prej Qeverisë së Kosovës e as prej Parlamentit të Kosovës”, thotë Shoshi për “Zërin”.

Ai konsideron se institucioni i cili merret me monumentet e luftës së fundit është institucion që është krijuar koti, për faktin se nuk ka parë që është bërë diçka serioze në këtë fushë, as në mirëmbajtje, as në restaurim e as në menaxhim. Shoshi vlerëson se është e pafalshme, ngase 20 vjet pas luftës nuk po mbrohen simbolet e rezistencës dhe nuk ka pasur gatishmëri të merren me këtë çështje.

Drejtori i CHWB-së thotë se megjithëse ka kaluar shumë kohë prapë më mirë të zgjidhet vonë se kurrë ky problem. “Çështja është serioze. Nënkupton se duhet një ekip i profesionistëve, i cili do të kishte analizuar gjendjen që është sot dhe t’i parashohin masat që duhet të ndërmerren për të intervenuar. Do të duhej të bëhej një pjesë e ekipit profesional për ta bërë një ekip tjetër, i cili do të bëjë njëfarë vizioni, qasje, aspekt të interpretimit, të informacionit, jo veç shpëtimi i ndërtesës, por edhe mënyra se si të funksionohet”, konstaton Shoshi.

Ai tutje thotë se duhet llogaritur që të krijohet një hapësirë e mundësi për fluksin e njerëzve që shkojnë atje dhe të ketë informacion të mjaftueshëm. E sipas Shoshit, është dashur që në mënyrë shumë të disiplinuar të trajtohet puna, por qasja serioze mungon.

Në anën tjetër, sipas historianit Bedri Muhadri, Memoriali i Jasharëve si monument personifikon specifikën e tërësishme të gjenezës së lirisë së Kosovës. “Memoriali si monumet i trashëgimisë historike personifikon specifikën e tërësishme të gjenezës së lirisë së Kosovës. Memoriali tregon rrugën e vështirë për t’u organizuar ushtarakisht në atë kohë, ku vepronin 30000 forca policore serbe pushtuese, që vepronin kundër përpjekjeve shqiptare për liri”, thotë Muhadri. Zëri

E kur flet për rëndësinë që kanë pasur si familje në aspektin historik, Muhadri thotë se duhet kujtuar edhe kohën që është dashur brenda mureve të shtëpive Jashari, me vetëdije të lartë për rreziqet fatale, të lindë shpirti kombëtar, i cili nuk shuhet sot e mot. Sipas Muhadrit, përderisa nuk shuhet edhe sot vlera e këtij shpirti, do të duhej t’u kushtohet kujdes të veçantë kullave të Jasharëve. Zëri