Lufta për ish-“Gërminë” vazhdon

Lufta për ish-“Gërminë” vazhdon

Kultura April 17, 2019 - 09:29
Lexo më shumë detaje
Image

Komuna e Prishtinës, Qeveria e Kosovës, organizatat për mbrojtje të trashëgimisë, por edhe qytetarët vazhdojnë të jenë të përfshirë në diskutimin se a duhet të ruhet objekti i ish-“Gërmisë” ose të rrënohet për ndërtimin e një salle koncertale. Komisioni Evropian që pritet ta financojë këtë të fundit insiston për një lokacion në qendër pa kufizime ligjore, shkruan sot gazeta "Zëri".

KE: Inkurajojmë debatet, shpresojmë të rezultojnë në identifikimin e vendit të përshtatshëm

Komuna e Prishtinës ende nuk ia ka ofruar Komisionit Evropian (KE) sigurinë që posedon një tokë të përshtatshme dhe pa kufizime ligjore, ku do ta ndërtonte një sallë koncertale të financuar përmes IPA-së, në të cilën ka aplikuar tash e disa muaj për fondin prej 15.4 milionë eurosh. Kjo Komunë si lokacion të përshtatshëm e konsideron vendit ku ndodhet sot ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, por kundërshtimi për rrëzimin ose qoftë edhe ndërrimin e pamjes së saj nuk ka munguar nga shoqëria civile. Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, nga Zyra për Medie e KE-së kanë rikujtuar se të gjitha projektet e financuara nga BE-ja duhet të plotësojnë një numër parakushtesh për të siguruar menaxhim të shëndoshë financiar dhe pajtueshmëri me rregullat në fuqi. Për projektet e ndërtimit në veçanti duhet të identifikohen vende të përshtatshme me pronësi të padiskutueshme, të përgatitet një studim fizibiliteti dhe të sigurohen lejet administrative. “Ne kemi kërkuar që Komuna e Prishtinës të paraqesë një propozim të një lokacioni që plotëson kriteret e mësipërme dhe i përshtatet qëllimit të synuar të objektit në fjalë. Një strukturë e kësaj rëndësie meriton një pikë referimi, vend lehtësisht të arritshëm, që lejon një përdorim të pandërprerë të objektit për qëllimin e synuar. Nëse identifikohet një vend i tillë i përshtatshëm mund të konsiderohet për mbështetje financiare nga zarfi i ndihmës së paraanëtarësimit të BE-së (IPA II), një komision i përbërë nga përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian. Më tutje ky institucion deklaron se debatet publike, si ky për ruajtën ose jo të objektit të ish-“Gërmisë”, janë të pranueshme dhe të pritshme, por që shpresojnë se çështja e lokacionit të zgjidhet shpejt. “Është e zakonshme që pyetjet në lidhje me planifikimin urban janë në qendër të debatit publik dhe ne inkurajojmë një debat të tillë që të zhvillohet edhe në Prishtinë. Ne shpresojmë se do të rezultojë në identifikimin e një vendi të përshtatshëm për atë që mund të jetë një pikë referimi e re në Prishtinë”, përfundon kështu deklarimi i KE-së.

MKRS: Do të gjejmë zgjidhje brenda ligjit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka futur më 11 tetor 2018 objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Ndërsa më vonë gjatë atij muaji Qeveria e Kosovës ka dhënë vendimin për shpronësim e ndërtesës së ish-“Gërmisë”. Megjithatë, në emër të mosrrezikimit të fondeve për ndërtimin e sallës koncertale, më 19 mars, Qeveria e ka ndryshuar vendimin. E ka hequr pikën tre dhe ka hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme.

Të kontaktuar prej gazetës “Zëri”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se vendimet në lidhje me objektin ish-“Gërmia” i kanë marrë duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe kështu do të bëjnë edhe më tutje. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si institucioni më i lartë përgjegjës për krijimin e mjedisit, zhvillimin e programeve politikave, strategjive dhe të legjislacionit për fushën e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë kulturore dhe të drejtës së autorit, mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve, asteteve dhe kujtesës historike të memories kolektive, e ka në fokus të vazhdueshëm si përcaktim për të qenë pjesë e vlerave civilizuese që transmetojnë, tregojnë dhe interpretojnë të kaluarën te brezat, por mbi të gjitha edhe si detyrim kushtetues dhe ligjor, të cilin detyrim institucioneve ua ngarkon Kushtetua”, ka deklaruar Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës Kujtim Gashit, duke shtuar se të gjitha veprimet dhe vendimet në lidhje me objektin ish-“Gërmia” i kanë marrë duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, i cili është në fuqi dhe detyrues për të gjitha institucionet, personat tjerë fizikë dhe juridikë që marrin pjesë në procesin e mbrojtjes dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. “Sa i përket vendimmarrjes së Qeverisë, kjo vendimmarrje ka një rrjedhë standarde se si përgatitet dhe ne si MKRS në këtë proces kemi shprehur gatishmërinë për t’u ulur për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhjet e duhura, por asnjëherë jashtë ligjit. Kontributi ynë në këtë proces është i regjistruar dhe ekziston, ndërsa për ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Qeverisë MKRS-ja nuk është organ i thirrur për të ushtruar kontrollin e ligjshmërisë ndaj vendimmarrjeve të Qeverisë”, ka shtuar këshilltari i ministrit.

Më tutje Hoxha ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit disa herë ka pasur korrespodenca me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me këtë çështje dhe të gjitha përqasjet e tyre kanë qenë, janë dhe do të jenë të bazuara në mandatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Ligjin për Trashëgimi Kulturore në lidhje me këtë çështje.

Rrënimi i ish-“Gërmisë” do të thotë humbje e gjurmëve të Prishtinës

Muharrem Ibrahimi, ish-zyrtar i Financave në ndërmarrjen tregtare “Gërmia”, e ka ende të freskët në kujtesë kohën kur filloi punën në këtë shtëpi mallrash në vitin 1975, e cila asokohe ishte ndërtuar rishtazi. Diskutimet për ta rrënuar këtë objekt dhe për ta ndërtuar aty një të ri nuk po i pëlqejnë ish-punëtorit të kësaj ndërmarrjeje. Duke shpalosur kujtimet e tij për “Zërin” ai thekson se nuk është kundër që Prishtina të bëhet me sallë koncertale, por që asaj mund t’i gjendet një lokacion diku tjetër në qytet pa u rrënuar ky i ish-“Gërmisë”. Për të vlera historike e shoqërore që e ka ky objekt për qytetin e Prishtinës është më e madhe se ajo financiare. Megjithatë Ibrahimi thotë se edhe në aspektin financiar ky objekt vlen shumë më shumë se 15.4 milionë eurot e premtuara nga Komisioni Evropian. “Shtëpia e Mallrave është në kujtimet e të gjithëve. Shumë gjenerata janë rritur aty. Aty i kanë blerë të gjithë gjerat e nevojshme i madh e i vogël. Shtëpia e mallrave ‘Gërmia’ ka qenë e furnizuar shumë mirë me të gjitha dyqanet dhe nuk ka munguar asgjë e nevojshme për çdo njeri asokohe”, kujton Ibrahimi. Ai nuk lë pa përmendur faktin se kjo ndërmarrje tregtare ka qenë atraksion dhe pikëtakim edhe për të rinjtë, studentë ose nxënës të shkollave të mesme. “‘Gërmia’ ishte pikëtakim për të gjithë. Të rinjtë e kalonin aty kohën e lirë. Mblidheshin e argëtoheshin. Kishte restorant dhe vende ku mund të tuboheshin e të kalonin kohën bashkë. Nuk kishte njeri që vinte në Prishtinë e nuk e vizitonte ‘Gërminë’”, thekson ish-financieri.

Si të gjithë, edhe ai ish-Shtëpinë e Mallrave e kujton edhe për një veçori, liftin dhe shkallët lëvizëse, të parat në Kosovë. “Është e vërtetë që është i pari objekt te ne që ka pasur shkallë lëvizëse. Ato u linin përshtypje të gjithë vizitorëve e veçanërisht fëmijëve. Shkallët lëvizëse kanë qenë në funksion deri në fund. Pa dyshim se ato janë një element i veçantë i kësaj ndërtese, duke qenë se ishin të parat në vendin tonë”, thotë Ibrahimi. E sipas tij kjo Shtëpi e Mallrave mund të mburrej edhe për cilësinë e restorantit. “E ka pasur restorantin shumë të mirë. Për atë kohë po flas, nuk ka pasur restorant me ushqim më të mirë në Kosovë. Ka qenë edhe i rregulluar shumë mirë. Aty çdo vit mblidhej edhe udhëheqësia e Kosovës por t’i festuar festat siç ishte viti i ri. Megjithatë e mira e kësaj Shtëpie të Mallrave ishin edhe çmimet e përballueshme pothuajse për të gjithë”, thekson ish-punëtori i ndërmarrjes “Gërmia”.

Sipas Muharrem Ibrahimit, roli i Shtëpisë së Mallrave në jetën shoqërore të asaj kohe dhe vlera kulturore, por edhe financiare e objektit të saj janë argumente të mjaftueshme që të mos i bihet daulles për rrënimin e objektit të saj, pasi që është pjesë e padiskutueshme e identitetit të Prishtinës.