Katër muze të zotuar, asnjë i realizuar

Katër muze të zotuar, asnjë i realizuar

Kultura prill 16, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje
Image

Katër projekte muzeore ishte paraparë të finalizoheshin këtë vit në Prishtinë. Komuna e Prishtinës në vitin 2018 pati nënshkruar marrëveshjen për themelimin e muzeut “Ibrahim Kodra” në Prishtinë në bashkëpunim me fondacionin me të njëjtin emër. Kryetari Shpend Ahmeti pati thënë se muzeu do të menaxhohet sipas Statutit për Muzeun e Prishtinës dhe do të vendoset në ndërtesën e ish-Bibliotekës së Qytetit në Tophane.

Komuna u zotua ta kthente në muze edhe shtëpinë trekatëshe të familjes Aliu, që ndodhet në lagjen “Kodra e Trimave”, e cila në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë. Ky vendim u mor në qershor të vitit 2018. Të restaurohej dhe të përdorej si muze përkujtimor ishte vendosur edhe për objektin e Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë, që ndodhet afër ndërtesës së Komunës së vjetër.

Njësoj si muzetë e lartpërmendur, edhe projekti për institucionin muzeor që do t’i dokumentojë krimet e luftës në Kosovë ka mbetur i pazë.

Edhe pse kryetari Ahmeti i pati vlerësuar si projekte serioze të Komunës në fushën e arteve pamore, këto ide kanë mbetur në heshtje.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar Blerta Bashollin, drejtoreshën për Kulturë në Komunën e Prishtinës, për të parë se deri ku ka shkuar puna në këto drejtime, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kurse për “Zërin” Yll Rugova, ish-drejtor në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se projektet për shtëpinë-shkollë të Hërticëve, pastaj projekti për muzeun “Ibrahim Kodra” dhe muzeu për luftën janë projekte që kanë filluar si bashkëpunim i shumë pjesëmarrësve që ndërlidhen profesionalisht dhe në forma tjera me fushat që trajtohen në këto muze. “Sipas dinamikës së punës që kishim, një pjesë e këtyre punëve tashmë do të duhej të kishte mbaruar. Për shembull muzeu ‘Ibrahim Kodra’ do të duhej të ishte i përfunduar tash. Kurse për muzeun e shtëpive-shkolla të Hërticëve tash do të duhej të nisnin punimet e realizimit. Por sipas informatave që kemi muzeu ‘Ibrahim Kodra’ është pezulluar tërësisht. Kurse për muzeun e shtëpive-shkolla e kanë anuluar konkursin e hapur për projekt. Pa ndonjë afat ose njoftim për rihapje”, njofton “Zërin” Rugova.

Ai ka theksuar faktin që Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë që ka vetëm një muze funksional. “Sa për informatë, Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë me vetëm një muze funksional. Përderisa Tirana dhe Shkupi për shembull i kanë nga më shumë se dhjetë”, tha Rugova. Ai vë theksin mbi rolin e muzeve, duke i vlerësuar si dokumentues për shkencën, artin dhe historinë. “Muzetë kanë rol informues dhe dokumentues për shkencën, artin dhe historinë. Si të tilla të domosdoshme për arsimimin e popullatës, për kujtimin e historisë e qe besa edhe si atraksion turistik për vizitorë të shumtë të brendshëm dhe të jashtëm”, vlerëson ish-drejtori për Kulturë, Rugova.

Se shtëpia e tyre që shërbeu si shkollë është bërë

muze vetëm “gojarisht” thotë edhe familja Hertica. Familjarët konfirmojnë për “Zërin” se hapa konkretë për kthimin e kësaj shtëpie në muze nuk janë ndërmarrë. “Kanë thënë se do ta bëjnë muze, por nuk është bërë asgjë konkrete. Është një pllakë që e kanë vendosur aty, por shtëpia ka mbetur në gjendje të njëjtë, nuk kujdeset askush përveç nesh”, ka thënë për “Zërin” Ekrem Aliu nga kjo familje.

Shtëpia-shkollë e Herticëve ka 12 dhoma, të cilat asokohe u ndanë në klasa, u caktua edhe kabineti i informatikës e oborri i familjes Aliu u improvizua edhe si fushë sportive. Përveçqë dha objektin në shfrytëzim, kjo familje u angazhua plotësisht në mirëmbajtën e kësaj shkolle dhe u kujdes për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për nxënësit për rreth nëntë vjet.

Gazeta “Zëri” e pati vizituar këtë shtëpi pak ditë pasi Komuna e Prishtinës mori vendimin ta kthejë në muze. Asokohe Ahmet Aliu i pati thënë gazetës se duke e lëshuar shtëpinë e re për shkollë vetëm e ka kryer një obligim ndaj atdheut. “Kjo shtëpi është ndërtuar nga unë e vëllai për të banuar në të. Por erdhi situata qysh erdhi, nxënësit i qitën në rrugë e u mbyllën shkollat.

Kështu vendosëm ta lëshojmë për shkollë. Unë jam i kënaqur që ata nxënës kanë mësuar në këtë shkollë e kanë marrë dije”, thoshte Aliu, duke çmuar lart sjelljen e shkëlqyeshme të atyre gjeneratave dhe bashkëpunimin me profesorët.

Te Herticët vazhdon të mungojë përkujdesja institucionale, konservimi dhe ruajtja profesionale e shtëpisë, si dhe një ciceron i caktuar që do t’i priste vizitorët.

Gjatë së hënës “Zëri” ka provuar të kontaktojë edhe me fondacionin “Ibrahim Kodra” për të marrë përgjigje lidhur me funksionalizimin e muzeut me emrin e artistit të madh në Prishtinë, por kjo ka qenë e pamundur.