Pantina ekspozon në Angli “Ikonografinë shqiptare”

Pantina ekspozon në Angli “Ikonografinë shqiptare”

Kultura April 15, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje
Image

Xhevdet Pantina, profesor në Fakultetin e Arteve, është i ftuar të hapë ekspozitën e tij të organizuar nga Universiteti i Cambridgeit. Pantina do të ligjërojë në panelin e konferencës shkencore “Dyndjet e skllaveve në Ballkan”.

Sipas tij, duke ekspozuar 30 piktura që i ka emëruar “Ikonografia shqiptare” atje do të prezantojë kulturën tonë.

Kjo hapësirë për Pantinën është një privilegj i madh, ngase nga 32 njësitë akademike në të cilat ofrohen hapësira për arte të ndryshme, që nga letërsia e deri te piktura, në njërën prej njësive do të ekspozohet edhe arti që e kultivon Xhevdet Pantina. “Opinioni më i mirë është kur të ftojnë edhe jashtë Jugosllavisë. Nuk është e thënë që duhet të kesh bashkëpunim vetëm me shtetet rajonale, por kur na ftojnë universitetet top 10-she të botës është nder vetëm si pjesëmarrës të jesh aty e lëre më si ligjërues”, tha Pantina.

Edhe këtë herë Pantina nuk është përkrahur nga institucionet kulturore e ai thotë se për t’u bërë kjo do të duhej të ketë njerëz adekuatë, që vlerësojnë financimin e artistëve të cilët punojnë edhe jashtë shtetit. “Në vitin e kaluar kur kam ekspozuar në Londër me katalog ka dalë edhe logoja e Ministrisë, mirëpo asnjëherë nuk jam përkrahur ose ndihmuar, kjo është një vërejtje. Kam bërë kërkesa, vitin e kaluar më saktë më është miratuar kërkesa, por pa arsye nuk është përkrahur. Kishte qenë mirë këta të Ministrisë të japin arsyetimin e tyre nëse kanë, që edhe pas miratimit të kërkesës nuk jam përkrahur”, tha Pantina për “Zërin”.

Ai thotë se ka kosto të lartë të ekspozove në shtetet e jashtme. Vitin e kaluar ai i ka pasur si dhuratë tavolinat për të ekspozuar nga Universiteti i Cambridgeit. “Këtë vit jam paraqitur kryesisht me një punim shkencor, që ka të bëjë me ikonografinë shqiptare, diku rreth 30 punime do të prezantohen. Kur dinë të të çmojnë është shumë e rëndësishme për punën e një artisti, vitin e kaluar është mirëpritur ekspozita. Është një sistem shumë funksional, i cili është për t’u vlerësuar nga atje, pikturat që ekspozohen në ekspozitë shfaqen edhe nëpër të gjitha fakultetet. Ka qenë një shikueshmëri e hatashme, për tri ditë është vlerësuar se kanë vizituar 5000 veta”, thekson Pantina, i cili njofton se pjesëmarrja në këtë ekspozitë nuk është përkrahur e përkundrazi kanë pasur veç tallje.

Pantina ka qenë anëtar në Këshillin Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ai thotë se në Kosovë kudo nëpër këto institucione po pate zë kritik je i padëshirueshëm dhe se kryesisht u jepet hapësira njerëzve të ndryshëm, ku ai e pranon se do të duhej të përkrahen njerëz të ndryshëm të kësaj fushe, por kur kemi të bëjmë me galeri të veçanta, me institucione të veçanta, duhet të jenë institucionet më fleksibile. “Ambasadorët më të mirë që e përfaqësojnë një shtet janë ata që përmes kulturës përfaqësojnë. Galeria e Arteve është institucioni më i lartë i arteve pamore ku mund të prezantohet një artist, Kosova ka artistë, ka kuadro, po flas me shumë kompetencë duke qenë vetë pjesë e saj, konfliktet e brendshme të artistëve mes vete duhet të mos bien pre e mosmarrëveshjeve që të mos ekspozohet. Dëmi më i madh që u bëhet institucioneve tona është që nuk janë njerëz kompetentë nëpër pozita përkatëse”, vlerëson Pantina.

Ai thotë se përderisa ka qenë pjesë e Galerisë kanë pas hartuar një rregullore, ku është shkruar se kush ka të drejtë të ekspozojë në Galeri, por ajo rregullore nuk ka gjetur zbatim. E ajo që sipas Pantinës zë vend në kritikë është se Galeria Kombëtare e Kosovës ka mungesë të uebfaqes, ku do të mundë të ekspozonte punën, ngjarjet dhe gjithçka rreth Galerisë. “Ministria e Punëve të Jashtme para tre vjetëve m’i ka bartur pikturat në Gjermani në ekspozitën që kam pasur, përndryshe në Kosovë nuk kam marrë përkrahje nga institucionet, herë pas here tek Universiteti kam gjetur mbështetje, nga kolektivi i cili është shumë bashkëpunues”, kujton ai.

Pas gjashtë muajsh Pantina do të ekspozojë në Manahjm - Gjermani, në Teatrin e Qytetit, ku do të paraqitet me ekspozitën “Identiteti im”. Në këto piktura të realizuara nga pedagogu i pikturës dhe vizatimit analitik Pantina spikat emocionet gjallëruese të një kujtese kolektive, ku autori i ka punuar ato përmes pozicionimit të ngjyrave të vrullshme në një hapësirë të papërcaktuar.