Kosova prezantohet në Festivalin e Stambollit

Kosova prezantohet në Festivalin e Stambollit

Kultura April 13, 2019 - 11:07
Lexo tjera detaje

Qendra Kinematografike e Kosovës në një komunikatë për medie ka njoftuar se Kosova do të prezantohet me delegacion në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që mbahet në Stamboll, në njërin nga festivalet më famëplotë në Ballkan.

“Meetings On The Bridge” është programi i dedikuar për industrinë e filmit të këtij festivali, ku Kosova do të marrë pjesë me një grup producentësh.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, në kuadër të prezantimeve të qendrave të filmit ka bërë prezantimin e mundësive që Kosova ofron për bashkëprodhimet ndërkombëtare. Po ashtu është njoftuar se si pjesë e delegacionit të Kosovës është edhe zëvendësministrja e Kulturës, Leonora Morina-Bunjaku, e cila bashkë me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, kanë marrë pjesë në koktejin e shtruar të Kosovës për artistët pjesëmarrës në këtë festival.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Stambollit këtë vit shënon edicionin e 38-të dhe vlerësohet se është një ndër festivalet më të mëdha në Ballkan. Përmes komunikatës për shtyp mësohet se Kosova dhe Turqia së shpejti pritet të nënshkruajnë marrëveshjen shtetërore të bashkëprodhimit në fushën e filmit, e cila pritet të hapë mundësi të mëdha bashkëpunimi në këtë fushë./ZËRI