Një vepër e veçantë

Një vepër e veçantë

Kultura prill 12, 2019 - 11:20
Lexo më shumë detaje

 Rexhep Goçi   

Lexuesit shqiptarë kishin perceptime aty-këtu me ndonjë shënim jo të plotë për artistët shqiptarë, të cilët jetonin dhe vepronin jashtë gjeografisë shqiptare në periudha të ndryshme kohore, nga mesjeta e hershme e deri në shekullin XIX. Këtë paqartësi perceptimi, që ka mbretëruar për shumë kohë te ne, e ka shndritur me kujdes dhe me punë studimore artisti i shquar Shyqri Nimani me dy monografi: “Arnavud - artistët shqiptarë në Perandorinë Osmane”, Prishtinë, 2003 dhe “Albanese - artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane”, Prishtinë, 2018.

Ky krijues i mirëfilltë ka bërë hulumtime nëpër shtigje artistike dhe ato hulumtime i ka shtjelluar e i ka ilustruar në mënyrë profesionale, duke e parapëlqyer idenë e njohjes, që zakonisht ka dy kahe - analitike dhe sintetike. Prandaj puna e tij e palodhshme në aspektin hapësinoro-kohor është e materializuar me të dhëna burimore dhe me veçori kualitative.

Ne kësaj radhe do të bëjmë fjalë për monografinë “Albanese”, në të cilën artisti e ka shfrytëzuar me shkathtësi trinomin e suksesit: perceptimin, argumentin dhe posedimin, duke i dhënë në këtë mënyrë veprës së tij dimension përmbajtjesor në rrjedhën e shekujve.

Brenda kopertinave të monografisë, me 128 faqe, Shyqri Nimani në mënyrë kronologjike dhe përmbajtjesore e ka shtrirë një tekst të rrjedhshëm historik me dëshmi autentike të kohës për kontributin e artistëve shqiptarë në fushat përkatëse, duke e pasuruar edhe me 175 artefakte dhe reprodukime cilësore.

Në hyrjen e librit ka shestuar tri segmente të botës krijuese në periudha të ndryshme historike, të dhëna interesante nga lufta shqiptaro-venedikase 1447 - 1448, ekspedita ushtarake e Skënderbeut në Itali në vitet 1460 - 1462, krishterimi në Shqipëri, me muzikologë Niketë Dardanin dhe Jan Kukuzelin. Ndërsa në vështrimin qendror ka shtjelluar: artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane, shkollën e shqiptarëve në Venedik e duke e pasuar me artistë, si: Andrea Aleksi (1425-1505), Viktor Karpaçi (1455-1526), Mark Bazaiti (1470-1530), Mihali nga Vlora (shek. XV) Mihal Trivoli-Artioti (1475-1556), Kodeksi i Kostumeve, Leonik Tomeu (1456-1531), Marin Biçikemi (1468-1526), Gjergj Danush Lapacaji, Vëllezërit Bernardin dhe Matej Vitali, Aleks Torketa (shek. XVI), Merkur Bua (1478-1542), Gjergj Basta (1544-1607), Villa Albani në Romë etj.

Këta krijues të shquar, që me veprat e tyre shkencore e artistike e kanë pasuruar rilindjen evropiane, për herë të parë paraqiten në një vëllim të veçantë duke iu falënderuar iniciativës individuale të Shyqri Nimanit. Një punë e tillë nuk ka qenë e lehtë duke i llogaritur peripecitë e hulumtimit dhe koston materiale, por dashuria për artet e bukura ia ka shtuar forcën e besimit për të realizuar misionin e tij prej intelektuali. Me “Arnavud”-et e krahut lindor dhe me “Albanese”-t e krahut perëndimor lexuesve shqiptarë ua ka lënë një trashëgimi të pasur kulturore.

Në këtë vëllim bëhet fjalë për muzikologë, që kompozuan himne për lavdërimin e perëndisë dhe formuan sisteme muzikore për krishterimin, për shumë piktorë të shquar që tablotë e tyre sot ruhen në muzetë e Venedikut, të Milanos, të Bergamos, të Vjenës etj.

Shyqri Nimani i ka zbërthyer me përkushtim personalitetet e popullit shqiptar që kishin bërë emër gjatë shekujve në fusha të ndryshme të diturisë, në poezi, pikturë, skulpturë, arkitekturë, teologji, filozofi etj. dhe madje kishin dhënë kontributin e tyre nëpër shumë qytete të Italisë, në Venedik, Padovë, Milano, Romë dhe në bregdetin dalmatin, në Zarë, Shibenik, Split, Trogir etj.

E themi me bindje se monografia “Albanese”, e sistemuar me saktësi profesionale, është (do të mbetet) paradigmë shkencore dhe artistike për të gjithë ata që e kanë kryefjalë ngritjen intelektuale dhe artikulimin e të bukurës.

Vepra është përgatitur me lidhje të fortë, me letër kualitative, është e pajisur me shënime bibliografike dhe është dizajnuar nga autori me një formësim estetik. Është shtypur në “Editrce Valer”, Bergamo, Itali.