Nishliu rikthen këngën e Muharrem Qenës

Kultura April 12, 2019 - 11:18
Lexo më shumë detaje

 

Këngëtarja Rona Nishliu ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor. Kënga e saj e re, e cila është ripërpunim i këngës së njohur “O vendi im”, mban titullin “Mallëngjimi”.

Në fakt kënga ka dalë në prag të nxjerrjes në shitje të albumit të dytë të kuartetit të Rona Nishliut, që do të titullohet “Mindil”. Kjo këngë është paralajmërim për albumin e dytë të kuartetit, që promovohet me koncertin premierë në Prishtinë më datën 24 prill.

Me kompozim dhe me tekst të kantautorit e veprimtarit Rashid Krasniqi, me interpretim të paharrueshëm të Muharrem Qenes, kjo këngë vjen në një variant të përpunuar nga “Rona Nishliu Quartet” si një falënderim i përzemërt për krijuesin dhe interpretuesin e dedikim për të gjithë ata që jetojnë me zjarrin dhe me mallin për vendlindjen, familjen, lagjen e fëmijërisë.

Albumi i parë i këtij kuarteti i titulluar “Me motive tonat” është një kombinim i muzikës xhaz dhe asaj tradicionale shqiptare, ndërsa këngët janë aranzhuar për orkestrimin nga Edon Ramadani dhe Gent Rushi. Albumi përbëhet nga këngë të ndryshme të trevave shqiptare, që janë: “Me motive tonat”, “Moj e bukura More”, “Vare-vare”, “Nji lule”, “Ke pjeshka”, “Amon kom nji babe”, “Moj e bukura gjitone”, “Po shkon goca” dhe “Moj e majr e hollë e gjatë”.