Së shpejti në shtije biletat e “Sunny Hill Festival”

Së shpejti në shtije biletat e “Sunny Hill Festival”

Kultura April 12, 2019 - 11:13
Lexo më shumë detaje

 

Festivali më i madh ndërkombëtar i muzikës “Sunny Hill Festival” këtë vit do të mbahet më 2, 3 dhe 4 gusht. Vitin e kaluar “Sunny Hill Festival” mblodhi rreth 50.000 njerëz për tri ditë dhe net rresht pandërprerë, ndërsa këtë vit pritjet janë që ky numër i pjesëmarrësve të rritet edhe më shumë.

Për gazetën “Zëri” Alban Kastrati, pjesë e ekipit organizativ të “Sunny Hill Festival”, ka treguar se puna intensive për këtë edicion po vazhdon. “Këtë vit kemi filluar shumë më herët përgatitjet. Dihet tashmë se festivali ‘Sunny Hil’ sivjet mbahet më 2, 3 dhe 4 gusht. Është një vikend i plotë, tri ditë dhe tri net pa ndërprerë festivalin. Sërish ky festival do t’i sjellë rreth 40 artistë, vendorë e të huaj”, bëri të ditur Kastrati.

Festivali do ta ruajë karakterin e tij, duke nisur me muzikë pop natën e parë, hip-hop në të dytën dhe elektronike në të tretën. Megjithatë Kastrati thekson se pavarësisht lakimit të shumë emrave të muzikantëve nëpër medie, si organizatorë ende nuk janë gati të konfirmojmë emrat e pjesëmarrësve. “Do të përpiqemi të sjellim emra të rëndësishëm muzikorë, por një hapësirë do t’ua lëmë edhe artistëve lokalë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, sepse është në natyrën e Festivalit. Duam të bëjmë një kombinim të mirë që i pëlqen masës”, tha Kastrati.

“Sunny Hill” në këtë edicion do të ketë një skenë kryesore dhe dy skena të tjera, njëra prej të cilave do t’i dedikohet muzikës akustike, kurse dy të tjerat do të jenë të dedikuara për koncertet para dhe pas artistit kryesor të natës.

Sa u përket biletave, Kastrati tha se një pjesë e tyre do të jetë në shtije së shpejti. Ai bëri të ditur se çdo biletë do të jetë treditore, pra do t’i përfshijë të tri netët dhe nuk do të ketë bileta njëditore. “Jemi duke u bërë gati të lëshojmë në shitje grupin e parë të biletave. Natyrisht se ato do të jenë me lirë për entuziastët e festivalit që do t’i blejnë në këtë fazë, por më herët. Pas kësaj do të nxjerrim në shitje edhe grupet e tjera të biletave”, tregoi Kastrati.

Rikujtojmë se edicioni i parë i “Sunny Hill Festival” ka bërë bujë të madhe në mediet ndërkombëtare, duke marrë ballinat e “New York Times”, “The Guardian”, “Vogue”, MTV, BBC, “Reuters”, “New Musical Express” dhe dhjetëra medie të tjera me peshë