Lansohet projekti për digjitalizimin e bibliotekave

Lansohet projekti për digjitalizimin e bibliotekave

Kultura prill 10, 2019 - 15:27
Lexo më shumë detaje
Image

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka filluar edicionin e 17-të, të Javës së Bibliotekës me temë “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar”. Veprimtari kjo e cila do të mbahet gjatë kësaj jave deri më 14 prill.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare para të pranishmëve tha se kjo javë hap debatin për të trajtuar njohuritë tona, dijet bibliotekare, përvojat tona të përbashkëta dhe të veçanta.

“Është edhe një festë që përpiqet të jap mesazhin se sa kanë bibliotekat rëndësi, një festë që tregon se sa shumë dije ruhet brenda tyre nga ajo që nuk e dijmë, sa mundësi ka për ta bërë përdoruesin të kënaqur që të gjejë atë që kërkon, bile për ta bërë edhe të mërzitur për atë që nuk mund të ofrojë biblioteka”, u shpreh Gajraku.

Ai tutje tha se Java e Bibliotekës është për t’i nxitur të gjithë për një festë e debat, të vetëdijsimit të bibliotekës.

Gajraku njofton se, Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me bibliotekat publike të qytetit të Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Therandës, Rahovecit, Malishevës dhe të tjera do të organizojnë programe që përfshijnë sesione të veçanta në fushën e biblotekarisë, promovime librash, tryeza diskutimesh për politikat e qeverive lokale, për zhvillimin e bibliotekave, punëtori, ekspozita dhe aktivitete të tjera që promovojnë rolin e bibliotekave.

Në kuadër të kësaj jave është lansuar edhe projekti për digjitalizimin e bibliotekës, Gajraku thotë që ky sistem do ta ruajë trashëgiminë e shkruar intelektuale.

“Biblioteka pas shumë vështirësive, do të bëjë hapjen e parë në arenën digjitale, që nis sot me digjitalizimin e njësisë së parë, me gazetën “Rilindja” të datës 12 shkurt të vitit 1945. Kjo bibliotekë do të shërbej si sistem duke u ruajtur në sistemin afatgjatë trashëgimia e shkruar intelektuale e Kosovës, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare të ruajtjes”, theksoi drejtori i bibliotekës.

Image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli para të pranishmëve vlerësoi se kjo ditë është e vecantë që nga momenti kur kujtojmë sakrificat për ta bërë bibliotekën ashtu si funksionon sot. Megjithatë ai u shpreh se është i emocionuar kur viziton këtë objekt që i ngjallë kujtime.

“Sa herë që vij në këtë ambient ndjehem mirë, për mua personalisht është pjesë e emocioneve. E kujtoj si sot ditën e parë kur kam ardhur si 18 vjeçar, në vitin e parë të studimeve. Nuk e di nëse ka ndonjë ndërtesë e cila më bën më shumë përshtypje se kjo e bibliotekës. Kemi kaluar momente duke lexuar këtu, momente të gëzimit rinor, entuziazmi e në të njëjtën kohë edhe sakrifice. Gjithë këto emocione e bartin edhe pjesën e përgjegjësisë që kemi sot, si njerëz, qytetarë të këtij vendi të lirë, si përgjegjës institucional”, vlerëson Veseli.

Ai tutje ka thkesuar se me lansimin e projektit të digjitalizimit të bibliotekave tona, i ofrohet një mundësi studentëve tonë të jenë të barabartë me studentët e vendeve tjera.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se jemi këtu të flasim për përkrahjen që duhet t’i jepet bibliotekës, që në kohën që revolucioni i informacionit i ka vë në presion të madh bibliotekat tona, jemi ne që do të duhet t’i ndihmojmë ato që të gjejmë rrugën e duhur. Por edhe, që të mund të ushtrojmë ndikimet e tyre jo vetëm në fushën e dijes për informacionin por të kenë fuqinë e ndikimit arsimor, kulturor e social. Sipas Gashit, informacioni duhet të përdoret si mjet zhvillimi.

“Qeveria e Kosovës ashtu si ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën, për librin e kulturën në përgjithësi, drejtpërdrejtë apo ndërmjet institucioneve bartëse të saj do të vazhdoj ta përkrahë edhe zhvillimin e bibliotekave”, tha minstri Gashi.