Ndahet nga jeta regjisori Qerim Mata

Ndahet nga jeta regjisori Qerim Mata

Kultura March 22, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje

 

Në moshën 85-vjeçare është ndarë nga jeta regjisori i filmave kronikalë dhe dokumentarë Qerim Mata, i cili është bërë i njohur si Lefter Lefteri në filmin “I teti në bronx”. I lindur në Tiranë në tetorin e vitit 1934, Mata pas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve për aktor filloi punë në kinostudion “Shqipëria e re” si asistent-regjisor, ndërsa në vitin 1972 xhiroi si regjisor i pavarur filmin dokumentar “Motive dibrane”, i cili u pasua nga 35 të tillë me tema, subjekte e motive të larmishme.

Filmi muzikor “Udhëtim në pranverë” i vitit 1975, falë një strukture të lehtë subjektore -rrugëtimit të një çifti të dashuruarish nëpër peizazhet industriale, bujqësore e mjedisore të vendit, solli disa nga këngët më të bukura të kohës.

Siç vlerësohet, ajo që krijon profilin e tij është lëvrimi i filmit dokumentar, ku vendin kryesor e zënë shqetësimet dhe problemet që lidhen me jetën e përditshme të njeriut të kohës, ndër ta: “Nëpër rrugët e një qyteti”, “Porti i Durrësit”, “Një ditë në trase”, “Me detare e linjave të largëta”, “Fshati Llukaj” e “Tregim për njeriun e punës”.

Në vëmendjen e tij janë afruar edhe tema të tjera, qoftë ato nga historia dhe heronjtë e saj, nga shkolla dhe mësimdhënia, fizkultura dhe sportet, arti dhe bukuria e tij e deri te mjediset dhe peizazhet joshëse të vendit, si “Lufton djali, Lufton plaku, Lufton Mujo Ulqinaku”, “Kujdes”, “Teatri partizan”, “Spartakiada” e “Valbona”.

Një mori reportazhesh bëjnë pjesë në ndihmesën e tij ndaj këtij lloji të filmimeve televizive, ku mund të përmenden edhe “Reportazh në zonat e dëmtuara nga tërmeti” dhe “Tërmeti u mposht”.