Festivali “Unum” në Shqipëri, epiqendër e muzikës për vitin 2019

Festivali “Unum” në Shqipëri, epiqendër e muzikës për vitin 2019

Kultura March 22, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje

 

Muzika botërore do të dëgjohet në Shëngjin për mijëra të pranishëm dhe Rëra e Hedhur do të jetë epiqendra e muzikës në fillimverën e ardhshme. Në datat 31 maj deri më 2 qershor në zonën turistike të Shëngjinit do të mbahet festivali ndërkombëtar “Unum Festival”.

“Unum Festival” ka mbajtur konferencën zyrtare për medie në lokacionin e festivalit te Rëna e Hedhur në Shëngjin. Folës ishin ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, drejtori artistik Mousa Caseey, drejtori i shitjes dhe i marketingut Grego O’Halloran dhe prefekti i qytetit Gjergj Prendi. “Jemi të gëzuar që djemtë e ‘Unum Festivalit’ kanë ardhur nga Kosova për të organizuar diçka në Shëngjin. Kjo ka shumë rëndësi për ekonominë e vendit dhe për bizneset lokale. Shpresojmë që t’u ofrojmë mikpritjen e duhur që djemtë të vijnë edhe vitin e ardhshëm të vazhdojnë planin e tyre e të vazhdojnë pse jo, në Lezhë po edhe në vendet tjera. Kanë mundësi të zgjedhin Kroacinë e Rumaninë, por zgjodhën Shqipërinë dhe për këtë duhet të jemi krenarë”, është thënë në konferencë.

Drejtori artistik, Mousa Ceesay, ka përmendur një rast personal, gjë që thotë se e ka bërë atë edhe më të gëzuar që po jetëson një projekt të tillë në tokën shqiptare. “Gjatë luftës në Ballkan familja ime mori në shtëpi një familje shqiptare me mbiemrin Zeqiri dhe ne realisht u bëmë familje prej gjaku. Qëllimi ynë është të sjellim sa më shumë artistë ndërkombëtarë bashkë me simpatizuesit e tyre dhe po ashtu esenciale është të ngremë dhe të punojmë me artistët lokalë”, tha ai.

“Into the Pines” do të emërtohet vendi i aktivitetit që do të zhvillohet gjatë 24 orëve ku emra të mëdhenj, artistët rajonalë dhe një përzierje e stileve alternative e eksperimentale muzikore do të ofrohen në një vend si Rëra e Hedhur. Se cili është koncepti i festivalit “Unum” në uebfaqen e festivalit mësohet se koncepti i futur është fillimi i diçkaje të re dhe emocionuese. Ky koncept karakterizohet nga pesë elementë të thjeshtë të jetës, muzika, rëra, pisha, deti dhe malet. Nga data 31 maj deri më 2 qershor 2019, këto elemente do të bashkohen për të formuar një festival elektronik të muzikës elektronike në bregun shqiptar të Shëngjinit. “Unum” në latinisht do të thotë “Një”. Siç shpjegohet, nuk është një si një numër ose matje, por një si një e tërë. Përhapur në tri faza përgjatë plazhit të Rëra e Hedhur, artistë ndërkombëtarë si Ricardo Villalobos, Adriatique dhe Joseph Capriati do të fonizojnë këtë përvojë të lumtur në një parajsë të izoluar. Festivali do të mbahet te Rëna e Hedhur, në qytetin e Shëngjinit, në bregun idilik shqiptar, ku do të organizohen 60 akte ndërkombëtare e lokale gjatë 4 ditëve dhe 3 netëve.