Çuli: Letërsia nuk është kullë e fildishtë

Çuli: Letërsia nuk është kullë e fildishtë

Kultura March 21, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje

 

Një nga librat më të njohur të Diana Çulit ka qenë “Dreri i trotuareve”. Ky libër, që këtë vit shënon 30- vjetorin në treg, është botuar me vonesë dhe është pëlqyer shumë nga publiku. “Nuk e kam kuptuar çfarë e bëri aq të dashur këtë libër. E kam shkruar në fillim viteve ’80-të, e dorëzova në shtëpinë botuese në ’83-shin dhe nuk ma botuan. Nuk më thanë që kishte gabime, por ma lanë në sirtar. U botua me ’89-n”, tha Diana Çuli në një bisedë në takimet “Letërsia dhe qyteti”, e mbajtur nga Alda Bardhyli në Kosovë.

Në kafenenë “Sonder” të Prishtinës, Çuli tha se dëshira për të mos hequr dorë e ka bërë të mos i ndahet asnjëherë letërsisë, ndonëse letërsia nuk pasohej me kritika për librin. E pyetur se sa e ndjek letërsinë e Kosovës, ajo është përgjigjur se ka vend për organizim më të mirë që të ketë njohje të ndërsjellë të letërsisë. “Televizioni e bën të veten, ne e shohim njëri-tjetrin. Mund të kishim tryeza ose takime më të shpeshta, të diskutonim me autorë. Kam përshtypjen se taksat e kanë penguar qarkullimin e librave”, ka thënë Diana, duke shtuar se botuesit ankohen për pagesat e larta që bëjnë për librat. “Mund të them se ne të kulturës jemi më të lënë pas dore në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Shkrimtarja qe ulur në mes të akademikut Ali Aliu dhe studiueses së letërsisë Alda Bardhyli, foli për letërsinë në dy kohë.

Shkrimtarja Çuli kujtoi vizitën e saj të parë në Prishtinë si studente e prej asaj kohe për të është gjithmonë kënaqësi kur kalon pseudokufirin. “Nuk më duket më kufi ai. Sidomos tani që e kemi bërë me një kalim, mbase nesër nuk do të kemi kufi fare. Kur kam ardhur për herë të parë në Prishtinë më dukej një ëndërr, më dukej e pamundur që mund të vinim”, tha ajo.

Rrëfeu se si kishin përshkuar Malin e Zi në një ditë dimri nga mesi i viteve ’70-të, kur Tirana qe ngufatur nga trysnia ideologjike, kur diktatura kishte filluar të godasë grupe të ndryshme dhe atë vit sapo e kishte goditur edhe grupin e kulturës.“Të gjithë ishin të ndrydhur në Tiranë. Edhe Festivali i Këngës u transformua. Atë vit u bë vetëm opera, nuk kishte më as muzikë të lehtë, se quhej e gabuar dhe u bë një ndrydhje e tmerrshme. Kishte rënë edhe ekonomia dhe ne ishim në errësirë”, ka rrëfyer ajo.

Ndër vuajtjet e tjera të asaj kohe që ka përmendur qe edhe pritja në radhë me orë të tëra për të marrë qoftë një litër qumësht.

Kryeqyteti i Kosovës thotë se i qe dukur si Evropë, po ndienin ngrohtësinë se këtu njerëzit flisnin shqip dhe dikush kishte ndonjë të afërm andejpari. Asaj atëbotë i kishte bërë përshtypje kontradikta mes mendimeve të studentëve shqiptarë dhe atyre të Kosovës. Për këta mban mend se i kishin thënë se ju mund të jeni të varfër, por jeni të lirë. Çuli përmendet për futjen e zërit të gruas në letërsinë shqipe që në vitet ’80-të kur femrat në letërsi ishin të pakta. Romani që u përmend gjatë diskutimit qe “Një lindje e vështirë”, që ishte shkruar vitet ’70-të nga shkrimtarja Elena Kadare.