Sezoni i koncerteve i vë artistët nën llupën e ATK-së

Sezoni i koncerteve i vë artistët nën llupën e ATK-së

Kultura mars 20, 2019 - 10:12
Lexo më shumë detaje
Image

Periudha e vjeljes së të hyrave nga këngëtarët po afrohet. Me shtimin e aktiviteteve dhe të veprimtarive të ndryshme artistike në sezonin e verës shtohen dhe të hyrat buxhetore nga artistët, të cilat duhet të raportohen dhe të paguhen në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës, të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, kanë bërë të ditur se për vitin 2017 kanë pasur të hyra nga kategoria e këngëtarëve dhe e muzikantëve mbi gjysmë milioni euro. Ndërsa në vitin 2018 kjo kategori e tatimpaguesve ka deklaruar dhe ka paguar 613.754 euro. Administrata Tatimore e Kosovës paralajmëron aktivitete sezonale shtesë për kontrollimin e këngëtarëve për të parë nëse ata paguajnë tatim në fitimet e tyre. Madje premtojnë se do t’i gjobisin ata këngëtarë që ndryshe deklarojnë të hyrat e ndryshe marrin.

Siç rikujtohet nga ATK-ja, çdo person ose subjekt, duke përfshirë këtu edhe këngëtarët, i cili ushtron veprimtari ekonomike nga e cila krijon të ardhura, është i obliguar të regjistrohet  në ARBK, të pajiset me numër fiskal në ATK për t’i deklaruar të ardhurat e realizuara dhe për t’i paguar tatimet konform ligjeve në fuqi. “Dispozitat ligjore mundësojnë që për të gjithë ata tatimpagues, në këtë rast këngëtarët, në rast se nuk i kryejnë obligimet e krijuara në ATK, atëherë personave në fjalë me kërkesë të ATK-së u bllokohen llogaritë bankare, u vihen ndalesa në kufi, si dhe u konfiskohet pasuria e tyre”, për gazetën “Zëri” njofton ATK-ja.

Në anën tjetër, shumë artistë vazhdimisht deklarojnë se nuk i mbesin borxh shtetit, por shpesh në medie raportohet për moskryerje të këtyre obligimeve nga ta.

Hajrush Behluli, menaxheri i këngëtares Shkurte Fejza, ka thënë për “Zërin” se Shkurtja paguan rregullisht tatimin prej vitit 2002, kur është themeluar ATK-ja. “Jemi të kujdesshëm në këtë punë. Kemi paguar edhe atëherë kur nuk na është kërkuar një gjë e tillë nga askush. Mendoj se çdo njeri duhet të paguajë tatim për fitimet e veta”, tha Behluli duke theksuar se tatimet nuk janë as të larta e as të ulëta, por edhe për të problemi qëndron te Ligji për të Drejta Autoriale që nuk aplikohet. E sipas tij, jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk është i kujdesshëm në punën e kryerjes së obligimit të tatimeve nga artistët, për të mos thënë se nuk paguajnë hiç. “Në parim kemi shkuar me pagesa që nga dita e parë kur s’e kanë ditur njerëzit çka është tatimi. Kemi paguar tatim edhe para luftës kur Shkurta shkonte në Gjermani me vetëdëshirë. Për këtë fushë tatimi është 9-10 për qind dhe realisht nuk është shumë e madhe”, thekson Behluli.

Edhe këngëtari Afrim Muçiqi ka deklaruar për “Zërin” se është i rregullt në këtë aspekt. “Po, normalisht se paguajmë. Unë mendoj se tatimet nuk janë të larta, por nuk është rregulluar kjo çështje me ligj, sepse ne tatimohemi kurse e drejta e autorit nuk është ende funksionale në shtetin e Kosovës”, shprehet Muqiqi që theksin e vë te problematika e Ligjit për Autorësi. “Ne tatimohemi, kurse të drejtat tona autoriale absolutisht nuk mbrohen. Tematikë kjo që është duke e munduar shoqërinë tonë qe sa vite. Prej pasluftës jam tatimpagues i rregullt, pastaj pretendimet e ATK-së kanë qenë prej më të ndryshmeve, ata gjithmonë kanë interes të mbledhin sa më tepër mjete, ato të cilat i deklaroj normalisht se i paguaj”, tha Muçiqi.

Edhe reperi Arian Agushi zotohet se nuk i ka asnjë cent borxh shtetit të Kosovës sa i përket punës së tatimeve. “I paguaj me rregull, nuk kam diçka që nuk kam deklaruar dhe nuk kam paguar. Për dikë tatimet mund të jenë të larta, për dikë nuk janë, por personalisht kur e jap mbështetjen time nuk më duket e lartë”, tha Agushi, duke shtuar tutje sikurse edhe të gjithë artistët e tjerë se shpreson që me kalimin e kohës Ligji për Autorësi të rregullohet. “Jemi shtet i ri dhe ne jemi ata që do të duheshim të kontribuojmë për shtetin. Është populli ai që na mban neve këngëtarëve dhe ne ata, që do të duheshim t’i kontribuonim shtetit”, përfundon fjalën e tij Agushi.

Në anën tjetër nga ATK-ja deklarojnë se këngëtarët përgjithësisht paguajnë tatim, por ka raste që ka pasur edhe shmangie tatimore. “Procedura e deklarimit dhe e pagesës së tatimeve janë të njëjta për të gjithë tatimpaguesit, por dallojnë normat tatimore, varësisht nga mënyra e realizimit të të ardhurave”, njofton ATK-ja.

Se sa i ikin tatimeve artistët dhe si penalizohen nga zyra për medie e ATK-së kanë thënë se ka raste kur këngëtarët ose klubi u shmangen tatimeve dhe me këtë rast Administrata Tatimore e Prokuroria ndërmarrin veprime penale ndaj tyre. Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim që të sigurojë një nivel të lartë të përmbushjes tatimore, njësoj për të gjithë tatimpaguesit, është e përqendruar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve. Njëherësh paralajmëron se ATK-ja për çdo vit vepron sipas planeve operative, të cilat  ndërmerren nëpër terren në mënyrë që të sigurojë dëshmi të ndryshme në lidhje me të hyrat që realizojnë të gjithë personat fizikë dhe juridikë, me theks edhe për profesionistët e kulturës. “Duke u bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre periudhave, si dhe duke u bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme ATK-ja e bën vlerësimin tatimor edhe për kategori të tatimpaguesve sikurse edhe për të gjitha kategoritë tjera dhe i ngarkon me tatim shtesë, duke vendosur edhe ndëshkimet e parapara me legjislacion  nëse ata nuk kanë paguar shumën e nevojshme të tatimit, duke u bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë”, njoftojnë ata.

Image