Panairit të Librit në Lajpcig i bashkëngjitet Shqipëria

Panairit të Librit në Lajpcig i bashkëngjitet Shqipëria

Kultura March 19, 2019 - 10:16
Lexo më shumë detaje

 

Nga një njoftim i Ministrisë së Kulturës në Shqipëri mësohet se letërsia shqipe do të jetë e pranishme në Panairin e Librit në Lajpcig nga data 21 deri më 24 mars. Një program i pasur takimesh janë të organizuara në stendën e Ministrisë së Kulturës, në stendën e rrjetit “Traduki”, si dhe në hapësira të tjera të panairit dhe jashtë tij. Dy autorë të ftuar nga Ministria e Kulturës janë Lisandri Kola dhe Saimir Muzhaka, po ashtu të ftuara janë edhe dy autore e përkthyese të ftuara nga rrjeti “Traduki” dhe rezidenca e përkthyesve në Berlin, Lindita Arapi e Anrila Spahia (Ana Kove).

Në njoftim cilësohet se është kthyer në traditë tashmë dhe paraqitja e katalogut në anglisht me veprat më të suksesshme të një viti më parë të cilin Ministria e Kulturës e propozon për shtëpitë e huaja botuese. Në katalog janë të përfshirë veprat dhe autorët që kanë fituar çmimet më të rëndësishme të vitit 2018.

Henrik S.G. me “Sonatë për gruan e një tjetri” është fitues i Çmimi Kombëtar të Letërsisë, i akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, pastaj Ardian Kyçyku me “Ati” është shpërblyer me Çmimi i Autorit të Vitit nga akademia “Kult”.

Virgjil Muçi me “Piramida e shpirtrave”, që ka marrë çmimin “Kadare” nga fondacioni “Mapo”, Brajan Sukaj me “Ciklopi” ka rrëmbyer “Çmimi për Krijimtarinë më të Mirë të Vitit”, i akorduar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Mitrush Kuteli (in memoriam) me “Përralla të moçme shqiptare” – Çmimi i Bibliofilisë, i akorduar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

Janë përfshirë gjithashtu në këtë katalog shkrimtarët më të suksesshëm për vitin 2018 me botimet e tyre jashtë vendit, si Ridvan Dibra, i nominuar për çmimin “Ballkanika” me romanin “Legjenda e vetmisë”. Gjithashtu ky roman i përkthyer në frëngjisht nga përkthyesja Evelyne Noygues dhe i botuar nga shtëpia botuese “Le Ver à Soie” është përzgjedhur në 5 librat më të mirë për Çmimin e Përkthimit të vitit në Francë.

Luljeta Lleshanaku, libri i së cilës “Negative space”, i përkthyer në anglisht nga Ani Gjika, është botuar në Angli nga “Bloodaxe Books” dhe në Amerikë nga “New Direction”. Libri është ishte gjithashtu i përzgjedhur në 5 librat më të mirë për PEN Literary Award for Poetry in Translation.

Për herë të parë në katalogun e autorëve janë përfshirë edhe dy përkthyeset më të suksesshme të vitit për përkthimet nga gjuha shqipe, Ani Gjika, përkthyesja e librit të Luljeta Lleshanakut “Negative space”, finaliste për PEN Literary Award for Poetry in Translation, Evelyne Noygues, gjithashtu finaliste për Çmimin e Përkthimit më të Mirë në Francë.

Takimi më i rëndësishëm në stendën e Ministrisë së Kulturës do të jetë të premten më datë 22 mars,në orën 16:30, me temë “Përkthimi, thembra e Akilit e letërsisë shqipe”.

Kurse, të ftuar për të diskutuar në panel janë Lisandri Kola, Anrila Spahia dhe Mimoza Hysa. D.E