“Kështjella e (Mos)Marrëveshjes”, Rambujeja sipas Mervocit

“Kështjella e (Mos)Marrëveshjes”, Rambujeja sipas Mervocit

Kultura March 19, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje
Image

Fletorja e vogël, të cilën Adnan Merovci e ka mbajtur me vete dhe ka shkruar në të si regjistër i të të gjitha ngjarjeve të kohës që ka qenë pjesë e tyre, i ka shërbyer si bazë për botimin e librit “Kështjella e (Mos)Marrëveshjes”. Ky libër u botua ditën e hënë, më 18 mars në kino “Armata”. “Kështjella e (Mos)Marrëveshjes” është një ditar i mbajtur prej 5 deri më 25 shkurt 1999 në Rambuje dhe prej 14 deri më 20 mars 1999 në Paris.

Një dokumentar që u shfaq në hapje të promovimit për të pranishmit solli në kujtesë ngjarjet e Konferencës së Rambujesë, që njëherësh cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kur shqiptarët u bënë faktorë dhe u rreshtuan drejt. Duke qenë udhëheqës i protokollit të presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë viteve ’90-a dhe deri më 2000-n autori Adnan Merovci në këtë libër shpalos perspektiven e tij për atë periudhë.

Recensenti i librit Mark Marku lartësoi veprën e autorit dhe theksoi se përmes këtij ditari autori jorastësisht sjell në mendje kështjellën e Kadaresë teksa flet për kështjellën e Rambujesë. Ai tha se ditari do të jetë i diskutueshëm, sepse kemi një histori shumë të politizuar. “Me vetëdijen se po merr pjesë në një ngjarje të madhe historike Merovci përveç funksioneve teknike merr edhe rolin e kronikanit të ngjarjes përmes ditarit të tij personal, ku regjistron deri në detajet më të imëta gjithë ‘historinë’ e Marrëveshjes së Rambujesë në shënimet hyrëse të ditarit, ai jorastësisht sjell në kujtesë kështjellën e Kadaresë teksa flet për kështjellën e Rambujesë”, vlerësoi Marku në fjalën e tij.

Publicisti Skënder Zogaj e vlerësoi veprën duke thënë se është më shumë se një ditar, është një procesverbal autentik nga vendi dhe nga koha e zhvillimit të punimeve të konferencës famëplotë. E sipas publicistit Zogaj, autori nuk është ndikuar nga aktualiteti, por ditarin e ka nxjerrë nga regjistruesi i ngjarjeve, me atë që autori ka parë me sytë e tij e ka dëgjuar me veshët e tij. “Rëndësia e ditarit të Adnan Merovcit qëndron te fakti se gjatë shkrimit të këtij libri autori nuk është ndikuar nga aktualiteti, por ditarin e ka shkruar me ndjesinë e kohës kur është zhvilluar konferenca, i vetëdijshëm se kjo mënyrë e qasjes e bën ditarin real, më të saktë dhe më të besueshëm, pra kemi të bëjmë më një ditar autentik të atypëratyshëm, regjistrues të ngjarjeve dhe të përjetimeve që autori i ka parë me sy dhe i ka dëgjuar me veshët e tij”, ka shtuar tutje Zogaj që tha se Merovci mençur është fokusuar tek angazhimi i secilit nga anëtarët e delegacionit të Kosovës. Për recensionin që i ka bërë librit është falënderuar edhe recensenti Llukman Halili, i cili nuk ka qenë i pranishëm në përurimin e librit.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ish-ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami, i cili komentoi procesin e konferencës së Rambujesë. Sipas tij, më e rëndësishmja qëndron në atë se Merovci nuk kishte qenë vetëm një person teknik, por një person shumë i rëndësishëm gjatë gjithë periudhës së konferencës së Rambujesë.

“Janë shkruar më shumë se dhjetëra libra për Rambujenë, edhe nga politikanët, edhe nga ata që nuk janë politikanë, por me sa kam kuptuar libri i Merovcit cilësohet si më autentiku pavarësisht se unë akoma nuk e kam lexuar. Adnan Merovci nuk ka qenë një person teknik, por person i rëndësishëm i konferencës së Rambujesë dhe jam i sigurt se ky libër nuk do të jetë vetëm një dokumentar, por do të tregojë rëndësinë e ngjarjes”, tha Bajrami.

Në fjalën e tij me rastin e përurimit të librit autori Adnan Merovci tha se jorastësisht ka zgjedhur që në këtë datë të bëhet edhe përurimi i librit të tij. “Sot njëzet vjet më parë, në orën 16:00, është nënshkruar një marrëveshje dhe një ngjarje historike në Ballkan, pasi me mushkëritë e Ibrahim Rugovës Ballkani ka marrë frymë dhe të mos ishte politika e Ibrahim Rugovës ju po e dini çka ishte bërë sot”, vlerësoi në fjalën e tij Merovci që sipas tij edhe pa dashur që ta komentojë librin lartëson figurën e Ibrahim Rugovës dhe rolin e tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Merovci ish-presidentin Rugova e cilësoi si peng të regjimit serb, ndërsa veten e tij peng të Rugovës. “Ibrahim Rugova kishte atributin dhe ne jemi krenarë që na ka udhëhequr ai. Presidenti Rugova ishte peng i regjimit serb, ndërsa unë peng i tij dhe i regjimit serb”, tha ai dhe njoftoi se libri tjetër do ta mbajë titullin “Peng” e që sipas tij do t’i jepet librit të dytë që tregon zhvillimet në Rambuje e që pritet të botohet pas dy muajsh.

Adnan Merovci përvojën e tij me presidentin Rugova e ka rrëfyer në  librin “Në hap me Presidentin” dhe në dokumentarin televiziv që ndërlidhet me Rugovën, i cili u shfaq edhe gjatë këtij përurimi. Siç u vlerësua, ky ditar i Adnan Merovcit do të nxjerrë në dritë shumë gjëra të cilat, siç ka shkruar ai, duhet të thuhen.

Image