Libri i javës –  'E bija e kapitenit' nga A. S. Pushkin

Libri i javës – 'E bija e kapitenit' nga A. S. Pushkin

Kultura March 18, 2019 - 10:32

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “E bija e kapitenit”, nga shkrimtari i mirënjohur Aleksandër S. Pushkin. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Fitim Salihu e Eurisa Rukovci.   “E bija e kapitenit” është një roman historik i botuar së pari në vitin 1836.

Romani flet për Pyotr Andreyich Grinyov, i cili është i vetmi fëmijë i mbijetuar i një oficeri në pension të ushtrisë. Kur Pyotri mbush 17 vjeç i ati e dërgon në shërbim ushtarak në Orenburg. Në rrugë Piotri kalon një krizë, por shpëtoi nga një njeri misterioz, të cilit si shpërblim ia bën një dhuratë.

Me të mbërritur në Orenburg Pyotr i raporton zyrtarit të tij komandues dhe caktohet të shërbejë në Fort Belogorsky. Fortesa është pak më shumë e madhe se një fshati, dhe gruaja e kapitenit Vasilisa është përgjegjësja e saj. Nuk vonon shumë dhe kalaja rrethohet nga kryengritësi Yemelyan Pugachev, i cili pretendon të jetë perandori i vrarë Pjetri III. Me ndërrimin e rrethanave edhe situata në të cilën ndodhet Pyotr Andreyich Grinyov komplikohet. Këtu romani i Pushkinit hyn në kthesa të papritura dhe intriguese.

I njohur te lexuesi shqiptar me poemat, poezitë, dramat, romanet e novelat, Aleksandër Pushkini konsiderohet më i madhi poet rus, njëkohësisht themelues i letërsisë moderne ruse. Drama, romanca e satira e tij janë të ndërlidhura gjithaq me letërsinë e me jetën ruse. “E bija e kapitenit” qe romani i preferuar i Çehovit. Tolstoi parapëlqente Pushkinin prozator më shumë sesa Pushkinin poet, duke thënë se “gjëja kryesore te Pushkini është thjeshtësia dhe kompaktësia e veprës së tij”. Gogoli madje shkonte aq larg, sa thoshte se “duke e krahasuar me ‘E bija e kapitenit’ veprat tona janë përsheshe të ëmbla”. Dostojevski ndërkaq vlerësonte natyrshmërinë e veprës.

Librin “E bija e kapitenit” nga shkrimtari i famshëm rus Aleksandër S. Pushkin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë për pesë euro.

Zëri