Nis Panairi i Librit në Paris, Kosova e ftuara e nderit

Nis Panairi i Librit në Paris, Kosova e ftuara e nderit

Kultura March 16, 2019 - 08:07
Lexo tjera detaje

Ka hapur dyert më 15 mars panairi tradicional i librit njëkohësisht ngjarja më e madhe letrare në Paris, “Livre Paris”. Me praninë e kryeministrit francez Edouard Philippe, u bë dhe hapja zyrtare të enjten mbrëma për t’i hapur rrugë pranisë së madhe qytetare ditëve në vijim. Panairi do të jetë i hapur deri të hënën (18 mars) ku priten mbi 165,000 vizitorë. Ndër 3,900 autorët e pranishëm spikasin emra, si: Orhan Pamuk, Delphine de Vigan, Javier Cercas, Maylis de Kerengal, Bernard Werber, Douglas Kennedy etj.

Tashmë tradicionalisht, pjesë e panairit është edhe Kosova me stendën nacionale të Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Mes 515 pjesëmarrësve zë vend edhe shteti i Kosovës, përkatësisht Shoqata e Botuesve të Kosovës. Në panair janë të pranishëm autorët Adem Gashi, Ilire Zajmi, Haxhi Kraki e Marigonë Kelmendi, përkthyesi Izet Sylaj etj.

Sivjet, i ftuar nderi në panairin e librit në Paris është Evropa. Në kuadër të së ftuarës së nderit është edhe Kosova, me ç’rast prezantohet në debatin e së premtes me autorët e pranishëm. Krahas kësaj, në prezantimet e autorëve evropianë kanë hapësirë të veçantë prezantuese autorët Agim Vinca, Eqrem Basha, Ilire Zajmi dhe Jusuf Buxhovi, librat e të cilëve janë botuar në gjuhën frënge.

Në Panairin e librit të Parisit të premten skena e Evropës u hap me debatin publik njëorësh kushtuar letërsisë shqipe të prodhuar në Kosovë.

Ky debat publik u drejtua në gjuhën frënge nga intelektualët Klara Buda dhe Nezir Kraki dhe zgjoi shumë interesim tek të pranishmit dhe pati vlerësim të lartë nga organizatorët. Katër autorët e pranishëm, Ilire Zajmi, Adem Gashi, Marigona Kelmendi dhe Haxhi Kraki folën për qasjen e letërsisë në këto 20 vjet.

Meqë këtë vit Evropa ishte e ftuara e nderit dhe jo të gjitha vendet kishin fatin ta hapin këtë aktivitet dhe të kishin një panel me autorët e pranishëm në panair.

Tema e panelit ishte letërsia shqipe e Kosovës 20 vjet pas Rambujesë, ndërhyrjes së NATO-s dhe 11 vjet Kosovë të pavarur si dhe letërsisë botërore të përkthyer në shqip dhe veçanërisht letërsia frënge. Aktiviteti u ndoq nga media franceze që e lajmëroi direkt nga panairi i librit (Livre Paris). Stenda e Kosovës L117 ndodhet në kuadër të stendës mysafire të nderit, Evropës.

Që  nga themelimi i tij, “Livre Paris” është panair që mbahet mes datave 16-19 mars. Këtë vit ky panair po mëton të festojë diversitetin e Evropës dhe letërsisë së saj. Ky organizim përpiqet t’i nderojë në maksimum të gjithë shkrimtarët pjesëmarrës duke organizuar diskutime që lidhen me ta apo krijimtarinë e tyre si dhe duke organizuar takime të ndryshme me lexues.  Përfshirja e sa më shumë gjuhëve të botës është një tjetër synim  i këtij organizimi./ZËRI