Konica vdiq i pezmatuar

Konica vdiq i pezmatuar

Kultura March 16, 2019 - 08:04
Lexo tjera detaje

Ndue Ukaj

Në një ditë si kjo, në vitin 1875 lindi shkrimtari, diplomati dhe publicisti Faik Konica. Ai ishte i kulturuar, erudit dhe i rreptë si pakkush. Ai lindi një ditë pas ditës së verës, së cilës ia kushtoi një tekst të shkurtër, por shumë domethënës.

Në fakt Konica tërë jetën e tij punoi dhe luftoi për të parë dhe për të përjetuar “verën kombëtare”, për t’i ndier rrezet e diellit dhe lulëzimin e kombit shqiptar pas dimrit të gjatë dhe të acartë. Ai punoi që populli i tij të ngrohej në rrezet e lirisë dhe të përparimit, por vdiq i pezmatuar. Sepse rrezet e lirisë, të drejtësisë dhe të përparimit, për çka fliste dhe luftonte ai, nuk e ngrohnin sa duhej popullin e tij. E ai gjatë gjithë jetës, përmes punës diturore dhe intelektuale, u përpoq t’i kuptonte dhe t’i shpjegonte arsyet e kësaj mjegulle që pengonte përparimin kombëtar.

Në historinë e kulturës shqiptare, Faik Konica, është nga ato personalitete që ka treguar dashuri përvëluese për kombin dhe për përparimin e tij, që ka vuajtur pa fund për shkak të prapambeturisë së kombit të tij dhe ka guxuar të stigmatizojë pa kompromis plagët që dhembnin fort. I ditur dhe i formuar me koncepte perëndimore ai vuante pse e shihte popullin e lashtë të prapambetur, të çorientuar dhe të mbytur në mosmarrëveshje të brendshme. Prandaj te “Shqipëria si mu duk”, më 1929, i pezmatuar ai shkruante: “Ashtu kuptova se në të vërtetë kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukuria, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë”. Ky gjykim i Konicës, i ashpër, por real, edhe pas kaq dekadash shporon si heshtë në zemrën e gjitha atyre që e duan kombin shqiptar të emancipuar dhe të përparuar, si gjithë popujt tjerë të Evropës.

Vepra e tij e pasur në fushën e letërsisë, të publicistikës dhe të gazetarisë mbetet një testament i përhershëm për shqiptarët e çdo kohe, sidomos për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë. Është një vepër e begatshme, diturore dhe domethënëse, për ata që aspirojnë të jetojnë me dinjitet në mesin e popujve të emancipuar. Sidomos për ata që nuk e duan poshtërimin dhe nënshtrimin. Është një vepër që shqiptarin e ndihmon ta mposhtë plogështinë, të heqë pluhurin e robërisë dhe të ecë me dinjitet kah përparimi dhe liria e njëmend.

“Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë” – shkruante ai dhe kërkonte që shqiptarët e çorientuar dhe me pranga zinxhirësh në tru të çliroheshin nga ky sindrom poshtërues. Por, që të ndodhte kjo, shqiptarët duhej të kulturoheshin dhe të emancipoheshin. Dhe në këtë betejë, fjala dhe mendimi i kulturuar e dituror kishte kuptim. Për këtë arsye, ai shkroi thirrjen e tij “Lutja e shkrimtarit” që tingëllon aktuale edhe sot: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi për të thënë gjë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mbrehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm në paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu Qoftë”. Kjo lutje, që ka bazë te teksti biblik, si ligjërim dhe semantikë, përkatësisht te lutja që Jezusi ua mësoi dishepujve të tij, është dëshmi e kulturalitetit të veprës së tij dhe përkatësisë së saj oksidentale.

Konica, ndër tjera, na dha leksione të nevojshme për të kuptuar, për të gjykuar dhe për të shpjeguar historiografinë shqiptare, sidomos atë që merret për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Duke e analizuar këto raporte, shprehimisht shkruante: “Para se gjithash, prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër pesëqind vjet”.

 

Konica ka shkruar një sërë tekstesh të dobishme, që mund të lexohen edhe në kontekstin e sotëm shqiptar, sepse janë analiza që tingëllojnë sikur të ishin shkruar sot, në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo tregon ç’mendje e madhe ishte ai, por njëkohësisht sa të paaftë dhe të pazotë që jemi ne për të kaluar nga ky stadi primitiv drejt një shoqërie të përparuar dhe të organizuar mirë.

Konica, ashtu sikurse edhe sivëllezërit e tij shkrimtarë, ishte i ditur dhe i rreptë, i pakompromis me veset dhe të këqijat shqiptare, të cilat i stigmatizonte si pakkush, por edhe krenar për vlerat kombëtare, të cilat i lartësonte me guxim si pakkush. Ai besonte se beteja për të emancipuar një popull nuk mund të bëhej duke i ikur të vërtetës, por duke e trajtuar atë dhe duke shkulur me rrënjë të keqen. Po ashtu ai besonte se beteja për të emancipuar dhe kulturuar një popull nuk mund të bëhej me rrahagjoksë, por nga njerëz të dijes, të hollë nga mendja dhe të iluminuar, që problemet e shoqërisë dhe të raporteve ndërkombëtare, nuk i qëmtojnë nga kafetë dhe çajtoret plot tym duhani, por nga dija, librat dhe kultura.

Konica na ka vizatuar me vija të trasha dhe të dukshme të vërteta të dhimbshme, që nganjëherë tentojmë t’i fshehim, edhe pse e dimë se dielli nuk mbulohet me shoshë.

Vepra e tij, ndonëse e rikthyer në jetën tonë kulturore e publike, nuk duhet cituar për të sharë njëri-tjetrin, por për të mësuar nga ajo dhe pësimet për të cilat na flet. Shqiptarët e sotëm, të çorientuar dhe të paemancipuar sa duhet, sidomos në fushën e politikës, me mosmarrëveshje të brendshme të mëdha, duhet rishtas të bëhen nxënës të veprës së tij, sepse në këtë mënyrë më lehtë mund të hyhet në portat e lirisë dhe të përparimit e të përjetohet dita e verës kombëtare, në të cilën mund të ngrohemi nga rrezet e lirisë, të përparimit dhe të mirëqenies./ZËRI