Nis Panairi i Librit në Paris, Kosova e ftuar nderi

Nis Panairi i Librit në Paris, Kosova e ftuar nderi

Kultura March 15, 2019 - 12:59

Hap dyert sot, më 15 mars, panairi tradicional i librit njëkohësisht ngjarja më e madhe letrare në Paris, Livre Paris. Me praninë e kryeministrit francez, Edouard Philippe, u bë dhe hapja zyrtare të enjten mbrëma për t’i hapur rrugë pranisë së madhe qytetare ditëve në vijim. Panairi do të jetë i hapur deri të hënën (18 mars) ku priten mbi 165,000 vizitorë. Ndër 3,900 autorët e pranishëm spikasin emra si Orhan Pamuk, Delphine de Vigan, Javier Cercas, Maylis de Kerengal, Bernard Werber, Douglas Kennedy etj, shkruan zeri.info.

Image

Tashmë tradicionalisht, pjesë e panairit është edhe Kosova me stendën nacionale të Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Mes 515 pjesëmarrësve zë vend edhe shteti i Kosovës, përkatësisht Shoqata e Botuesve të Kosovës. Në panair janë të pranishëm autorët Adem Gashi, Ilire Zajmi, Haxhi Kraki e Marigonë Kelmendi, përkthyesi Izet Sylaj etj.

Sivjet, e ftuar nderi në panairin e librit në Paris është Europa. Në kuadër të së ftuarës së nderit është edhe Kosova, me ç’rast prezentohet në debatin e së premtes me autorët e pranishëm. Krahas kësaj, në prezentimet e autorëve europianë, kanë hapësirë të veçantë prezantuese autorët Agim Vinca, Eqrem Basha, Ilire Zajmi dhe Jusuf Buxhovi, librat e të cilëve janë botuar në gjuhën frënge. Zëri