Drama e familjeve kosovare në ekranin e 'Cineplexx'-it

Drama e familjeve kosovare në ekranin e 'Cineplexx'-it

Kultura March 15, 2019 - 11:06
Image

“Një tregim Prishtine” titullohet filmi i regjisores Burbuqe Berisha, i cili që nga kjo e premte do të jetë pjesë e programit të rregullt të kinemasë austriake në Prishtinë “Cineplexx”. Ky projekt kinematografik, që i takon metrazhit të gjatë, është një dramë familjare e sëmundjes, e dhimbjes, e krizës ekonomike. Skenari i filmit, të cilin e ka bërë Getoarbë Mulliqi-Bojaj, ka dy linja. Linja e parë që është drama e pashmangshme familjare dhe linja e dytë që është korrupsioni. Në këtë film në rolet kryesore vijnë aktorët e mirënjohur kosovarë Teuta Krasniqi (Aurora) dhe Donat Qosja (Beni), kurse befasi për publikun është aktorja e re Artiola Hamdijaj (Fiona), e cila vjen në rolin e vajzës së çiftit. Jeta familjare e këtyre të treve përmbyset kur  merret vesh se Fiona vuan nga një sëmundje e rëndë dhe se shërimi i saj është tejet i kushtueshëm dhe duhet të bëhet jashtë vendit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Regjisorja Berisha ka zgjedhur t’i dërgojë aktorët e saj në veprime të skajshme, duke portretizuar atë se çka është në gjendje të bëjë një prind për të mirën e fëmijëve të vet.

Përveç protagonistëve, lojë të shkëlqyeshme në këtë film sjellin edhe aktorët e tjerë të dëshmuar si: Bislim Muçaj, Myrvete Kurtishi ,Aurita Agushi, Ylber Bardhi, Edison Kastrati e të tjerë.

Image

“Një tregim Prishtine”, siç e thotë edhe titulli, është vërtet një dramë e familjeve tona të cilat përballen vazhdimisht me problemet e sistemit shëndetësor dhe me mungesën e mundësive për t’u shëruar brenda vendit, por edhe problemet ekonomike.

Në konferencën për medie, që u mbajt të enjten pas premierë së filmit për gazetarë, regjisorja Burbuqe Berisha u shpreh se ky është një film që i takon realitetit kosovar dhe asaj më të cilën shoqëria jonë përballet çdo ditë. “Ne jemi dëshmitarë se problemet shëndetësore në shoqërinë tonë janë të mëdha dhe ndonjëherë të pamenaxhuara. Përveç problemeve shëndetësore, filmi ka disa linja. Jo vetëm luftën e dy prindërve për mbijetesën e vajzës, por edhe anën e korrupsionit që për mua është mjaft interesante dhe kreative. Kështu që të gjithë ata që duan ta shohin një film të realitetit tonë, një luftë tjetër, asaj të mbijetesës, atëherë ky është filmi i duhur për t’u parë”, tha Berisha.

E pyetur se sa sfiduese ishte të punonte me një aktore të re, siç është Artiola Hamdijaj, e cila në film sjell një rol kryesor, Berisha tha se është lumtur që ka nuhatur talentin e saj dhe që ka punuar me të. “Në takimin e parë e kam ditur se kjo do të jetë aktorja që do ta luajë rolin e Fionës edhe pse kemi pasur shumë audicone me fëmijë për këtë rol. Puna me të ka qenë shumë e mirë dhe e lehtë. Jam shumë e lumtur që Artiola ka punuar herën e parë në film tek unë, por që atëherë ajo ka fituar edhe disa role tjera. Jam e lumtur që kam nuhatur një fëmijë të tillë që është i talentuar, por edhe e përgjegjshme për punën që e bën”, tregoi Berisha.

Në anën tjetër skenaristja Getoarbë Mulliqi-Bojaj tha se qëllimi kryesor ka qenë që filmi të vijë natyrshëm dhe jopatetik e kësisoj të paraqiten edhe emocionet e përjetimet e prindërve. “Qëllimi ka qenë të transmetohen momentet dhe ndjenjat e prindërve, si dhe sakrificën e tyre. Është e vështirë të shkruash për disa tema përnjëherë. Skenari nuk është i bazuar në një rast specifik, por në ngjarje të shumta. Jemi munduar të mos dalim patetikë dhe joorganikë. Jam shumë e lumtur si është mishëruar i gjithë skenari me aktorët që paraqiten në film”, theksoi Getoarba.

Si shumica e projekteve kinematografike në Kosovë edhe ky film u përballë me probleme buxhetore. I gjithë projekti u realizua me 35.000 euro të ndara nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Deri më tani ky film është shfaqur në disa vende e së shpejti do të jetë edhe në një festival në Spanjë. Producenti Agron Vula bëri të ditur se përveç Prishtinës ky film së shpejti do të jetë edhe në “Doku Kino” në Prizren, kurse sa u përket vendeve të tjera shqipfolëse planifikohet që filmi të jetë edhe në kinemanë e Shkupit dhe në atë të Tiranës. Zëri